Alibeaj: Tirana një mega-lavatriçe pastrimi. Projekt politik i Ramës për të mbajtur pushtetin me krimin

Ish-ministri i Drejtësisë Enkelejd Alibeaj i ftuar në studion e “ABC” foli për raportin e publikuar së fundmi nga DASH për pastrimin e parave në vend.

Në këtë raport DASH thekson se Shqipëria nuk ka bërë asnjë përparim për luftën kundër pastrimit të parave.

Krime të mëdha që krijojnë të ardhura në Shqipëri përfshijnë trafikimin e drogës, evazionin fiskal dhe kontrabandën. Organizatat kriminale shqiptare kanë lidhje në rrjetet që veprojnë në Evropë dhe Amerikën e Jugut”, thuhej në raport.

Alibeaj gjatë fjalës së tij tha se në kryeqytet janë ndërtuar 3,6 milion metra katrorë, ndërsa ngre pyetjen se nga vijnë këto para.

“3,6 milion metra katror janë ndërtuar në Tiranë, të ndërtuara nga 141 kompani ndërtimi. Por intriguese është se nga këto 141 kompani ndërtimi, 60% e tyre në regjistrin kombëtar tregojnë se nuk kanë të dhëna të mjaftueshme , por janë shoqëri të sapokrijuara. Por ekonomia ka rënë dhe bankat e nivelit të dytë nuk japin kredi.

Shqiptarët të blejnë nuk kanë, bankat të japin kredi nuk kanë. Ndërtohen 3,6 milion metra katror në Tiranë dhe pyetja është nga vijnë këto para? Pra Tirana është kthyer në mega-lavatriçe pastrimi”, tha Alibeaj.

Gjatë bisedës në studio me gazetarin Endri Xhafo, Alibeaj tha se kjo situatë ka një kosto sociale duke e cilësuar si një shkatërrim total të shtetit: “Këtu kemi vetëm ngritjen e flamurit të krimit, shtet nuk ka, ligj nuk ka , Ndrangheta ka ardhur këmbëkryq në Shqipëri”, tha ai.

Pyetje: Kjo është paaftësi e Edi Ramës?

Alibeaj: Është një projekt politik. Sepse daton se paku nga 2013, duke e ngritur në monument krimin, duke çuar deri në Parlament. Pra pyetja është çfarë pret nga një kriminel që e çon brenda në parlament. Të gjithë i ktheu në një arenë ta madhe të populluar me rekorde të frikshme kriminale.

Më pas pasoi me kanabizimin total të Shqipërisë, pra kemi ministra të kapur. Shqipëria jo vetëm u kanabizua, por kaloi në një vend kyç i trafikimit të lëndëve të forta narkotike.

Ky pra është projekti politik, kërkon ta marrësh pushtetin me krimin, ta mbash me krim dhe sot ky është produkti. Nuk ka raport ndërkombëtar që të mos shkruajë këtë gjë dhe si mund të bëhet kjo? Vetëm duke këputur lidhjen e fortë me krimin mund ta ndryshojmë situatën dhe kjo do të këputet tani, më 25 prill!.

Pyetje: Nuk mendoni se keni përgjegjësi, apo se shpresa ka vdekur edhe sepse ju nuk sillni shpresë?

Alibeaj: Unë shoh  dëshirën e njerëzve për ndryshim, për përmbysje.

Pyetje: Përmbysje me kë?

Alibeaj: Merri të gjithë me radhë dhe nëse do të shohësh që nga ajo kohë, ajo çfarë ka ndodhur në PD është një transfuzion.  Nëse do të kishte pasivitet për shkak të mungesës së shpresës, nuk do të kishim një dëshirë të madhe të njerëzve për të bërë ndryshimin.

/abcnews.al/

SHKARKO APP