Alimehmeti: Në garë më shtyu ndërgjegjja qytetare. Problemi kryesor i vendit, shpopullimi
Mjeku i njohur, Ilir Alimehmeti i cili ka shpallur kandidaturën për Primare për të qenë kandidati i dalë nga opozita për postin e kryebashkiakut të Tiranës, thotë se ajo që e shtyu të ishte pjesë e garës për qytetarin e parë të kryeqytetit ishte ndërgjegjja e tij qytetare. Për të duhet bërë diçka që t’i jepet zgjidhje shpopullimit të vendit, të cilin ai e quajti problemin kyç të vendit tonë, me 10 mijë studentë që janë larguar nga vendi për shkollim vetëm këtë vit.
”Duhet ndërgjegje qytetare për të përmirësuar situatën ku jemi. Të gjithë ne dalim në Tiranë dhe ndjejmë dhimbje për situatën ku kemi rënë, pse ka ndodhur kjo. Kjo dhimbje e parë që në 7 korrik u shndërrua në protestë, që do ndiqet nga ajo e 12 nëntorit.
Jam kthyer në 2014 pasi ika për specializim dhe u ktheva të vëndos në dobi të vendit dijet që mora. Nëse nuk bëjmë asgjë për të ndryshuar situatën a mund ta quajmë veten qytetarë? Situata e shkaktuar nga një grup i vogël që e vuajnë të gjithë të tjerët. Ose bëhemi bashkë ose truri do të largohet”.