Altin Dumani: Kemi nisur një sërë çështjesh për gjyqtarë e prokurorë të shkarkuar

Kreu i Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit, Altin Dumani, ka bërë me dije se organi i akuzës që ai drejton ka nisur një sërë çështjesh penale duke marrë indicie nga vendimet e vetingut për shkarkimin e prokurorëve dhe gjyqtarëve në vend.

Kreu i SPAK sqaroi se vendimet e organeve të vetingut kanë shërbyer si indicie, që më pas prokurorët të thellojnë hetimet dhe të regjistrojnë çështjet penale për korrupsion pasiv ndaj prokurorëve dhe gjyqtarëve të shkarkuar.

“Do ndalem te ndjekja penale për subjektet që i janë nënshtruar vetingut. SPAK ka pasur edhe raste kur ka aplikuar ligjin antimafia për subjektet të kësaj natyre dhe ka konfiskuar pasuri që u përkasin subjekteve të shkarkuar nga vetingu. Në hetim ka vend për të përmirësuar dhe ne po mësojmë të mos përsërisim të njëjtat gabime. Edhe materialet e përdorura në proceset administrative t’i përdorim në proces penal jo si prova të mirëfillta po si indicie që na shërbejnë për të gjetur provat. Ne nuk kemi qenë të shurdhët dhe të verbër nga vendimet e vetingut edhe për raste kur nuk bëhen pjesë e hetimit tonë për shkak të veprën penale. Kemi regjistruar me iniciativën tonë hetimet penale duke na shërbyer si indicie vetëm përmbajtja e vendimit të vetingut. Janë çështje që i kemi në hetim, por jemi të kujdesshëm dhe përpiqemi që pasona të caktuar në SPAK të bëjnë një filtrim të vendimeve të vetingut me qëllim që në rast se nga vetë përmbajtja krijohen indicie se mund të jemi para veprës së korrupsionit. Ne kemi regjistruar procese penale për korrupsion pasiv për prokurorë e gjyqtarë. Kemi një numër të madh çështjesh penale sa i përket hetimit të tyre”, u shpreh Dumani.

“Secili institucion duhet te përmbushë detyrimet e veta. Thirrje qytetarëve të denoncojnë çdo akt korruptiv në SPAK. Institucionet përgjegjëse për luftën kundër korrupsionit të jenë në lartësinë e duhur, të furnizojmë SPAK me informacione apo kallëzime”, është shprehur Altin Dumani në një takim të organizuar nga Komiteti Shqiptar i Helsinkit.

 

 

SHKARKO APP