Altin Dumani takim me zyrtarin e lartë gjerman, Saathoff: SPAK, institucion kyç për integrimin në BE

Kreu i SPAK-ut, Altin Dumani ka zhvilluar një takim me Sekretarin e Shtetit në Ministrinë e Brendshme Federale të Gjermanisë, Johann Saathoff. Në takim u diskutua marrëdhënia mjaft e mirë midis agjencive ligjzbatuese të shtetit Gjerman dhe SPAK.

Nga ana e tij, Dumani falenderoi për mbështetjen e vazhdueshme të shtetit gjerman ndaj SPAK, duke shprehur konsideratat më të larta për nivelin mjaft të mirë të bashkëpunimit ndërkombëtar në kuadër të ndihmës së ndërsjelltë juridike midis palëve.

Saathoff nënvizoi se SPAK është një institucion mjaft i rëndësishëm në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit në Shqipëri, i cili konsiderohet nga shteti gjerman si një ndër institucionet kyçe për integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian.

Po ashtu zyrtari i lartë gjerman e cilësoi se nuk është rastësi që kjo vizitë e këtij niveli në Shqipëri fillon me këtë institucion. Nga ana tjetër, Saathoff shprehu rëndësinë që shteti gjerman i ka dhënë bashkëpunimit me SPAK, ku si në pak vende, prezenca e oficerëve të kontaktit në Shqipëri është më e lartë.

SHKARKO APP