Ambasada amerikane: Escobar më 9 dhjetor në Tiranë. Do të takojë vetëm Ramën, Bashën dhe Xhaçkën

Zëvendësndihmëssekretari i Shtetit i SHBA-ve për Çështjet Europiane dhe Euroaziatike, Gabriel Escobar do të vijë të enjten në Tiranë, ku do të zhvillojë takime me kryeministrin Edi Rama, ministren e Jashtme, Olta Xhaçka, kryetarin e Partisë Demokratike, Lulzim Basha.

Ambasada amerikane në Tiranë ka zbardhur detaje nga vizita e zyrtarit të lartë të SHBA në Tiranë, ndërsa zbulon dhe disa nga temat kryesore që pritet të diskutohen.

Më 9 dhjetor, Zëvendës Ndihmës Sekretari i Shtetit i SHBA për Çështjet Europiane dhe Euroaziatike dhe i Dërguari i Posaçëm për Ballkanin Perëndimor Gabriel Escobar do të zhvillojë vizitën e tij të parë në Shqipëri, me qëllimin për të thelluar miqësinë tonë të ngushtë, e mbështetur në vlerat e përbashkëta demokratike. Escobar do të takohet me Kryeministrin Rama, Ministren e Jashtme Xhaçka, Kryetarin e Partisë Demokratike Basha dhe udhëheqës të tjerë për të rikonfirmuar mbështetjen e palëkundur të Shteteve të Bashkuara për demokracinë e Shqipërisë, integrimin në BE, bashkëpunim më të fortë në mbrojtje dhe mundësi për tregti e investime. Ashtu siç shkruhet në Urdhrat Ekzekutivë të Presidentit Biden, Escobar do të diskutojë gjithashtu edhe mbi vendosmërinë e Shteteve të Bashkuara për të luftuar korrupsionin, pandëshkueshmërinë dhe përpjekjet për të minuar demokracinë në Ballkanin Perëndimor”, thuhet në mesazhin e ambasadës amerikane.

SHKARKO APP