Ambasada e Francës në Kosovë: Macron s’ka kërkuar pezullim të vizave, por që Vuçiç të marrë përgjegjësi

Për deklaratën e bujshme në Tiranë të presidentit francez, Emmanuel Macron në lidhje me liberalizimin e vizave për Kosovën, që në fakt shkaktoi furtunë, ka reaguar edhe Ambasada e Francës në Prishtinë. Në një përgjigje për mediat, ambasada ka thënë se theksi i deklaratës së Macron ka qenë më shumë kërkimi i përgjegjësisë nga Vuçiç për aktet e 24 shtatorit.

“Gjatë konferencës për medie me kryeministrin Edi Rama, Presidenti i Republikës së Francës, Emmanuel Macron, theksoi nevojën që të dyja palët të dëshmojnë një frymë përgjegjësie. Ai nënvizoi qartë pritshmëritë e tij nga presidenti serb Vuçiq: të dënojë me vendosmërinë më të madhe aktet e 24 shtatorit dhe të ndihmojë në rivendosjen e qetësisë në kufi”.

Sipas ambasadës franceze, Kosovës nga presidenti Macron i është kërkuar angazhimi për ripërsëritjen e zgjedhjeve në komunat e veriut. “Ai kërkoi nga të dyja palët që të angazhohen për riorganizimin e zgjedhjeve në veri të Kosovës, me pjesëmarrjen e serbëve dhe kthimin e tyre në institucionet kosovare”. Ambasada franceze më tej thotë se Macroni nuk përmendi anulimin e vizave.

“Ai bëri thirrje për një frymë përgjegjësie të presidentit serb Vuçiç, dhe të njëjtat pritshmëri i kishte edhe nga presidentja dhe kryeministri kosovar. Pikërisht në këtë kontekst, ai përmendi edhe çështjen e liberalizimit të vizave, e cila ishte një gjest mirëbesimi, por që në këtë periudhë nuk ishte reciproke. Prandaj, ai pret që autoritetet kosovare, sikurse edhe autoritetet serbe, të respektojnë fjalën e dhënë dhe të riangazhohen për të ecur përpara në javët e ardhshme”, thuhet tutje në përgjigjen e Ambasadës franceze për mediat.

SHKARKO APP