Ambasada e Shqipërisë në Beograd: Rama do të vizitojë edhe Preshevën

Sipas programit të vizitës, delegacionet e Shqipërisë dhe Serbisë do të kenë takim plenar, ndërsa do të nënshkruhen edhe marrëveshje. Në njoftimin e qeverisë serbe nuk bëhet e ditur se për çfarë marrëveshje bëhet fjalë.

Pas takimit, në orët e pasdites kryeministrat Vuçiç dhe Rama do japin deklarata për shtyp. Edi Rama në Serbi do të qëndroj dy ditë, ndërsa të martën do të vizitoj luginën e Preshevës, konfirmon Ambasada e Shqipërisë në Beograd për Anadolu Agency.

Rama do të jetë Kryeministri i pari i Shqipërisë, i cili zyrtarisht do të vizitojë bashkëkombësit e tij në Serbi. Kryetari i komunës së Preshevës, Ragmi Mustafa kishte deklaruar më parë se do të organizohet pritje madhështore për kryeministrin shqiptar, e cila është vizitë historike.

Në jug të Serbisë, në tri komunat e Luginës së Preshevës – Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë, shumicën e popullatës e përbëjnë shqiptarët.

Pas më shumë se shtatë dekadave, vizita e Edi Ramës do të jetë vizita e parë e një zyrtari të lartë shqiptar në Beograd. Herën e fundit kryeqytetin e ish-Jugosllavisë në vitin 1947, e vizitoi udhëheqësi komunist shqiptar Enver Hoxha ku u takua me Titon.

SHKARKO APP