Ambasadorët qesharakë
Andi Bushati
Trokitja brutale në dyert e partive i ka bërë dy ambasadorët kryesorë të perëndimit pre të kritikave për arrogancë. Por frika është se po ndodh krejtësisht e kundërta. Procesi i vështirë i reformës në drejtësi, po rrezikon ti shndërrojë ata në qesharakë.
Deri më tani ka ndodhur pikërisht kjo.
Lulzim Basha u thotë prej gati një viti se ai dhe partia e tij e duan vërtet reformën. Por në fakt ditë pas dite PD-ja nxjerr alibi të reja, jo për ta votuar këtë dëshirë dhe vullnet të ndërkombëtarëve, por për ta shtyrë në kohë. Pavarësisht se ç’thotë, opozita është e frikësuar se, më shumë sesa shqiptarët, nga reforma mund të përfitojë Edi Rama. Prandaj bën lojën e dyfishtë: ndryshe i flet Lusë dhe Vlahutinit e krejt ndryshe vepron në praktikë.
Po të njëjtën gjë bën edhe Ilir Meta. Ai në gjuhë është më i vendosur sesa Basha, por e ka mbështetur të gjithë strategjinë antireformë tek shpresa se atë nuk e do PD-ja. Pavarësisht se ç’thotë kur është përballë ambasadorëve, ai nuk ka lënë rast, herë duke futur Spartak Brahon dhe herë duke nxjerrë Ylli Manjanin, për të shprehur rezervat e tij.
Nga dy të parët, Edi Rama ka një fjalor më të qartë pro ligjërimit të ndërkombëtarëve. Por nga ana tjetër ai e di se nëse Shqipëria do të ketë një byro hetimore dhe gjykata speciale për dënimin e korrupsionit, gjysma e kabinetit të tij nuk do të ishin në tavolinën ovale të qeverisë, por pas hekurave të qelisë. Ndaj ai ka vënë një bast: do të flasë deri në fund pro reformës me shpresën dhe besimin se koalicioni i fshehtë PD- LSI , nuk do ta lejojë kurrë të miratohet.
Në kurthin e kësaj loje me tre gënjeshtarë kanë rënë ambasadorët perendimorë. Dhe absurditetin më të madh të tyre dhe të specialistëve që kanë nga pas, shqiptarët e panë me një nga pikat e famshme të nenit 25, atë ku anuloheshin krimet e ministrave të mëparshëm.
Ende ndërkombëtarët nuk kanë dhënë një shpjegim se pse e futën këtë pikë në draft. Për të garantuar ish ministrat e Berishës? Për të garantuar Ilir Metën dhe vartësit e tij për ato që bënë në qeverinë e shkuar?
Kjo ende nuk dihet.
Por ajo që dihet është se Lulzim Basha i nxorri zbuluar duke thënë se ky nuk qe një nen që e kishte negociuar ai. Rama, i trembur nga kritikat e krahut të tij radikal, që nuk e toleronte dot amnistimin e ish ministrave të Berishës, deklaroi se ky nen nuk do të kalonte. Madje shtoi se edhe miqtë ndërkombëtarë nuk janë të pagabueshëm.
Kështu kopili mbeti në derën e të gabueshmëve Lu, Vlahutin dhe vartësve të tyre, të cilët ende nuk dinë të shpjegojnë se si u fut në draftin përfundimtar të reformës ky nen absurd.
Për të ka vetëm një shpjegim të arsyeshëm. Ai është çmimi që po paguajnë diplomatët në cirkun e stërmundimshëm për të bindur politikanët gënjeshtarë lokalë.
Pikërisht odiseja e këtij neni përbën një minihistori të asaj që po ndodh me krejt reformën në drejtësi. Të gjendur përballë pafytyrësisë dhe gjuhës së dyfishtë të drejtuesve të partive tona, ambasadorët janë detyruar të hyjnë në lojrat meskine të politikës, herë të negociojnë dhe herë të shantazhojnë. Herë të lëshojnë koncesione të pabëshme dhe herë të tregojnë dhëmbët.
Kjo taktikë e re ka dy risqe.
E para ajo mund të nxjerrë një dokument final të reformës që do të jetë fryt i pazareve dhe jo produkt i parimeve.
Risku i dytë është se ky proces, ashtu sikurse po tregon, mund t’i shndërrojë në joseriozë përfaqësuesit më të rëndësishëm të perëndimit në Shqipëri.
Duke i futur në lojën vendase të baltës, ai mund t’i baltosë edhe ata. Duke i involvuar në negocimin mes tre palëve mashtruese, ai mund të zbehë edhe peshën e tyre në sy të publikut.
Dhe kjo pasi me Lu dhe Vlahutin po ndodh diçka e veçantë. Roli i tyre në Shqipëri është shumë më i ndryshëm sesa ai i paraardhësve. Këta të dytët gjithnjë kanë pasur si mision qëndrimin mbi palët. Kanë bërë gjykatësin nëse një aksion i qeverisë ka qenë i drejtë apo jo, nëse një ligj ka qenë i duhuri apo jo, nëse një palë zgjedhje janë vjedhur apo jo. Kështu që nga Rajersoni e deri tek Limprehti, që nga Mariza Lino deri tek Sekui, kanë pasur fatin e madh të mos jenë pjesë e lojës, por ta shohin atë nga kolltuku i një arbitri tenisi.
Ndërsa reforma në drejtësi e ndryshoi misionin e Lu dhe Vlahutin. Ata nuk kanë detyrë vetëm të gjykojnë nga lart, ata kanë zbritur në fushë, pasi duan të imponojnë një produkt krejtësisht të tyrin.
Pikërisht ky transformim, nga arbitër në lojtarë, i ka bërë atë më vulnerabël. Pikërisht ky ndryshim statusi i ka bërë ata më të mashtrueshëm, më të pafuqishëm, më të pambrojtur në sytë e publikut nga intrigat dhe lojrat meskine të politikanëve tanë bizantinë.
Ndaj dhe halli real i tyre nuk janë kritikat se po shkelin sovranitetin. Se po tregohen brutalë.
Problemi i Lu dhe Vlahutin nuk është se po hyjnë si kaubojsë në dyert e selive qëndrore të partive, por se po i përcjellin prej tyre me nga një “PO” qesharake, që në fakt nuk shërben për asgjë. /