Ambasadori i Shqipërisë në Kosovë, Petrit Malaj pritet nga Presidentja Osmani. Dorëzon letrat kredenciale
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani pranoi letrat kredenciale nga ambasadori i ri i Shqipërisë, Petrit Malaj, të cilin e uroi për detyrën dhe shfaqi shpresën se gjatë mandatit të tij do të intensifikohen edhe më tej marrëdhëniet bilaterale në mes të dy shteteve simotra.
Sipas Presidentes Osmani, bashkëpunimi ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë, sidomos në unifikimin e politikës së jashtme mbetet prioritet. “Fuqizimi i vazhdueshëm i koordinimit diplomatik është interes jo vetëm i shteteve tona, por edhe i rajonit në tërësi”, ka theksuar Presidentja Osmani.
Në takim me ambasadorin Malaj, tha se Kosova pret që Shqipëria të jetë zë i Kosovës në mekanizmat dhe organizatat ndërkombëtare në të cilat aktualisht shteti ynë nuk ka përfaqësim. Presidentja Osmani ndër të tjera e njoftoi ambasadorin Malaj edhe për zhvillimet e fundit në vend, si dhe mbi aktin e agresionit të Serbisë kundër Republikës së Kosovës, me ç’rast, Presidentja Osmani potencoi rëndësinë e adresimit të përgjegjësisë të Serbia dhe aplikimit të masave ndëshkuese ndaj saj.
Të dy bashkëbiseduesit u pajtuan për thellimin e bashkëpunimit në fusha të ndryshme të interesit të dyanshëm dhe shtruan nevojën e zbatimit të marrëveshjeve ndërshtetërore të arritura deri tash.