Ambasadori serb:Ndeshjen e fitojmë ne

 

Nga Ben Andoni.

Mjafton një incident i vogël, dikush të hedhë një gjë në fushë apo kushdo që do mund të shpikë diçka e të prishë mjedisin e bukur, që shpresohet se do të afrojë ndeshja mes Shqipërisë dhe Serbisë në futboll, e gjithçka të kthehet në pikën zero. Në këtë logjikë, Miroljub Zariç është pak i tërhequr dhe shqetësues me  deklaratat e tifozëve kuq-e-zi, por në thelb beson dhe shpreson se gjërat do të shkojnë mirë. Ka përgjigje për të gjitha dhe e quan të gjithë fryrjen që po i bëhet ndeshjen, thjesht prej mediave të dy vendeve. Në këtë rast të përmend punën e kuzhinierit serb, që thjesht do vijë për të ndihmuar kuzhinierët shqiptarë për ekipin e tij dhe të kujton abuzimin që është bërë në median serbe me praninë e tij këtu. Njohja e gjuhës shqipe e bën që të jetë fleksibël me lajmin dhe me kontaktin me njerëzit. Në përgjithësi, ambasadori serb në Tiranë është disi i qetë para ndeshjes “por me kujdesin e vazhdueshëm ndaj mbarëvajtjes së delegacionit të vendit të tij, që do jetë afër 170 veta. Priten dy ministra të qeverisë serbe, ende s’është konfirmuar kryeministri kurse shqetësimi më i madh i tij mbeten studentët serbë, që do qëndrojnë te kolegët e tyre shqiptarë”. Njësoj, pak orë më parë, trajneri i ekipit përfaqësues serb Radovan Curçiç mendon se ndeshja Shqipëri-Serbi nuk do të sjell incidente në Elbasan Arena. Curiçiç, ka thënë se Shqipëria di të organizojë shumë mirë një ndeshje dhe beson se në Elbasan Arena nuk do të ndodh asgjë tjetër jashtë fushës.

Swiss Digital Desktop Reklama

Në ditët e fundit z. Zariç ka qenë një mik i përhershëm i Federatës sonë me të cilën ka diskutuar deri në detaje për ndeshjen. “Më kanë siguruar për të gjitha detajet por profesionalizmi i tyre më ka bërë që të kemi besim të plotë tek Federata Shqiptare e Futbollit dhe masat që ajo ka marrë. Por, nga ana tjetër, ne e njohim mirë dhe e vlerësojmë mikpritjen shqiptare dhe vlerat e saj janë pjesë e mentalitetit tonë të përbashkët ballkanik”.

Swiss Digital Mobile Reklama

E megjithatë e kujtojmë sërish se media e tyre, por nga ana tjetër dhe ajo jona ka qenë shumë e ndikuar për të krijuar tensione. E pyesim sa ka ndikuar kjo në kampin serb dhe si e përjetojnë këtë gjendje kaq të ndezur në të dy vendet. Përgjigjja është e thjeshtë, por brenda ruan tensionin e mirëkuptueshëm: “Besoj se ndeshja do të kalojë në një atmosferë shumë të përzemërt. Shqetësimi im i vetëm është ajo që ka lidhje me deklaratat e reagimin e tifozëve kuq-e-zi, të cilët me qëndrimin e tyre nuk janë ashtu si mendojmë ne sa i përket sportivitetit shqiptar në përgjithësi dhe vetë qëndrimeve të Federatës së Futbollit Shqiptar në veçanti”. Pyetjes sa i përket qëndrimit por edhe vlerësimit në Serbi të ndeshjes, z.Zariç na e thotë se: në Serbi kanë punuar shumë, por kujdesi më i madh është sa i përket anës sportive dhe asaj etike. Kjo shkon edhe me deklaratat e fundit të trainerit Curçiç, që shprehet se: “Para nesh janë dy ndeshje të fundit në këtë cikël, me shumë rëndësi, edhe pse nuk kemi shanse për kualifikim në Kampionatin Evropian. Loja në Shqipëri është më e vështira, jemi të vetëdijshëm për rëndësinë e kësaj ndeshje dhe jam i sigurt se lojtarët do të japin çdo gjë nga vetja dhe do të jenë ambasador të vërtetë të Serbisë”.

Sipas fjalëve të tij, shqiptarët kanë një stimë të madhe pasi fitorja e tyre kundër serbëve do t’ua hapte për herë të parë rrugën për në Francë, kurse vazhdon të pohojë se është i bindur dhe me këtë rast shpreh dhe mendimin e të gjithë bashkëpunëtorëve të vet se ndeshja do të përfundojë pa ndonjë incident dhe fati i takimit do të vendoset me lojën profesionale që do të bëhet brenda 90 minutave të ndeshjes.

Shqetësimi mbetet ardhja e kryeministrit Aleksandër Vuçiç, me anë të së cilës, do tregohet një pasqyrë tjetër e ndeshjes. Ardhja e tij do të vendoset vetëm në çastet e fundit. Sa i përket qëndrimeve të tifozëve ultrasë shqiptarë kundër ardhjes së kryeministrit serb dhe sidomos të 70 studentëve serbë atij i vjen keq dhe shprehet se: “ Deklarata e tyre nuk përmbush punën e madhe që kemi bërë me autoritetet e Federatës shqiptare sa i përket edhe qëndrimeve tona të përbashkëta që lidhen me ardhjen e studentëve nga Beogradi dhe ardhjen e kryeministrit Vuçiç”.

Ndërkohë që studentët serbë ka të ngjarë të shoqërohen nga dy ministra serbë të qeverisë së tanishme të z.Vuçiç, por nga ana tjetër edhe nga masa të mëdha sigurie, pas deklarimeve të tifozëve që janë shprehur kundër ardhjes së tifozëve serbë në Shqipëri.

“Theksoj se nuk janë tifozë, por studentë dhe kanë dëshirën e vetme të marrin pjesë në një ndeshje dhe të takojnë kolegë të tyre shqiptarë dhe të ndajnë si të gjithë të rinjtë momente të bukura me ta dhe të kënaqen së bashku në një qytet që s’e njohin, por për gjuhën e të cilit mësojnë. Shumë prej tyre do jenë studentë të katedrës shqipe në Beograd”.

Duhet që shumë nga ju të kuptojnë më së miri që kjo ndeshje s’është luftë por është thjesht një ndeshje futbolli që për Ju do të thoshte shkuarje në Francë, kurse për ne vlen që të rikthehemi sërish në nivelet e larta ku kemi qenë gjithmonë, cilëson.

“Dëshirojmë të jetë një ndeshje e qetë dhe e bukur futbolli.  Do dëshironim që kjo ndeshje të ishte një festë e vërtetë përpara dhe pas saj dhe jo të ishte një betejë, si duan ta kthejnë disa të papërgjegjshëm. Ndërsa sa i përket rezultatit t’i takonte ekipit më të mirë”.

Shkëlqesia e tij z.Miroljub Zariç është një nga njohësit më të mirë të vendit tonë dhe nga diplomatët më të vjetër të Trupit Diplomatik në Shqipëri. Ai shquhet për njohjet e gjëra por edhe punën e madhe që ka bërë për marrëdhëniet që ka krijuar në favor të Ambasadës së vet. Kjo e bën që të jetë i kursyer por edhe i drejtpërdrejtë: “Si Ambasadori i Republikës së Serbisë në Tiranë besoj se do të fitojë Serbia, por kushdo që të fitojë, duam të fitojë futbolli i mirë dhe tifozeria e dalluar…Dhe besojmë se serbët dhe shqiptarët dinë të krijojnë marrëdhënie të mirë dhe sport cilësor”, përfundon.

(marre nga javanews)

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

A ka forcë Berisha të rrëzojë kryeministrin Rama, edhe pas skandalëve të fundit?