Ambasadori shqiptar në OSBE: Shqipëria dhe Suedia gati për të ndërmjetësuar krizën në Bjellorusi, hapi i parë…

Ambasadori shqiptar në Vjenë dhe presidenti i Këshillit të Përhershëm të OSBE-së, Igli Hasani shprehu gatishmërinë e Shqipërisë dhe Suedisë, që do të marrë presidencën e rradhës së OSBE-së, për një vizitë ndërmjetësimi në Minsk, gjatë një interviste me median e njohur italiane ”TPI”.

Mosarritja e rinovimit të postit të sekretarit të përgjithshëm e ka lënë organizatën me një zbrazëti të konsiderueshme, në një moment të rëndësishëm. Cilat janë efektet?

Fakti që nuk ka qenë e mundur që të rinovohen me konsensus pozitat më të rëndësishme në OSBE është, ndoshta, shenja e vështirësive më të mëdha që diplomacia shumëpalëshe ka përjetuar vitet e fundit. Sidoqoftë, është pikërisht detyra e presidencës, këtë vit në duart e Shqipërisë, që të sigurojë udhëheqjen politike të OSBE-së, veçanërisht në këto situata të vështira.

Shkurtimisht, cilat janë cilësitë unike të OSBE-së, që e bëjnë atë të përshtatshme për të marrë rolin e nxitësit të dialogut në Bjellorusi?

Parandalimi dhe zgjidhja e konflikteve është arsye e ekzistencës e OSBE-së. Këtu rregulli i konsensusit, që, nga njëra anë, e bën të vështirë marrjen e vendimeve, dëshmon se është një pikë e fortë: duke qenë në gjendje të ndërhyjnë me të drejtën e vetos në çdo kohë, disa qeveri kanë besim më të madh në ndërmarrjen e ndërmjetësimeve të lehtësuara ose të proceseve të pajtimit kombëtar nga OSBE-ja, në krahasim me organizatat e tjera. Gjithashtu, OSBE-ja ka një përvojë të madhe në ndërmjetësim dhe fleksibilitet të gjerë në mjetet që mund të vendosë, nga dërgimi i përfaqësuesve specialë, deri në nisjen e misioneve në terren, madje edhe brenda një kohë shumë të shkurtër.

Tani për tani, në Bjellorusi nuk flitet për konflikte dhe ende nuk ka palë të qarta të përfshira. Cilat janë sistemet që përdoren, në përgjithësi, për të promovuar dialogun në situata të ngjashme?

Hapi i parë duhet të jetë krijimi i kontakteve me qeverinë dhe palët. Pastaj, identifikimi i të gjithë aktorëve në një proces pajtimi është thelbësor, për të shmangur fillimin e një procesi që përjashton një palë. Suksesi shpesh përcaktohet nga përfshirja e duhur e një ndërmjetësimi, që e legjitimon atë. Partnerët ndërkombëtarë mund të lehtësojnë këto procese, shpesh duke identifikuar një diplomat me përvojë për të shoqëruar dialogun. OSBE-ja ka strukturën dhe përvojën për këtë. E gjithë kjo, nën supozimin e një ndalese të menjëhershme të abuzimeve të të drejtave të njeriut dhe lirimin e të burgosurve politikë. Është e rëndësishme të shmanget tundimi për të detyruar modele të parapaketuara: secili vend duhet të gjejë mënyrën e vet, në mënyrë të pavarur dhe populli bjellorus duhet ta përcaktojë vetë të ardhmen e tij. Partnerët ndërkombëtarë, siç është OSBE-ja, mund të lehtësojnë dhe shoqërojnë një proces pajtimi kombëtar dhe të inkurajojnë respektimin e detyrimeve të tyre, veçanërisht në fushën e të drejtave themelore.

Shqiptarët e dinë shumë mirë se cila është pasiguria e krijuar nga fundi i një cikli, por edhe sesa e rëndësishme është krenaria e një kombi, që nuk dëshiron të ndihet si komisioner. Suedezët, nga ana tjetër, janë historikisht në pararojë të respektimit të të drejtave të njeriut dhe lirisë së shprehjes. A është larmia e këtij tandemi një forcë?

Në Shqipëri, ne përfituam nga lehtësimi i OSBE-së për të shoqëruar proceset e reformës dhe dialogun politik, prandaj e dimë mirë sesa e vlefshme mund të jetë ndihma e komunitetit ndërkombëtar në momente politikisht të ndjeshme. Tandemi me Suedinë është veçanërisht me fat dhe është shpresa jonë që përvoja e diplomacisë shqiptare dhe suedeze të mund të jenë bashkëplotësuese.

Edi Rama dhe Ann Linde dërguan një letër të përbashkët në Minsk duke kërkuar këshillime. Cilat janë hapat e ardhshëm në këtë proces?

Shpresa jonë, për të cilën po punojmë shumë, është që oferta jonë e sinqertë e ndihmës drejt një dialogu kombëtar të mund të pranohet. Idealisht, hapi i parë do të ishte një vizitë e përbashkët e ministrave në Minsk, e cila padyshim që duhet të përgatitet me kujdes.

SHKARKO APP