Amnistia Penale, Bardhi: PS hoqi dy ndalesat e draftit fillestar për zyrtarët e dënuar nga SPAK
Kreu i grupit parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi ka folur për projektligjin e Amnistisë Penale, për të cilin duhen 84 vota dhe PS-ja nuk i ka. Duke iu përgjigjur Ministrit të Drejtësisë Ulsi Manja, që sot e akuzoi gënjeshtar kur deklaroi se amnistia synon të amnistojë zyrtarët e korruptuar, Bardhi tha se grupi parlamentar i PS-së ka hequr dy ndalesat e ligjit për zyrtarët e dënuar nga hetimet e SPAK-ut.
”Manja e ka nga eksperienca, që po gënjeve një herë dy herë dhe tre herë, kthehet në karakteriale. Me sa duket ministri Manja e ka karakteriale. E kuptoj sikletin ku ndodhet. Ka marrë përsipër një propozim të Ramës dhe përfiton nga fakti që njerëzit nuk i hyjnë në detaje ligjit të amnistisë.
Drafti ka patur atë që ka qenë gjithmonë në amnistitë penale, që zyrtarët dhe subjektet pjesë e hetimeve dhe gjykimeve nga SPAK dhe GJKO, nuk përfitojnë amnisti. U keqpërdor një amendament i një kolegu ynë, për 24 orë ngatërruan dynjajë duke e shitur si amendament të opozitës. Kur gënjeshtra i doli sheshit, tani na akuzkojnë se gënjyem ne.
Dy ndalesat e draftit fillestar janë hequr. Nuk ka asnjë arsye të gënjejmë për këtë. Kemi thënë se në parim e mbështesim amnistinë, nëse Kuvendi do të funksiononte në një normalitet, do ta votonim. Sot kam dëgjuar një shpjegim të zotit Basha pse nuk do ta votojë amnistinë dhe qëndrimi i tij mu duk korrekt. Edhe zoti Basha ka mbajtur qëndrimin që nuk duhen aministuar zyrtarët e korruptuar”,-tha Bardhi në “Të Paekspozuarit” në MCN TV.