Analiza/ “Allahile a thue shefi është idhnue sot që nuk na ka sha”, Gjekmarkaj: Pse Rama më kujtoi Musolinin

AGRON GJEKMARKAJ 

Dje, Parlamenti i Shqipërisë, ashtu i përçudnuar siç është, plot vragë e shëmti, i marrë peng dhe krejtësisht nën trysninë e një personi të vetëm shndërroi në ligj ëndrrën e vjetër të Kryeministrit Rama. Prej vitesh, mideja i kruhej nga hakmarrja ndaj gazetarëve, që “nxijnë” realitetin e qeverisjes së tij. Ua kishte bërë benë! Pasi i shau dhe shpifi mbi ta duke i quajtur “kadrinj” e “kazan”, vendosi të mbrohet nga “shpifja” e tyre. Ligji që promovon censurën dhe autocensurën u bë realitet. Në fakt, ai votim qe një akt turpi pas 30 vitesh liri shprehjeje. Tek ata që e bënë, ajo ndjesi ka vdekur. Jo vetëm tek ata, po kudo në mbarë politikën shqiptare, mbretëron robëria mendore e shpirtërore. Për të ruajtur privilegjet, për t’u rizgjedhur deputetë, majmunizohen, qajnë, qeshin, vrapojnë, rënkojnë e sa të duash fjalë të tjera me rimë.

“Rilindësit” në Kuvend, pasi e thirrën Skënderbe, mund t’i lëpijnë gomat e makinës Kryeministrit dhe t’i thonë “ah, çfarë shijeje të mirë që kishin të uruarat”! Deputetët aktualë, nën këtë makth, frikacakë siç janë shfaqur këto vite, të vënë në shtrungë nga Lideri me ego sundimi, janë po aq të rrezikshëm sa ai. Ata s’kanë asnjë marrëdhënie me lirinë. As nuk u duhet. Ajo u shkakton trazime në stomak e dhimbje krejet, të vjella e hutim. Të kujtojnë një thënie të At Gjon Shllakut, i cili për pak sa nuk u arrestua nga Mustafa Kruja si pro komunist, kur i pat thënë në zyrë se fshatari në Myzeqe është nënshtruar kaq shumë nga feudalizmi sa thotë “allahile a thue me asht idhnue beu sot se nuk më ka rrah hala”! Shllaku u pushkatua nga komunistët, por mentaliteti mbeti dhe u harlis nën diktaturën e proletariatit.

Nuk është çudi të dëgjojmë nga deputetë në PS të thonë “allahile, a thue asht idhnue Rama sot, se hala s’më ka dhunue e as sha”! Ky është fenomen i vjetër në këtë truall. Vetëposhtërimi para kryetarëve na ka çuar në këtë fund. Qeshin kur kryetari u thotë që nuk vleni sa një lavatriçe, por nxehen, bëhen kuq si shalqiri, kur ua kujton një qytetar i lirë. Dje qe një ditë faji e turpi, qe dita e uzurpimit. Pas asaj që ndodhi, votimi i një ligji që bën të detyrueshëm “Kurbanin” për lexim është çështje momenti.

Fjalimi i shefit të ekzekutivit ishte një sfidë për kriteret e etikës demokratike, për vetë natyrën e saj. M’u kujtua tek e ndiqja, sjellja e Benito Mussolini-t pas vrasjes së Matteotit, pikërisht më 3 janar 1925, ku mori përgjegjësi morale e politike për aktin dhe drejtoi Italinë kah diktatura fashiste. Duçja nuk e fshihte përbuzjen për demokracinë dhe e deklaronte hapur. Në këtë pikë ishte i sinqertë. Personalisht nuk i kam besuar shumë prej krahasimeve që i adresoheshin Edi Ramës duke i vënë përballë Putinin apo Erdoganin. Më dukej më i pazoti se ata, pak fëmijë i llastuar e shumë narcis, gjysmë i lexuar, një farë oratori e publicisti, një çerek artisti e qyfyrexhiu që kërkonte zulmë e lëvdime, sidomos nga gratë, teksa nxehej me burrat kur tekat nuk i merreshin për maksima, shijet për doktrina, idetë për ligje, urdhrat për rrufe dhe rrëmuja mendore për rend solid të logjikës.

Por, gabim e paskam pasur këtë përkëdheli të brendshme, teksa nuk mendoja si të tjerët, që arsyetimi i çonte te derivaja e tij totalitare, pasi kontrollon gjithë pushtetin, ekonominë, drejtësinë, tani edhe mediat, qarku mbyllet. Dje, në Parlament ai testoi shqiptarët si kandidat për diktator me retorikë plot kërcënime e shumë të pavërteta në një sallë “gri shurdhmemecësh”, siç e pat quajtur Musolini atë 3 janar 1925 Parlamentin italian!

Dje, gazetarët e analistët nuk patën mundësi të merren me viktimat e Thumanës, i cili gjithnjë e më tepër po përvijohet si një krim i paralajmëruar dhe jo fatkeqësi natyrore. Kjo e fundit thjesht e certifikoi. Gjithnjë e më shumë të futur në këtë qerthull, gazetarët do të përballen me mbrojtjen e vetes sesa me informimin, me skandalet, vjedhjet, abuzimet me votën.

Po dje, një ish-deputet i opozitës, Ervin Salianji, u dënua me 1 vit burg. E, për çfarë? Se publikoi një video ku përfshihej vëllai i ish-ministrit Xhafaj, video të cilën askush nuk arriti ta vërtetonte sa e vërtetë qe, por, ama, mesazhi u dha, burg për ish-deputetin e opozitës. Tahiri që kanabizoi republikën dhe alarmoi kontinentin me shërbim prove. O temporal, o mores!

Ky ligj kryesisht nuk synon të eliminojë shpifjen, por të nxisë frikën dhe sidomos të pengojë rrotacionin politik në vend. Lulzim Basha, në një takim me gazetarë e analistë, tha që sapo opozita të vijë në pushtet, do ta zhbëjë këtë ligj, por Basha duhet të kuptojë që kambanat mbi të gjitha po bien për opozitën, që të pengohet në rrugën e saj të pushtetit. Të dëbuar nga procesi i integrimit europian, tani Ramës i intereson vetëm pushteti dhe jo më forma e regjimit në Shqipëri.

Dje, ai dha prova që demokracinë është gati ta sakrifikojë. Nëse opozita nuk do të bëhet garniturë dhe fasadë, mbi të gjitha nëse nuk do të shkrihet, ajo ka vetëm një mundësi, që të mbajë gjallë veten dhe shpresat e qytetarëve. Ajo, një sjelljeje jo demokratike nuk mund t’i përgjigjet me lojë demokratike. Protesta është rruga e vetme e saj. Nëse ajo bëri mirë që nuk i çoi shqiptarët në konflikt civil më 30 qershor, ka detyrimin ta shmangë prapë atë nëpërmjet forcës së protestës. Krahas saj, përpunimi i brendshëm i imazhit, bashkimi, hapja, elitizmi, ndërtimi i modelit të pangjashëm me Edi Ramën dhe ‘Rilindjen’ e tij janë gjithsesi jetike për të ardhmen e saj. Nëse Basha nuk bën këtë, gënjen veten dhe të gjithë ata që besojnë te ndryshimi. Nëse nuk i udhëheq njerëzit në rezistencë, pa kthim, i pakompleksuar nga ambasadorët, pa i shpallur ata armiq, i bie që de fakto e ka pranuar neodiktaturën. Njerëzit po presin se çfarë do të bëjë opozita.

/ Panorama

SHKARKO APP