Analiza – Ja çfarë ndodh në Kavajë nëse Kushtetuesja konfirmon KQZ për Rroshin

Viti politik 2017 nisi aty ku përfundoi 2016-ta, me ankimimet në gjykatë nga dy ish-deputetët, Shkëlqim Selami dhe Dashamir Tahiri, mandati i të cilëve u ndërpre nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve me kërkesë të prokurorisë së përgjithshme, në mbledhjen e 29 dhjetorit 2016.

Duke marrë shkas nga këto zhvillime, analisti dhe politologu Afrim Krasniqi thotë se ky ishte një hap i paralajmëruar nga ana e tyre, por diskutimi sipas tij mbetej nëse do ankimohej në Gjykatë Kushtetuese apo Administrative.

I ftuar mbrëmjen e djeshme në RTV Ora News, Krasniqi shpjegoi dhe zhvillimet që pritet të ndodhin në Kavajë nëse Kushtetuesja konfirmon vendimin e KQZ-së.

Swiss Digital Desktop Reklama

Sipas tij, dy –ish-ligjvënësit e Vlorës së bashku me kryebashkiakun e Kavajës, Elvis Roshi, tashmë të shkarkuar me vendim të Këshillit të Ministrave kanë ndjekur rrugë paralele, duke krijuar një fazë të ndërmjetme deri sa shqyrtimi i këtyre animimeve të përfundojë plotësisht.

Swiss Digital Mobile Reklama

Krasniqi sqaron se në rast se Gjykata do të shprehet në favor të ish-deputetëve, atëherë procedura e ndjekur nga Prokuroria dhe Komisioni Qendror i Zgjedhjeve bie. Por nëse gjykata lë në fuqi vendimin e KQZ-së, atëherë deputetët do të zëvendësohen sipas listave përkatëse shumëemërore të partive respektive të cilave u përkasin Tahiri dhe Selami. Ndërsa në Kavajë do të zhvillohen zgjedhje të reja, proces ky që do të nisë vetëm pas një vendimi përfundimtar të Gjykatës Kushtetuese, nëse animimi do bëhet pikërisht aty ku edhe avokati i ish-kryebashkiakut, Theodhori Sollaku ka paralajmëruar më herët.

“Ishte e pritshme, ata kishin paralajmëruar që më përpara që do të ndiqnin rrugën ligjore. Praktikisht Kushtetuta u krijon atyre mundësinë që të bëjnë një ankimim, debati ishte nëse do bëhej në Gjykatë Kushtetuese apo Administrative. Palët kanë ndjekur rrugë paralele, deputetët në Administrative, kryetari i Bashkisë së Kavajës në Gjykatë Kushtetuese.

Në bazë të ligjit dhe Kushtetutës është përcaktuar një fazë e ndërmjetme kur Gjykata do të duhet të japë një vendim dhe pas vendimit të Gjykatës mund të ketë një ndryshim tërësisht qëndrimesh. Nëse vendimi i Gjykatës është në favor të tyre, bie tërësisht nisma e ndërmarrë nga prokuroria dhe e miratuar nga KQZ. Nëse vendimi i Gjykatës konfirmon vendimin e KQZ, ndiqen procedurat e parashikuara nga ligji. Deputetët zëvendësohen nga lista, kurse në Kavajë do të duhet të ketë zgjedhje të reja lokale”- shpjegon Krasniqi.

Sakaq analisti e konsideron absurditet dhe kosto të madhe mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme në prag dhe të zgjedhjeve parlamentare.

“Është praktikë normale. Edhe në rastin e Dibrës patëm vendimin në maj për shkarkimin e kryetarit të Bashkisë dhe zgjedhjet u bënë në shtator për shkak se u prit procedura e ankimimit në Gjykatën Kushtetuese.Edhe në këtë rast nëse kryebashkiaku e shfrytëzon hapësirën në Gjykatën Kushtetuese do duhet të presim 15 ditë për të dërguar padinë dhe vendimin e gjykatës pastaj që është i shpejtë. Dhe nëse vendimi është konfirmues automatikisht Kavaja kalon për 30-45 ditë në zgjedhje të parakohshme. Nuk parashikohet ngërç, i vetmi problem është përfaqësimi.

Është absurditet që ne të bëjmë zgjedhje të reja në një bashki kur po në atë bashki ne kemi zgjedhje parlamentare pas dy muajsh.Është kosto shumë e madhe. Shumica e vendeve e kanë zgjidhur me një kompromis, kompromisi është kandidati i cili ka fituar, zëdhënësi i tij e ushtron mandatin deri në përfundim. Ne në mënyrë absurde vazhdojmë ti qëndrojmë besnik një formule klasike të vjetër që është demode, sipas të cilës edhe kryetari i ri që do të zgjidhet nuk fillon mandat nga fillimi si në rajon por plotëson atë të ekzistuesit. Është fushatë me kosto shumë të lartë pa një rezultat për qytetarët. Eshtë më tepër test politik sesa një akt për qytetarët e Kavajës, Bashkinë dhe demokracinë në Kavajë”- shprehet Krasniqi.

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

Kë do të votonit si kandidat për kryebashkiak në Tiranë?