Analiza/ PD nuk shënoi rrjedhje. E majta mblodhi votat e elektoratit gri, të rinjve, si dhe të kandidatëve të pavarur të 2015-ës
“Dibra”,Diferenca mes kandidatëve nuk justifikon votat e hedhura në kuti.
Edhe pse Komisioni Qendror i Zgjedhjeve nuk ka shpallur zyrtarisht rezultatin e zgjedhjeve të pjesshme që u zhvilluan këtë të diel në Bashkinë e Dibrës, shifrat e votimeve tashmë janë bërë publike. Në përfundim të numërimit të 118 kutive të votimit, kandidati i majtë Muharrem Rama rezultoi fitues përballë kandidatit të djathtë Sherefedin Shehu me një diferencë mbi 4167 vota. Por duke bërë një krahasim të shifrave të zgjedhjeve vendore 2015, rezulton se Muharrem Rama ka arritur një rezultat afro 9 herë më të lartë se ish-kryebashkiaku socialist Shukri Xhelili, i cili u shpall fitues në garën e tij përballë kundërshtarit të djathtë Ilir Krosi me një diferencë prej vetëm 439 votash. Duke iu referuar shifrave zyrtare të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve dhe duke i krahasuar ato me rezultatin e së dielës rezulton se, Partia Demokratike dhe koalicioni i djathtë, përtej diferencës së madhe me kandidatin e majtë, rezulton se ka ruajtur të njëjtat shifra si ato të një viti më parë. Kjo pasi kandidati i koalicionit të djathtë në 2015-n Ilir Krosi arriti të merrte 14,588 vota, ndërsa një vit më vonë, Sherefedin Shehu mori gjithsej 14.435, ose 153 vota më pak se Krosi. Sa i përket së majtës ajo pësoi rritje me 3575 vota nga një vit më parë.
Po kush votoi për Muharrem Ramën?
Në kohën kur e djathta nuk rezulton të ketë një rrjedhje kaq të madhe votash sa ç’tregon rezultati i së dielës, ajo që mbetet e paqartë është se si kandidati i majtë Muharrem Rama ia doli të fitonte bindshëm ndaj Shehut me 4167 vota. Dhe për të kuptuar këtë rezultat të Dibrës, përtej akuzave të opozitës për blerje votash dhe intimidim votuesish, i rikthehemi shifrave zyrtare të KQZ-së për zgjedhjet vendore të 2015-ës. Konkretisht, në zgjedhjet e 2015-ës ishin ftuar për në votime 56,322 zgjedhës, nga të cilët vetëm 31,956, ose 57 % e tyre e ushtruan të drejtën e votimit. Ndërkaq, të dielën ishin ftuar në listën e zgjedhësve ishin regjistruar 57.018 votues, nga të cilët vetëm 58 për qind e tyre e ushtruan të drejtën e votës ose 33070 votues morën pjesë në votime. Nisur nga këto shifra rezulton se në zgjedhjet e së dielës ishin regjistruar rreth 1000 votues më shumë se në garën e një viti më parë. Votues këto që ose mund të jenë ashtu siç deklarojnë socialistët, të rinj dhe të reja më shumë. Përtej kësaj, duke iu referuar shifrave paraprake, rezulton se në zgjedhjet e 11 shtatorit kandidati i maxhorancës mori 18 602 vota, ndërkohë që, kandidati i PD arriti të merrte 14.435 vota, me një diferencë prej 4167 votash më pak se rivali i tij. Ndërsa, duke iu referuar shifrave zyrtare të KQZ-së, kandidati i majtë Shukri Xhelili në zgjedhjet e vitit të kaluar mori 15.027 ose 48.10%, ndërsa rivali i tij Ilir Krosi mori 14.588 vota ose 46.70%, ku diferenca mes tyre ishte vetëm 439 vota. Por në garën e 2015-ës, në Dibër kandiduan pesë kandidatë, nga të cilët: kandidati Ilir Bulku mori gjithsej 702 vota si i pavarur; kandidati tjetër për kryebashkiak të Dibrës ishte Dik Spata, i cili arriti të merrte 505 vota; dhe kandidati i fundit ishte Zaim Krosi, i cili mori 373 vota. Në total tre kandidatët e pavarur, morën 1625 vota. Ndërsa fletë të pavlefshme në zgjedhjet e 2015-ës ishin 699 fletë. Dhe duke i mbledhur të gjitha votat e tre kandidatëve të pavarur dhe ato të pavlefshme, kemi gjithsej 2324 votues të cilëve duke i shtuar edhe 1000 votuesit që votuan më shumë në zgjedhjet e së dielës rezulton se kemi të bëjmë me një shifër prej 3324 votuesish që kanë votuar alternativën e majtë. Po ti shtojmë këtyre edhe diferencën prej 153 votuesish që ka regjistruar më pak PD-ja në këto zgjedhje kemi një diferencë rreth 3500 vota më shumë për të majtën. Por ajo që mbetet pa përgjigje, është fakti se ku u morën rreth 700 vota të tjera që përbëjnë dhe diferencën, ende të pazyrtarizuar nga KQZ-ja, prej 4167 votash mes dy kandidatëve. E majta beson se kandidati i saj mori votat e të rinj ose ishin votues që i përkasin elektoratit gri, dhe që socialistët u treguan më bindës për t’i sjellë në votime të dielën. Ndërkaq, edhe përgjatë ditës së djeshme kanë vijuar akuzat e opozitës për blerje dhe manipulim të procesit zgjedhor në Dibër nga mazhoranca qeverisëse.
Të dhënat e dy zgjedhjeve të fundit vendore në Bashkinë e Dibrës
Zgjedhjet e 2016-ës
Zgjedhës në listë 57.018
Pjesëmarrja në votime 58%, ose 33070 votues
Muharem Rama ka marrë 18602 vota ose 56.3%
Kandidati i APPD Sherefedin Shehu ka marrë 14435 vota ose 43.7%
Diferenca në vota mes dy kandidatëve është 4167 vota.
Zgjedhjet e 2015-ës
Zgjedhës në listë 56,322
Pjesëmarrja (numër, %) 31,956 (57 %)
Fletë votimi të gjetura në kuti 31,955
Vota të pa vlefshme 699
Vota të vlefshme 31,240
Fletë votimi të hedhura gabim 16
KOHA JONË SONDAZH

