Analiza/ “Votat e të burgosurve mund të lëvizin një mandat në 2017, mundësi manipulimi”
Përfaqësuesi i Koalicionit të Vëzhguesve Vendorë, Premto Goga u shpreh dje për “Gazeta Shqiptare” se arsyeja pse është kufizuar e drejta e votës për të dënuarit, sipas ligjit të dekriminalizimit mund të jetë “mosmenaxhimi në mënyrë korrekte dhe të drejtë i votës në sistemin penintenciar”.
OPINIONI I PLOTË
Koalicioni është shprehur dhe ka mbajtur qëndrimin e tij lidhur me këtë çështje, që në momentin kur ka qenë draft dhe është miratuar, në dhjetorin e vjetshëm. Pavarësisht se ai është marrë model nga ligji “Severino”, ne kemi vlerësuar që është totalisht e papërshtatshme që kufizimi i këtij ligji të jetë deri te kufizimi i të drejtës së votës sepse së pari, kjo është një e drejtë kushtetuese dhe së dyti, nuk justifikohet në asnjë rast, pavarësisht llojit të veprës që e ka kategorizuar ligji. Mirëpo nga pikëpamja ligjore, kjo është bërë në formë korrekte, pasi është ndryshuar Kushtetuta, është lënë hapësira në Kushtetutë, sepse aty është lënë që mund të kufizohet e drejta për të zgjedhur sipas rregullave të përcaktuara me ligj të miratuar me tri të pestat. Pra, nuk është lënë taksative. Me këtë hapësirë që lihet aty funksionon ligji i dekriminalizimit.
Në fakt, kjo nuk përligjet askund. Jam dakord që justifikohet pjesa e mosmarrjes së përgjegjësisë publike për persona që kanë të kaluar të dyshimtë apo që janë të dënuar për krime të rënda, pa diskutim po, por jo e heqjes së të drejtës së individit për të votuar, kur kjo shprehimisht parashikohet në Kushtetutë, një pikë më lart, në nenin 45, ku thuhet se “përjashtohen nga e drejta e zgjedhjes shtetasit e deklaruar me vendim gjyqësor të formës së prerë si të paaftë mendërisht”. Kjo është frymë që derivon nga Konventa Evropiane e të Drejtave të Njeriut dhe nuk mund të parashikohen kufizime të tjera, për më tepër që nuk e përligj as konteksti, as arsyet politike. Madje, ne kemi shkuar edhe më tej dhe kemi thënë se arsyeja pse u bë kjo ka qenë mosmenaxhimi në mënyrë korrekte dhe të drejtë i votës në sistemin penintenciar. Ne e kemi faktuar e denoncuar pjesën e moskorrektësisë, jo vetëm të administrimit, por sidomos të drejtimit të votës në sistemin penintenciar.
Imagjino një trupë të burgosurish, që mund të jenë diku te 5 mijë e ca, po themi mund të jetë diku te 4 mijë, ata që janë subjekt i këtyre veprave që parashikon ligji, sepse shumë pak përjashtohen nga ata që janë për vepra të tjera, për të cilat ka dënime alternative. Pjesa më e madhe e atyre që janë në burg janë pothuajse që i kap kjo dhe imagjinoni që sistemi, sidomos ky i zgjedhjeve parlamentare shqiptare, dhe me sistemin proporcional rajonal që kemi ne, thjesht një lëvizje e disa votave nga njëri krah në tjetrin mund të lëvizë një mandat. Kështu që forcat politike, tashmë të frikësuara (dhe me këtë rast ishte propozimi i PD-së), nga ky lloj drejtimi vote dhe kjo mundësi manipulimi, pasi të burgosurit mund të lëvizen, ashtu siç ndodhi në vitin 2015 ku një pjesë e tyre, disa burgje mbetën pa votuar fare, madje kishte problem alarmante.
Kjo u anashkalua nga KQZja dhe nga vetë Prokuroria. Pati të burgosur që nuk ndodheshin fare në listat e votimit, as në vendbanimin e tyre, por as në qendrat ku vuanin dënimin. Madje, disa burgje nuk ngritën fare qendra votimi dhe duke pasur parasysh se këto mund të lëviznin nga një burg në tjetrin dhe dihet se në sistemin penintenciar, vota drejtohej kollaj. Kjo nuk duhet kuptuar si një imponim i administratës, por mënyra se si funksionon sistemi penintenciar. Në mjedisin e të burgosurve ka disa nga ata që kanë peshën më të madhe brenda dhe që orientojnë votën brenda të burgosurve.
Kështu që dua të them që mundësia për t’u bërë preh e abuzimit, pavarësisht konteksteve politike më pas është shumë e madhe. Dhe pikërisht një nga arsyet e këtij kufizimi është pikërisht paaftësia për të menaxhuar votën në një sistem penintenciar, që aty duhet të jetë më në kontroll se kurrë, derisa është nën kontrollin e sistemeve shtetërore, nuk e justifikon faktin që nga ky rrezik, ne t’ua heqim fare të burgosurve të drejtën e votës, pasi ky është një precedent që edhe në koncept është shumë i rrezikshëm. Sepse mund të kemi problem për të menaxhuar votën në vende të caktuara, e gjejmë një formë se si ta kufizojmë atë. Edhe në parim nuk qëndron.
KOHA JONË SONDAZH

