Analizë/Rrugët e vdekjes së Rilindjes (VIDEO)
Analizë nga Redjon Shtylla
Rrugët në Shqipëri janë kthyer në një makth. Fatkeqësisht, pas çdo aksidenti tragjik, qeveria rrit gjobat por jo sigurinë. Pse rrugët tona përgjaken çdo ditë? Mungesë sinjalistike, rrethrrotullime të papritura, rrugë pa ndriçim, mbikalime të rrezikshme dhe mbi 64 pika të zeza. Aksidentet rrugore vrasin 5 herë më shumë se krimi. Një shifër e dhënë me zë e figurë nga ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj, teksa e cilësoi 2020 si vitin e sigurisë rrugore. Rruga që lidh Tiranën me Shkodrën; rruga Lezhë-Shkodër, rruga interurbane kryesore Tiranë-Durrës; aksi Thumanë-Milot; ai Tiranë-Elbasan etj, janë disa nga rrugët më problematike. Por le të kthehemi pas në kohë. “Rilindje Shqiptare për ta ndryshuar pasigurinë në rrugët e vendit”. Gjatë fushatës elektorale të 2013, Edi Rama premtonte se me masat që do merrte qeveria në dy vitet e para, do të zvogëlonin me 20% dhe përgjysmonin numrin e vdekjeve. Po ku jemi sot me këto premtime?
Numri i aksidenteve në vitin 2017 krahasuar me vitin 2013, ra vetëm me 4.7%, që është shumë larg premtimit të dhënë. Në 2013 humbën jetën nga aksidentet rrugore 295 qytetarë. Për 2019 numri i aksidenteve kaloi atë të 2013, ku aksidentet arritën një nivel rekord prej 519 viktima. Vetëm në gusht të 2020 u regjistruan 195 aksidente dhe 24 viktima. Strategjia prej 8 vitesh e qeverisë Rama nuk e kanë përmirësuar ende situatën. Një nga rrugët e rrezikshme është nyja integruese në krahun verior të segmentit Kukës-Morinë që lidh qytetin e Kukësit me rrugën e Kombit. Edhe në aksin Burrel-Klos tre urat në rrugën nacionale janë me një sens lëvizjeje dhe kjo shkakton kaos dhe aksidente. Shumë premtime, si rruga e Arbrit ku pas shumë vitesh premtime, punimet vijojnë. Autostrada Tiranë-Elbasan dhe kalvari i gjatë i zvarritjeve, mungesa e sinjalistikës dhe devijimet në rrugë jo pak herë janë kthyer në burim i vazhdueshëm aksidenti, si ai i datës 13 shtator, ky dy vajza të reja humbën tragjikisht jetën.
Eurostat thekson se rrjeti rrugor shqiptar (pa përfshirë autostradat) është më i shkurtri në rajon. Edhe densiteti i rrugëve për km² rezulton të jetë mjaft i ulët, kurse dendësia paraqet një nivel inferior, vetëm 1.4 kilometra për çdo 1000 banorë.
Në përgjithësi sistemi i rrugëve në vendin tonë vuan nga mungesa e financimit të qëndrueshëm të sigurisë rrugore dhe ndërhyrjeve me përparësi. Qeveria mbledh taksa që duhet të përdoren për përmirësimin e sigurisë rrugore por publiku nuk ka informacione. Prej gati 3 vjetësh në Kuvend ka zënë pluhur draftligji i cilësuar si “vrasja rrugore” por as për këtë propozim qeveria nuk ka gjetur kohë. Kjo pasiguri e rrugëve është e njohur edhe nga Europa. Gjermania është skeptike për njohjen e patentave pasi shprehen se duhen masa të tjera për të përmirësuar sigurinë rrugore.
Gjobat dhe aksionet e përditshme të Policisë Rrugore për ekspertët është mbushje e arkës së shtetit. Për uljen e aksidenteve rrugore janë dhënë fonde të konsiderueshme nga OBSH, por nuk ka transparencë. Në Europë, Shqipëria renditet ndër vendet me normat më të larta të aksidenteve fatale. Për ekspertët është koha që të mblidhet komiteti ndërministror për sigurinë rrugore dhe premtimi i Rilindjes për ta ndryshuar pasigurinë në rrugët e vendit nuk u përmbush, pasi ende sot rrugët janë një rrezik i madh për jetën e gjithësecilit prej nesh.