Andi Bushati: Edi Rama nuk rrëzohet shpejt
Nga Andi Bushati – Në një përpjekje për të mbledhur sa më shumë përkrahës në protestën e 16 marsit kreu demokrat Lulzim Basha po krijon një përshtypje të rreme, sikur numërimi mbrapsht për Edi Ramën ka filluar dhe sikur ditët e tij janë të numëruara. Këtë version që është shumë larg të vërtetës e përhapin pak a shumë edhe vartësit e tij duke përkundur idenë se e shtuna e ardhshme do të jetë, ose dita e fundit në pushtet e kryeministrit, ose pika e kthesës, kur ai do të marrë përfundimisht të tatëpjetën.
Në fakt nuk është aspak kështu dhe mbi të gjitha këtë e di mirë edhe vetë Lulzim Basha.
Përndryshe, nëse regjimi oligarkoko-kriminal i rilindjes do të përmbysej, me një, apo dy demostrata, nuk ishte nevoja që opozita të braktiste parlamentin, të digjte mandatet, të panifikonte bojkotin e zgjedhjeve të ardhshme lokale dhe si përfundim daljen krejtësisht nga sistemi.
I gjithë ky përshkallëzim, i cili përbënte, fatkeqësisht, të vetmen rrugë për tu përballur me një bandë që grabit zgjedhjet për të plaçkitur Shqipëinë dhe vjedh vendin për të përlarë votat, ishte përqafimi i një rruge të mundimshme.
Ai u ndërmor, së pari, për t’i ndërgjegjësuar edhe më shqiptarërt se çfarë tip sundimtari po i qeveriste dhe për t’i lënë ata, të vetëm, përballë me portretin e tij, sa brutal dhe aq edhe grotesk.
Ai u ndërmor, njëkohësisht edhe për të futur opozitën në një proces katarsisi, ku vetëskarifikimi dhe radikalizimi do të shërbenin si mjete për të prerë urat me mëkatet e së shkuarës.
Ai u ndërmor edhe për t’a eksportuar krizën shqiptare nga diplomatët e leshtë apo konformistë të Tiranës, tek kancelartitë e tyre në qendër, ku e vetemja autokraci në qerthullin e BE-së zor se do të pranohej.
Të gjitha këto procese kërkojnë një kohë të gjatë precipitimi dhe reflektimi dhe çdo lloj tjetër qasje, për një shembje të shpejtë të Edi Ramës, nuk është asgjë më shumë sesa një gënjeshtër taktike për mitingun e radhës.
Por, përpos kësaj analize praktike për atë që do të ndodhë, ka edhe një problem teorik: a i intereson pjesës më të madhe të shqiptarëve një rrëzim i shpejtë i Edi Ramës? A i leverdis atyre ( përveç katër pesë njerzve që duan t’i zënë karrigen) një rrotacion i beftë, që historia jonë e shkurtër na ka mësuar se nuk pjell kurrë ndryshim? A përbën lehtësim për vendin heqja qafe e këtij njeriu që, me çdo ditë qëndrimi në pushtet, vetëm i bën dëm Shqipërisë?
Sa do kontradiktore që të duket përgjigja është: JO.
Sepse Edi Rama nuk duhet thjeshtë të rrëzohet, ai duhet lënë të degradohet në pushtet.
Sa do e madhe që të jetë kostoja ekonomike dhe njerzore, RILINDJA pas rilindjes duhet të vijë pasi gjithçka të ketë prekur fundin.
Po të shikohet vetëm ky muaj pas djegjes së mandateve, sado që koha është e shkurtër, shenjat e para të degradimit janë tejet të preksheme.
Mjafton të vëzhgosh pasqyrat më të qarta të interesave të oligarkisë në këtë vend, dy TV e mëdha kombëtare, si e kanë çjerë maskën dhe si janë vënë në shërbim të pushtetit.
Mjafton të dëgjosh kryeprokuroren e republikës, të zgjedhur me votat e socialistëve, se si hakërrehet ndaj opozitës dhe mediave.
Mjafton të kqyrësh policinë e shtetit se si iu vërsul fëmijëve dhe grave shtatzëna, tek Petro Nini, me mendësinë se kushdo që proteston në rrugë është armik i partisë.
Mjafton të ndjekësh në parlament deputetët e “opoziës së re’, që nga njëra anë thotë se do të përfaqësojë elektoratin e tradhëtuar nga Basha dhe Kryemadhi dhe nga ana tjetër voton sipas porosive të Edi Ramës.
Të gjitha këto janë sinjale të qarta se imazhi i një vendi normal ka filluar të thërmohet me shpejtësi.
Dhe ky proces duhet lënë të vazhdojë në rrjedhje të lirë. Sepse vetëm kështu, falë këtij radikalizimi, kësaj vije të qartë ndërëse, të gjithë do të kuptojnë se cilët janë në anën e drejtë të barrikadës dhe cilët janë kameleonët që i përshtaten pushtetit të radhës.
Nëse Lulzim Basha e ka me tërë mend slloganin se nuk duhet rrëzuar vetëm Rama, por duhet shembur sistemi që e mban atë në këmbë, kjo nuk mund të bëhet as me një demostradë, as me një puç pallati. Ky është një proces që kërkon kohë. Kohë për t’a lënë telendiset deri në fund ai që kërkoi tu hiqej shqiptarëve si nxënësi i Faik Beut apo i Nolit, por kohë edhe për vetë opozitën, të cilën, dalja e ngadaltë nga sistemi do t’a zhveshë nga lidhjet okulte me ingranazhet e tij (pronarë mediash, oligarkë, banditë që sa më shumë muaj të kalojnë aq më tepër do afrohen me pushtetin).
Në këtë kuptim, sot, armiku më i madh i gjithë kundërshrëve të Ramës, nuk është ai vetë, por tentimi për ta rrëzuar shpejt atë. Paradoksalisht, sa më i gjatë të jetë lëngimi i përbashkët me sëmundjen e tij, aq më të forta do të jenë antikorpet, që nuk do të lejojnë më ringjalljen e kësaj flame.
©Lapsi.al