Andi Bushati: Legalizimi i kanabisit, alibia e panevojshme e Ramës me Këshillimin Kombëtar
Nga Andi Bushati
Edi Rama mund të na e kursente një spektakël tek i cili nuk beson askush. Ai mund të mos na i dërgonte zarfat e Këshillimit Kombëtar poshtë dyerve të shtëpisë (jam dëshmitar që kjo ka ndodhur pasi edhe mua më ka ardhur ndonëse nuk e kam hapur) dhe as nuk e kishte të nevojshme të jepte llogari se afro gjysëm milioni që i qenë përgjigjur. Po ti shohësh me imtësi pikat ku ai bën sikur kemi “biseduar me njëri- tjetrin”, vëren një gjë të thjeshtë: ato të gjitha janë teza që kryeministri i ka hedhur në treg shumë kohë më parë. Amnistia fiskale daton që nga prilli i 2020; ideja për legalizimin e kanabisit, që nga maji i po këtij viti; mini- shengeni, që më pas u transformua në Open Balkan, u nis në Novi Sad me inisiativën e Vuçiçit në tetor 2019; ndërsa përpjekja për të mbajtur nën trysninë permanente të pushtetit gjyqtarët dhe prokurorët daton që në 2015, kur po ngjizej reforma në drejtësi.
Pra është krejt e kotë shpallja e shifrave ku kryeministri shtiret sikur ka marrë 61% miratim për të parën, 66% për të dytën, 59% për të tretën dhe 74% për të katërtën.
Po atëherë, pyetja shtrohet se përse po e bën ai këtë? Përgjigjja është e thjeshtë. Për të imponuar para shqiptarëve dhe mbi të gjitha ndërkombëtarëve idenë se disa dëshirat të tij kanë mbështetje të gjërë popullore.
Për të vërtetuar këtë mjafton edhe një shembull i vetëm. Në kohën kur vendi ishte goditur fort nga tërmeti dhe pandemia, në pranverën e vitit 2020, për të mbushur arkën e boshatisur të shtetit Edi Rama hodhi në treg dy ide: atë të amnistisë për origjinën e parave (që ai preferonte ti etiketonte si të ardhurat e emigrantëve) dhe atë të legalizimit të kanabisit. Sidomos nisma e parë hasi në një rezistencë të fortë nga shtetet partnere, nga BE, Britania dhe nga shërbimet e tyre të fshehta. Frika ishte se me këtë lëvizje Shqipëria mund të kthehej në një parajsë të pastrimit të parave të drogës dhe të krimit. Shumë organizma ndërkombëtarë tashmë e patën mbajtur shënim këtë fenomen. Nisma Globale kundër Krimit të Organizuar Ndërkufitar” (Global Initiative against Transnational Organized Crime) theksonte se gjatë viteve 2017 2019, në ndërtim janë pastruar 1.6 miliardë euro.
Task Forca Financiare (FATF) e MONEYVAL, që është një mekanizëm i përhershëm i Këshillit të Europës theksonte, në shkurt 2020, se ne jemi i vetmi vend europian që hyjmë në “zonën gri” për pastrimin e parave duke u renditur përkrah shteteve të botës së tretë.
Ndërsa në qershorin e vjetshëm, Zëri i Amerikës, ngrinte shqetësimin se sasia e parave të bllokuara nga aktivitetet kriminale në vend ka pësuar një rënie drastike, nga rreth 29 milionë euro në vitin 2016, në 1 milion vitin e kaluar.
Pra nuk ka dyshimë se këtu kemi të bëjmë me një kontadiktë: atë të qeverisë Shqiptare për të mbushur arkën bosh (sidomos tani që po troket në derë edhe kriza energjitike) dhe atë të shteteve partnere që ndonëse e dinë që ne jemi kthyer tashmë në një vend lavatriçe, nuk pranojnë që kjo gjë të sanksionohet edhe me ligj.
Në këtë rast, Edi Rama po e përdor farsën e Këshillimit Kombëtar, për ta pasur si argument në tryezën e bisedimeve me ndërkombëtarët duke thënë se Shqiptarët duan që paratë e emigracionit të mbërinjë në atdhe pa kaluar në një mijë filtra.
Me këtë logjikë është shkuar në pjesën më të madhe të pyetjeve që gjoja u janë shtruar qytetarëve. Askush nuk ka pasur mundësi të kontrollojë numrin e vërtetë të pjesmarrësve, të shohë përgjigjet reale, apo të monitorojë procesin. “Agjensia për dialog dhe bashkëqeverisje”, që ka luajtur rolin e KQZ-së në këtë “referendum” është e populluar me gra dhe burra që e shohin me venderim çdo gjë që Skënderbeu i tyre nxjerr nga goja. Në këtë kuptim, kjo farsë ngjan si dy pika uji me zgjedhjet lokale moniste që Rama zhvilloi në 2019, kur vetë garonte, vetë votonte, vetë numëronte, vetë shpallte rezultatin. Prandaj më shumë sesa një përpjekje për të kuptuar se çfarë mendojnë njerëzit, kjo parodi është një test më shumë, për të na dëshmuar përfytyrimin që kryeministri ynë ka për funksionimin e sistemit demokratik. Ai e ëndërron si një cirk ku popullit i duhet krijuar iluzioni se ka diçka në dorë.
Por, përtej limiteve të botkuptimit të Ramës, pyetja e shtruar në fillim mebetet: pse iu desh atij gjithë kjo shfaqe?
Fatkeqësisht, pothuajse për asgjë. Pasi deri sa shifrat janë të pavërtetueshme dhe të pa kontrollueshme, ato nuk mund të përdoren as si argument propaganiistik. Asnjë shqiptar nuk do ta dojë nesër më shumë “Ballkanin e hapur”, sepse lexoi diku atë shifrën e mbështetjes 59% pro tij. Asnjë partner ndërkombëtar nuk mund të jetë aq sylesh sa të impresionohet nga fakti se ky vend voton në mazhorancë për pastrimin e parave. Për këtë arsye, me “Këshillimin Kombëtar”, ndonëse tentoi ti jepte frymë popullore dëshirave të tij të hershme, Rama prodhoi një alibi të madhe, që nuk do i hyjë në punë as për mashtrime të vogla./Lapsi.al