Andi Bushati: Paradoksi i tre ditëve të para të fushatës
Nga Andi Bushati –
Edi Rama po i nxjerr bllof përkrahësit e tij mediatikë dhe politikë që profetizonin se refuzimi i opozitës për të hyrë në zgjedhje do shënonte dhe fillimin e fundit të saj.
Për një kohë të gjatë e tërë luzma e një fare, që shumohet me shpejtësi në këtë vend, ajo e antiopozitarëve, ka predikuar se mospjesmarrja e pakicës në sfidën e 30 qershorit do e bënte të vështirë rikthimin në sistem, do i mpakte dhe daraviste mbështetësit e saj, do u hiqte atyre pagat dhe favoret e pushtetit lokal, pra, në një finale afatgjatë do i shfaktorizonte dhe zhvlerësonte ata.
Por, duke u nisur nga vëzhgimi i tre ditëve të para të fushatës së kryeministrit, aty vihet re një paradoks. Ai po bën çështë e mundur për të mbajtur në lojë PD dhe LSI, me çdo mjet dhe me çdo çmim.
Po të analizosh fjalimet e hapjes së fushatës në Tiranë, apo ato në Lezhë, Mirditë dhe Kurbin, më shumë se 80% e kohës së tyre i kushtohet opozitës. Pak rëndësi ka nëse shefi i rilindjes i quan dembelë, frikacakë, shkatërrues, pisanjosë, rëmujaxhinj dhe gomerë, ata janë aty, prezentë më shumë se kushdo tjetër në një fushatë ku nuk marrin pjesë.
Të gjithë ata që kanë pritur injorimin e “vetëshkatërruesve që u larguan në drejtim të paditur”, është zhgënjyer.
Të gjithë ata që kanë imagjinuar shpërfilljen e atyre që nuk janë në garë janë shtangur.
Të gjithë ata që kanë pritur kritikën ndaj rivalëve fallco që janë futur në garë, kanë mbetur me gisht në gojë.
Të gjithë ata që kanë besuar në një fushatë normale, ku jepet llogari për katër vitet e shkuara dhe shpalosen projektet për mandatin e ardhshëm, janë turpëruar nga ky naivitet i pashoq.
Sepse më mirë se të gjithë sëbashku, Edi Rama e di se gjendet në një situatë absurde.
Prandaj ai ka dalë këtë qershor me slloganin më të çuditshëm që mund të jetë dëgjuar në një sfidë elektorale: “ne nuk jemi në një betejë pa kundërshtarë, por në një betejë me kundërshtarët e zgjedhjeve”.
Pra, edhe në ditët në vijim, ne rrezikojmë të dëgjojmë, qytet më qytet, të njëjtin refren: ofendimet, fyerjet dhe përgojimet për ata që nuk do të jenë prezent në 30 qershor.
Natyrisht e gjithë kjo sjellje bizare ka arsyen e vet. Ajo vjen sa nga mungesa e bilancit e bilancit në të shkuarën, po aq sa dhe nga pamundësia për të mbijetuar në të ardhmen pa gjysmën e vet të singjajshme.
Por, pavarësisht këtyre, ajo po konfirmon një suprizë: praninë e plotë të opozitës në këtë proces ku ajo po shkëlqen me mungesën e saj. Dhe një rregull i pa shkruar i politikës ka vërtetuar gjithmonë, se sa më e madhe të jetë prezenca, aq më minimale është mundësia e zhdukjes. Pikërisht kjo po ndodh edhe në këtë fushatë, ku i zënë në hall, Edi Rama po përgënjeshtron profecinë e idhtarëve të vet.
Lapsi.al