Andi Bushati: Reforma në drejtësi, kjo gërmadhë që na e shesin si histori suksesi

Nga Andi Bushati – Konflikti i fundit mes presidentit dhe mazhorancës, përpos fakteve të pakundërshtueshme të kapjes së shtetit, po nxjerr në pah edhe një problem shumë më të madh: dështimin total të reformës në drejtësi.

Pavarësisht manipulimeve të Dvoranit, përpjekjeve për të bërë betimet e gjykatësit tek noteri, makinacioneve të gjithë aparatit qeveritar për të tjetërsuar procedurat, pra përveç këtyre mëkateve të përkohëshme, po rezulton se arkitektura e krejt reformës, sa herë vihet në provë, shkërmoqet si një karabina e vjetër pas tërmetit.

Duke lënë mënjëanë se kush ka të drejtë, Meta apo Rama, se cili do ta kapë apo të mbrojë Kushtetuesen, ky konflikt po na dëshmon një mish mash të hartuar nën diktaturën e urgjencës, që më shumë krijon sesa zgjidh probleme.

Le ti marrim me radhë të gjitha rastet që kemi mësuar si pasojë e përplasjes së fundit.

Autoritetet të cilëve kushtetuta u ka lënë tagrin e emërimit të kanidatuarave, pra presidenti apo kuvendi, janë vënë nën trysninë e mospasjes së emrave. Nëse për çdo vend që duhet plotësuar, ligji parashikon që atyre tu çohet një listë me 3 anëtarë gjyqtarë, dhe 3 jo gjyqtarë (pra me 6 persona), të gjithë janë detyruar të përzgjedhin prej një liste të vetme me 3 mundësi. Kjo ka bërë që në fund të procesit, për katër vendet e mbetuara bosh, të kishte gjithsej vetëm 6 kandidatura. Ky fund qesharak procesi, ka reduktuar në mënyrë të turpshme principin e kontrollit mes pushteteve duke i privuar teorikisht edhe kreun e shtetit edhe paralamentin të bëjnë një zgjedhje të drejtë dhe të ndershme.

Por e keqja nuk përfundon këtu, kuvendi ka shkelur rëndë ligjin, kur ka votuar në 11 nëntorin e shkuar dy kandidatet Elsa Toska dhe Fiona Papajorgji. Ndërkohë që përzgjedhja duhej bërë mes së paku tre kandidatëve ajo është bërë mes dy të tillëve duke u shndërruar realisht nga një votim në një emërtesë.

Ka edhe më. Ajo që po diskutohet aq shumë aktualisht, nëse presidenti e humbi afatin 30 ditor, që ligji i përcakton për të përzgjedhur kandidaturën e vet, është e lidhur me të ashtuquajturin “mekanizëm zhbllokues”, që parashikon të mënjanojë pengesat, nëse një autoritet politik do të zvarrisë krijimin e Gjykatës Kushtetuese. Por përplasja e fundit na dëshmoi se megjithëse reforma në drejtësi ka menduar për këtë mekanizëm zhbllokues, askund nuk gjendet e shkruar se si aplikohet ai. Pra kush është institucioni që e vendos nëse kreu i shtetit është në afat, apo e ka tejkaluar atë. Pikërisht nga që kjo “kleçkë” mungon, rilindja u detyrua ti futet kalvarit të manipulimeve duke bërë shkresa të paligjshme pas shkresash, për të botuar emrin e Arta Vorpsit në fletoren zyrtare.

Një tjetër anomali lidhet edhe me radhën aq shumë të përfolur sipas të cilës duhen plotësuar vendet bosh në kushtetuese. Sipas kësaj radhe një herë vendos presidenti, pastaj kuvendi dhe pastaj Gjykata e lartë. Por sot kjo e fundit është inekzistente duke e bërë çorap procesin e përzgjedhjes e duke i lënë secilës palë, të drejtën për të bërë inteprpetimet e veta spekulative.

Pikërisht ky zinxhir anomalish, i dalë në sipërfaqe vetëm prej konfliktit publik mes presidencës dhe shumicës qeverisëse, tregon edhe njëherë se sa herë vihet nën testin e zgjidhjes së problemeve, arkitektura e reformës në drejtësi rrezulton një dështim. Ajo është një ngrehinë e projektuar me shpejtësi, me amatorizëm, si një ekperiment, që edhe nëse e zhvesh nga qëllimet e dyshimta politike, tregon se nuk i rreziston dot përballjes me realitetin.

Prandaj, sado që të na e shesin si një histori suksesi, sado që të na e sheqerosin me serialin e videove të ambasadës amerikane, sado që të na japin shfaqe me testin e poligrafit, askush nuk mund të bindet më për shpëtimin që do të vijë nga kjo gërmadhë ligjore. Madje të parët që e kanë kuptuar këtë janë vetë ata që vazhdojnë ta eksperimentojnë në Shqipëri, por që tashmë kanë marrë vendimin, për të mos testuar si kavie përmes saj edhe fqinjët tanë.

©Lapsi.al

SHKARKO APP