Anëtarësime të reja në Njësinë 8, Veliaj: Jemi partia që ka guxim për të bërë shtet dhe qytet
Drejtuesi politik i PS-së për qarkun e Tiranës, Erion Veliaj i shoqëruar nga deputetja e PS-së, Mimi Kodheli ishin tek Njësia 8 për anëtarësimet e reja në PS, ku shprehu rëndësinë që ka aktivizmi politik për të rinjtë. “Duhet të bëni për dikë tjetër atë që dikush në PS bëri për ju, duke ju ftuar dhe duke ju pranuar në familjen tonë. Nëse secili e bën këtë, ne duhet ta kapim targetin që kemi: që çdo organizatë duhet të shtohet me katër vetë, të paktën dy çuna, dy goca. Kjo do të na japë më shumë energji dhe në njësitë që ka ndodhur, kjo ka dhënë një energji të jashtëzakonshme”, tha ai.
Veliaj u shpreh se falë fuqisë së votës së përkthyer në investime, tashmë edhe një demokrat ka përfituar nga rritja e vlerës së pronës së tij. “Shikoni sjelljen e votave tek Pazari i Ri, për të kuptuar pse të bërit politikë të mirë është mirë edhe për vendin. Te Pazari i Ri ka qenë organizata ku ne nuk kemi fituar kurrë, derisa një demokrat tha: “E protestuam sa e protestuam Pazarin, por mua m’u rrit tre herë vlera e shtëpisë”. Sot Pazari i Ri është bërë një zonë premium për imobiliaret. Pra, edhe kundërshtarët tanë jetojnë në një qytet më të pastër, më të rregullt, ju vlen më shumë katandia që kanë mbledhur gjatë jetës. Unë besoj shumë fort se ky stil, kjo mënyrë përulësie, shërbese, fjalë e mbajtur, halli i qarë dhe hapje, hapje, hapje, si një familje që mezi e pret një lindje të re ose një krushqi të re, janë çelësi i fitores sonë dhe meqë janë çelësi i fitores sonë, duhet ta bëjmë përditë, e përditë, e përditë, ta mbajmë derën e hapur, zemrën e hapur, mendjen e hapur”, deklaroi Veliaj.
Kreu i Bashkisë komentoi edhe protestat e organizuara nga opozita. Teksa e krahasoi me dhunën e ushtruar nga policia më 21 janar 2011, ku mbetën të vrarë katër protestues, Veliaj theksoi PS ka treguar se qeveris me tolerancë dhe me guxim për të bërë shtet. “Disa u bënë socialistë pas asaj që ndodhi në “21 Janar”, kur panë se ai shtet të vriste me plumba në mish. Pas kësaj t’i ke një moment të madh reflektimi dhe vendos me cilën anë je. Shihni në çfarë shoqërie jetojmë sot. E kuptoni se niveli i tolerancës së Partisë Socilaliste, por dhe guximi për të bërë shtet e për të bërë qytet i shërben edhe kundërshtarëve tanë. Edhe ata jetojnë më mirë kur qeveris Partia Socialiste, se janë pjesë e një qyteti, janë pjesë e një komuniteti dhe një lagjeje”, tha ai.