Anëtarësimi në 2030, dilemat e Bashkimit Europian dhe detyrat e Shqipërisë

Deklaratat e Presidentit të Këshillit Europian për një integrim të Ballkanit Perëndimor në 2030 nga njëra anë ka hapur debatet brenda unionit, ndërsa nga ana tjetër ka “zgjuar” shpresat e vendeve të rajonit. Në Shqipëri është lexuar si një “dritë jeshile”, por nuk mungon skepticizmi ndaj premtimeve europiane. Nënkryetarja e Këshillit të Integrimit, Etilda Gjonaj, sheh te zgjedhjet e ardhshme evropiane rrezikun për vonesa.

“Është një afat fundor më shumë i deklaruar sesa i vendosur. Më e rëndësishme është integrimi i popujve dhe ekonomik sesa një deadline. Ky është një proces sa teknik dhe politik. Mos të harrojmë që vitin tjetër BE dhe parlamenti evropian është në zgjedhje që do të thotë mund të ketë një ngadalësim të procesit që lidhet me pjesën e anëtarësimit”, tha Gjosha.

Zyrtarizmi i një date nga Brukseli, do të konkretizonte premtimin, thekson ish-ministrja e integrimit, Klajda Gjosha. “Që data të bëhet konkrete duhet të marrë një miratim të të gjitha vendeve anëtare. Samiti i Berlinit dhe ai i Madridit, do të jenë shumë të rëndësishëm për të thelluar këtë diskutim që do të dëshiroja të dilnin me disa dokumente zyrtare ku të mbahen premtimi dhe gjithçka që do të shkruhet në to”, shtoi Gjosha.

Edhe Gledis Gjipali, drejtor ekzekutiv i Lëvizjes Europiane në Shqipëri, pohon se është koha që BE të jetë më e qartë. “Është një lajm pozitiv, ndonëse fakultativ, pasi nuk është një propozim që vjen institucionalisht nga të gjitha vendet e BE”, deklaroi ai. Nga ana tjetër nuk kemi mbështetjen e të gjitha vendeve anëtare. Teksa institucionet në Bruksel duhet ende të qartësojnë qëndrimet me njëra-tjetrën, sa e gatshme është Shqipëria për të plotësuar kushtet deri në 2030? Gjonaj dhe Gjipali besojnë se vendi ynë mund t’ia dalë.

“Nëse është në 7 vjet, në 5 vjet apo pak më shumë, kjo është një gjë që i takon procesit teknik. Unë besoj për mënyrën se si ka ecur deri tani procesi ne e kemi shumë të mundur të arrijmë 2030”. Deklaroi ish-ministrja. “Besoj se është një periudhë e mjaftueshme për të ndërmarrë reformat apo për të përmbyllura reformat që janë ndërmarrë ndërkohë. Më e rëndësishme është vullneti politik”, tha Gjipali.

Nuk ka të njëjtin mendim ish-ministrja e Integrimit Klajda Gjosha. Ajo kërkon nga qeveria që të ndryshojë qasjen ndaj procesit të integrimit. “Shqipëria nuk është gati. Procesi duhet të ishte i fokusuar në politika kombëtare që përshtaten me politikat e BE. Do të doja të shihja një qeveri shumë të përgjegjshme, të kuptojë që procesi i integrimit nuk është vetëm i saj. Nuk është një burg që mbyllet informacioni brenda disa zyrave të shtetit se në çfarë faze jemi. Informimi me qytetarët është kyç, për të mos shkuar pastaj në dialogun politik”, përfundoi Gjiosha.

Së fundmi edhe Presidenti frances, Emanuel Macron, ka folur mbi nevojën e përshpejtimit të zgjerimit, me kushtin që Unioni të reformohet para se të pranojë anëtarë të rinj në gjirin e vet. /A2cnn/

SHKARKO APP