Anija ”Cassiopeia” drejt Shqipërisë me 49 emigrantë, që do të akomodohen në qendrat pritëse
Pas operacioneve për vlerësimin e kushteve të personave të përgjuar, 49 shtetas të huaj hipën në anijen ”Cassiopea” për t’u transferuar në qendrat në Shqipëri, ku do të nisin procedurat për pritjen, ndalimin dhe vlerësimin e rasteve individuale.
Ministria e Brendshme italiane përshëndeti gjithashtu faktin që 53 persona paraqitën pasaportat e tyre për të shmangur transferimin në Shqipëri.
”Kjo mundëson përshpejtimin e procedurës së identifikimit dhe shqyrtimit të rasteve të tyre duke rritur kështu mundësinë e riatdhesimit të atyre që nuk kanë të drejtë të qëndrojnë” në Bashkimin Evropian”, thuhet në njoftimin për shtyp të ministrisë.
Kryeministrja italiane, Giorgia Meloni nënshkroi një marrëveshje me homologun e saj shqiptar, Edi Rama, në nëntor 2023 për hapjen e dy qendrave në Shqipëri, të menaxhuara nga Roma, për të trajtuar rastet e disa personave të shpëtuar nga Italia në Mesdhe.
Qendrat u bënë funksionale në tetor 2024, por gjyqtarët italianë refuzuan ndalimin e dy grupeve të para të burrave të transferuar atje, të cilët më pas u kthyen në gadishull.
Gjyqtarët kishin përmendur një vendim të fundit të Gjykatës së Drejtësisë së Bashkimit Evropian (GJED), e cila tani duhet të shqyrtojë çështjen, por ndërkohë transferimet ishin ndalur.
Italia ka krijuar një listë të vendeve të ashtuquajtura “të sigurta” dhe kërkesat për azil nga njerëzit nga këto vende trajtohen në mënyrë të përshpejtuar, ku vetëm burrat nga këto vende mund të dërgohen në qendrat shqiptare.
Gjyqtarët që bllokuan transferimin e parë të azilkërkuesve cituan një vendim të GJED-së që thoshte se shtetet anëtare të BE-së mund të përcaktojnë vetëm vende të tëra si të sigurta, jo vetëm pjesë të tyre.
Lista e propozuar fillimisht nga qeveria italiane përfshinte vende, ku disa rajone nuk mund të konsideroheshin të sigurta.
Qeveria e Melonit u përgjigj duke miratuar një ligj që reduktonte listën e vendeve të sigurta në 19 (nga 22), duke siguruar që të gjitha zonat e atyre vendeve të ishin të sigurta./ a.jor.
KOHA JONË SONDAZH

