Deputetja Antoneta Dhima lajmëron shërimin e djalit të saj nga koronavirusi

Deputetja Dhima lajmëron me gëzim se djali i saj u shërua. Ai, në një moshë të re, doli me koronavirus. Ndërkohë Organizata Botërore e Shendetsisë (OBSH) dhe shumë mjekë të njohur kanë paralajmëruar se virusi kap edhe të rinjtë duke i rrezikuar jetën, por duhen marrë masat mbrojtëse siç janë izolimi në shtëpi. Po kështu të rinjtë nga natyra e marrin me humor këtë situatë, duke menduar se e kalojnë sikur është grip i thjeshtë, por kur temperatura vjen e rritet dhe zgjat me shumë se dy ditë, ata duhen të alarmohen dhe të shkojnë te mjeku. Gjatë këtyre javëve ka patur edhe vdekje nga radhët e të rinjve, të cilët nuk kanë shkuar mënjëherë te mjeku apo spitali infektiv që merret me koronavirusin, kur kanë patur dhimbje koke, temperature dhe vështirësi në frymëmarrje.

Nga Antoneta Dhima-

E lumtur dhe e gëzuar që biri im e mposhti armikun e padukshëm, atë armik me të cilin shumë të tjerë po vijojnë betejën.
Falenderimet shkojnë për të gjitha bluzat e bardha, mjekët, infermierët, epidemiologët, imazheristët, laborantët dhe stafet mbështetëse, në Fier, Tiranë e kudo. Jeni ju që luftoni në frontin e parë të kësaj lufte globale, një lufte që me këmbëngulje e forcë ne do ta fitojmë.
Edhe pse nuk zgjodha të jepja lajmin për nisjen e kësaj lufte, jam e ngazëllyer që tani i uroj tim biri shëndet dhe jetë, dhe po i njejti urim shkon për të gjithë Ju, që vazhdoni të kuroheni nga ky virus, që nuk zgjedh, duke na kujtuar se të gjithë jemi të barabartë.
Faleminderit të gjithëve për sakrificën e pamasë që bëni në këtë periudhë të vështirë.
Qofshi të bekur të gjithë Ju që mjeksinë nuk e keni thjesht një profesion, por një mision që ju vendos përditë përballë sfidave, edhe të panjohura.
Faleminder edhe të gjithëve Ju miq dhe mikesha që në këto ditë të vështira më qëndruat pranë me mesazhet e telefonatat Tuaja, duke treguar se miqtë më të mirë, janë ata që nuk të harrojnë në ditë të vështira.
Ne vazhdojmë të qëndrojmë në shtëpi, bëjeni dhe Ju.
Dhe kujtoni, që vetëm bashkë do tja dalim.

SHKARKO APP