Arben Ahmetaj shpallet në kërkim ndërkombëtar

Policia e Shtetit i është përgjigjur me anë të një shkrese Prokurorisë së Posaçme në lidhje me ekzekutimin e masës së sigurisë “arrest në burg” për Arben Ahmetajn.

Pas verifikimeve në sistemin TIMS dhe kontrolleve të banesave, policia i është shprehur SPAK-ut për pamundësinë e ekzekutimit të masës ndaj ish-numrit dy të qeverisë.

Në këto kushte hetuesit e SPAK i kanë nisur kërkesë Interpol Tiranës për ta shpallur në kërkim ndërkombëtar. Ish-zëvendëskryeministri akuzohet nga Prokuroria e Posaçme për korrupsion, pastrim parash dhe fshehje të pasurisë.

Pak ditë më parë, me miratim të Gjykatës së Posaçme, SPAK sekuestroi 4 banesa dhe dy llogari bankare në vlerën e 124 mijë Eurove në emër të Arben Ahmetajt.

Gjithashtu nga kontrolli në disa banesa prokuroria njoftoi se ka sekuestruar dokumente, laptopë e USB të vlefshme për hetimin. Kujtojmë se avokatët e ish-zv/kryeministrit kanë deklaruar se ai ndodhet në Britani.

SHKARKO APP