Ardian Hasalami: Ka ardhur koha për përfaqësues të rinj dhe me integritet në politikë

Intervistoi: Albina Gjergji

Edhe pak javë na ndajnë nga Zgjedhjet Parlamentare 2021. PS, PD, LSI, LËVIZJA PËR NDRYSHIM, BINDJA Demokratike, e të tjera parti politike në vend tashmë i kanë ndezur motorët e tyre zyrtarisht. Një nga kandidadët për deputet, i cili gjithashtu ka nisur fuqishëm fushatën elektorale nën siglën e LSI-së është edhe z. Ardian Hasalami. I lindur në Kukës dhe banues në Paskuqan, z. Hasalami kandidon për Qarkun e Tiranës me nr. 28. I bindur se ka ardhur koha për largimin e Ramës nga pushteti, ai premton se, nëse do të zgjidhet deputet do të jetë një nga zërat më të fuqishëm të Parlamentit. “Mendoj se ka ardhur koha që populli dhe politika të përfaqësohet nga njerëz të rinj, me integritet, të pakorruptuar. Një ndër ta jam unë. Dua te jem nje nga zerat me te fuqishem ne Parlament”, shprehet Hasalami për gazetën “Koha Jonë”. Në intervistën e mëposhtme ai na zbulon edhe pikat më të forta të programit elektoral të Lëvizjes Socialiste për Integrim.

Z.Hasalami si një nga kandidadët për deputet në Zgjedhjet e prillit 2021,emri juaj si përfaqësues i LSI-së është jo pak i lakuar kohët e fundit në Qarkun e Tiranës. Që elektoriati t’u njohë edhe më mirë, mund të na e prezantoni pak më në detaje veten ju lutem?

Quhem Ardian Hasalami i datëlindjes 01 Qershor 1978 në Kalis, Kukës në një familje patriotike, arsimdashëse rrethuar nga përkëdhelitë e gjyshit dhe gjyshes dhe nga kujdesi i prindërve. Në një ambient të mbushur plot me libra. Djali i dy mësuesve dhe biri i Kalisit plot histori. Shkollën fillore dhe 8-vjeçare e kam mbaruar në Geshtej Kalis, Kukës ndërsa shkollen e mesme në Shkollën “Shejnaze Juka”, Shkodër pas një konkursi i zhvilluar për herë të parë për pjesëmarrje në shkollë në sistemin pluralist 1992 -1996. Duke vazhduar Universitetin “Luigj Gurakuqi”, Shkodër Fakulteti i Shkecave Shoqërore Dega Anglistikë me titullin “Mësues dhe Specialist i Gjuhës Angleze” 1997-2001. Me mbarimin e studimeve filloj punë si Mësues i Gjuhës Angleze në Liceun Artistik “Jordan Misja” Tiranë nga viti 2001 – 2002 dhe nga viti 2002-2005 Mësues pranë shkollës 9-vjeçare “Kongresi i Lushnjes” Tiranë. Në Mars 2005 Tetor 2009 koordinator për zhvillim komunitar për “World Vision Albania”, Programi Zonal i Zhvillimit Lezhë suport për projekte: zhvillimi ekonomik, arsim, shëndetësi, mbrojtja e fëmijëve dhe sponsorship. Pas mbylljes së pozicionit në nivel ndërkombëtar aplikoj pranë Fondit “Besa” si analist Kredie, fillimisht në Degën e Tiranës, duke u transferuar në Degën e Kamzës deri në Qershor 2018, pasi në Korrik 2018 emërohem Drejtor Dege në Lushnjë për një periudhë 9 mujore, duke u kthyer sërish në Tiranë. Në vitet 2013-2015 kam përfunduar studimet Master Profesional në Universitetin Bujqesor të Tiranës, duke marrë titullin Menaxher i Agrondërmarrjeve. Jam bashkëshorti i Aurorës dhe babai i dy fëmijëve, Artemisa dhe Sherif. Banoj në Paskuqan dhe kam vendosur që të mos e braktis atë.

Pse keni vendosur t’i hyni garës për deputet?

Mendoj se ka ardhur koha që populli dhe politika të përfaqësohet nga njerëz të rinj, me integritet, të pakorruptuar, njohje të problemeve të atyre që përfaqëson. Një ndër ta jam unë. Gjithnjë kam dashur të jem përfaqësues dhe i gatshëm për të marrë përgjegjësi. Eksperienca më ka mësuar të marrim përgjegjësi pa na e dhënë për zgjidhje të problemeve që shqetësojnë komunitetin ku jetoj. Veten time gjithnjë e kam parë si pjesë përbërëse të këtij komuniteti. Dua të jem një nga zërat më të fuqishëm në Parlament.

Lindur në Kukës, banues në Tiranë. Sa vite keni që jeni përfshirë në politikë?

Përveç angazhimeve në lëvizjet studentore përgjatë kohës që kam ushtruar profesionin e mësuesit nuk jam angazhuar me asnjë forcë polititike.

Po me LSI-në?

Karriera ime politike me LSI-në ka filluar me anëtarësimin tim që në vitin 2005, si dhe  duke u zgjedhur në strukturat drejtuese për Paskuqanin. Pastaj me përfshirjen akoma më shumë në zgjedhjet që pasuan deri me propozimin e strukturave të LS-së Paskuqan dhe me vlerësimin nga ana e Kryesisë së Partisë LSI u emërova si kandidat për Qarkun e Tiranës, me nr. 28.

 

Ambicia juaj në këto zgjedhje si përfaqësues i LSI-së dhe qëllimet specifike që i keni vënë vetes si politikan?

Përfaqësim dinjitoz të të gjithë shtresave të shoqërisë, Paskuqanit në veçanti dhe mësuesve gjithashtu, pasi jam betuar se nëse do të kem mundësi ndonjëherë për të çuar në vend dinjitetin e mësuesve do e bëj me kënaqësinë më të madhe nëpërmjet rritjes së pagave të tyre dhe përmirësimit të kushteve të punës.

Zëri i kujt do jeni në Parlament Z. Hasalami?

Zëri i Shqiptarëve. Zëri i shtresave në nevojë, i bizneseve, i mësuesve, i prindërve, i fëmijëve. Nuk marr përsipër të ndërtoj ura, rruge etj., por marr përsipër, i vetëm dhe bashkë me grupin e LSI-së që, çdo ligj që do të miratohet të ketë bazë sociale, në funksion të nevojave për rruge, shkolla, ambulanca dhe të jetë gjithëpërfshirës.

Pse mendoni se jeni ndryshe nga kandidatët e tjerë,të cilët sa herë ka zgjedhje vetëm premtojnë? Çfarë ju bën ndryshe?

Sepse gjatë gjithë jetës sime nuk kam premtuar gjëra që nuk i bëj, apo që nuk bëhen. Vendosmëria për t’i shkuar deri në fund çdo detyre të marrë përsipër.

Cila mendoni se është pika më e fortë e programit tuaj politik?            

1- Programi i rimbursimit 5% të vlerës së çdo blerje, me përjashtim të shpenzimeve që kryhen në entet publike. Çdo qytetari do t’i kthehet mbrapsht 5% për çdo shpenzim që do të bëjë.

2- Mbështetje për familjet e reja dhe rritje të lindshmërisë. Programi nga “Bebja në bebe”, duke krijuar fondin për çdo fëmijë të lindur që do ti kthehet në momentin që riprodhon vetveten. 1000 USD fond fillestar deri në maturim rreth 25.000 USD.

3- 1% Taksa e së Ardhmes për arsimin për 200 kompanitë më të mëdha.

4- Të masivizojë programin, “Mëso dhe Fito”, duke rritur numrin e shkollave profesionale dhe gjithashtu duke përmirësuar kurrikulën profesionale të tyre, me parimin e gërshëtimit të arsimit profesional me marrjen e dijeve teorike, duke mundësuar që gjatë vitit shkollor nxënësit edhe të mësojnë, por edhe të zhvillojnë praktika pune të paguara në të njëjtën kohë.

5- TVSH 0% për prodhimet bujqësore dhe blegtorale Made in Albania; Pajisja me Kartën e Fermerit, me zbatimin e së cilës bëhet zbritja automatike e pagesës së TVSH-së për imputet bujqësore, (plehra kimik, fidanë, fara, naftë), për rimbursimet dhe subvencionet.

Ne mendimin tim pika me e fortë është “Mëso dhe Fito”. Sigurisht që kemi shumë nevojë për një arsim në funksion të punës dhe jo arsim për të gjetur punë. Tregu i punës ndryshon përditë dhe sigurisht që duhet të jemi në linjë me këto ndryshime.

Na jepni tre arsye të forta; pse duhet të largohet Rama, sipas jush?

-Mosplotësimi i kushteve për Integrimin e Shqipërisë në BE.

-Largimi masiv i të rinjve

-Mungesa e transparencës në Qeverisje, bullizmi kryeministror kundrejt Gazetarëve, studentëve, popullit.

Dështimi më i madh i Ramës në optikën tuaj?

Nuk arriti kurrë që të vendoste rend, por vetëm sa shtoi forca të shumta policore, duke ju vendosur emërtime nga më të ndryshmet, të cilat nuk është në gjendje as t’i veshë me unforma te reja. Në krye të këtyre forcave vendos njerëz të patrajnuar, ose më keq akoma njerëz, të cilët nisur nga gjuha që përdor kryeministri arrijnë të vrasin të rinj të pafajshëm.

Njihni ndonjë  sukses të Ramës gjatë qeverisjes së tij? Nëse po, çfarë?

Në dijeninë time nuk njoh asnjë sukses të tij. Suksesi i vetëm i tij është në zhbërjen e shtetit, ku në vend të funksionarëve të arsimuar në drejtim të vendit ka vendosur njerëz të korruptuar, të cilët gëzojnë dhe nofka, sipas cilësive negative që gëzojnë.

 

SHKARKO APP