Ardit Çela: Do fitojmë 3 mandate në qarkun e Beratit
Drejtuesi politik i Lëvizjes Socialiste për Integrim në qarkun e Beratit, Ardit Çela shprehet optimist se falë mbështetjes së rinisë dhe jo vetëm se kjo forcë politike do të dalë e fituar nga zgjedhjet e 25 prillit. I ftuar në rubrikën ‘Opinion në ‘News24’ Çela tha se LSI do të fitojë 3 mandate në qarkun e Beratit, dhe sipas tij do të jetë forca kryesore.
Mes të tjerash ai nuk i fshehu emocionet për lidhjen e veçantë që ka me këtë qark, ku ka kaluar një pjesë të jetës së tij. Çela nënvizoi disa nga problemet që sipas tij vuajnë qytetarët e këtij qarku dhe jo vetëm, ndërsa shtoi se në 25 prill ‘Rilindja’ do të ikë nga pushtetit dhe vendit do t’i çelet perspektiva europiane.
Ju jeni drejtues i LSI në qarkun e Beratit. Përse keni zgjedhur këtë qark?
Për mua bashkohen dy elemente; Elementi personal dhe ai politik. Kthehem në shtëpinë time. Jam rritur në atë qark. Kthehem në shtëpinë time me emocione e përgjegjësi. Është përgjegjësi politike, pasi qarku i Beratit, është si puna e zemrës, që për LSI pulson. Ne do bëjmë të mundur që të realizojmë objektivat tona. Është sfidë e vështirë, por do e realizojmë të gjithë së bashku. Misionin tonë për ta bërë Shqipërinë shtëpinë tonë, dhe Beratin shtëpinë tonë, do e realizojmë me sukses.
Si e shihni situatën në këtë qark? Çfarë i shqetëson qytetarët aty?
Kam qenë gjithmonë i lidhur me realitetin dhe qarkun e Beratit. Ajo çka shoh këto ditë, është për të ardhur keq. Qarku i Beratit është lënë në mëshirë të fatit. Dikush premtoi para shumë vitesh, që do të krijonte një ishull në Berat. Por ajo çka krijoi është se e la Beratin një ishull të izoluar. Papunësi e shtuar, ‘Rilindja’ premtoi qindra mijëra vende pune. Por krijoi qindra mijëra emigrantë. Nga takimet që kemi pasur me të rinjtë, të ardhmen se shohin në shtëpinë e tyre. E shohin larg Skraparit, Beratit, Kuçovës, Urës-Vajgurore. Taksat janë rritur dhe bizneset po falimentojnë. Është situatë jo gri, por dramatike. Do duhet të hapen vende pune që qarku të marrë frymë. Si drejtues politik jam në ditët e para, kemi pasur takime me strukturat e LSI. Ishte mbi pritshmëritë e mia pjesëmarrja në takime. Kishin një besim për të ardhmen. Kemi pasur takime me të rinjtë, qytetarë, biznese, nëpunës të administratës, që janë të terrorizuar nga ata që drejtojnë. Ajo çka vërehet është se vendi po shkon në drejtim të gabuar. Vendi duhet të marrë zhvillim për hapjen e vendeve të punës, për arsim cilësor në funksion të punësimit.
A mund të na thoni më konkretisht çështjet kryesore për këtë qark?
Problemi kryesor që hasim është papunësia. Me politikat tona sot dhe qeverisjen nesër do hapim vende të lira puna, për të ulur koston e jetesës. Një program i integruar ekonomik është duke u hartuar. Turizmi është një element i rëndësishëm i qarkut. Nëse kemi turizëm është falë brendit të Beratit. 0 mbështetje nga qeverisja. Ato para që hyjnë aty, duhen falënderuar operatorët turistikë. Edhe atëherë kur ka nevojë për mbështetje, qeveria nuk është prezente. Një pikë tjetër me rëndësi është bujqësia. Vëmendja ndaj bujqësisë ka qenë inekzistente. Ato pak para që janë dhënë për bujqësinë s’kanë shkuar në rrugën e duhur. Paratë jepen për të punuar qumështin dhe shkojnë për të bërë shtëpitë e disave që përfitojnë. Do japim mbështetje për projektet bujqësore, blegtorale. Do shkojë atje ku ka nevojë. Mbështetje financiare për bujqësinë, për të hapur vende të reja pune. Me rëndësi është dhe politika agresive për të nxitur investimet e huaja, në zonën e Kuçovës dhe Poliçanit. Ne duhet të jemi agresiv që të përshtatim modele të rajonit, për të thithur investime të huaja dhe për t’i dhënë frymëmarrje zonës. Do mbështesim projektet në infrastrukturë, që do të jenë në funksion të qarkut. Projektin më rëndësi për momentin është rruga që lidh Përmetin me Skraparin.
Kthehemi pak tek aktualitet, situata me pandeminë. Si po menaxhohet nga qeveria pandemia?
Menaxhimi është katastrofik. Edhe në drejtim të menaxhimit shëndetësor dhe atij ekonomik. E vetmja gjë që bën qeveria është propaganda dhe menaxhimi i tankeve në rrugë. E vetmja dorë e qeverisë, është ajo që qarkullon tanke në rrugë, që e ka zëvendësuar në projektet 3 D. Ajo filozofi menaxhuese që shmangu mjekët e familjes, dhe spitalet rajonale, duke u përqendruar këtu në Tiranë të gjithë, ka rezultuar e dështuar. Po të hedhim kohën majtas dhe djathtas, shohim se çdo shtëpie e të prekurve me COVID është kthyer në spital. Shohim se sa me kosto merren bombolat e oksigjenit dhe kura kundër COVID. Shohim deficencën e shtetit, se si vazhdojnë pagesat për PPP dhe mungon mbështetja për pandeminë. Cila është masa e qeverisë?! Asgjë! Niseshin rreth 500-600 chartera drejt Turqisë, janë mbi 20 mln euro të larguara nga Shqipëria për këtë gjë. Kush e ka mundësinë ekonomike mund t’ja hedhin. Për ata që se kanë mundësinë, është vetëm Zoti lart, se askush tjetër s’i ndihmon dot. Është për të ardhur keq.
Si e shihni situatën në spitale?
Mjekët janë heronj që duhen vlerësuar dhe duhen mbështetur. Duhen mbështetur dhe financiarisht dhe moralisht, pasi janë të rriskuar dhe në vijën e parë. Edhe në këtë drejtim qeveria ka dështuar. Se e mbaj mend shumë mirë se si u pajisën me maska të skaduara. Duhet të ketë mbështetje financiare për ta.
Mund të na thoni disa konsiderata tuajat se si ka qeverisur Rama dhe qeveria socialiste në këto kohë?
Është katastrofike. Dështimi më i madh i kësaj qeverie është ekonomia. Vendi ka bërë hapa pas. Kjo qeveri premtoi vende pune, por shqiptarët ikën në Gjermani dhe Europë. Vendi s’ka frymëmarrje ekonomike. Shifra e borxhit që ka marrë kjo qeveri është e barabartë me atë çka kanë marrë qeveritë pas viteve 90. Ato para kanë shkuar në 3-4 duar. Kjo është qeverisje që ka dështuar në funksion të përmirësimit të jetës ekonomike dhe të mirëqenies së qytetarëve. Tjetër dështim është demokracia. Po të shohësh që në duart e një njeriu të vetëm është parlamenti, këshilli bashkiak, etj. Këtu nuk ka më demokraci, reagimi duhet të jetë i fortë, i menjëhershëm. Në mënyrë që në 25 prill, e gjithë kjo që u quajt ‘Rilindje’, të jetë ëndërr e së shkuarës.
Pak ditë më parë u publikua lajmi se negociatat s’do të çelen këtë vit. Si e shihni këtë?
Një nga dështimet e kësaj qeverie është dhe integrimi. Janë të njëjtët njerëz që dje e pengonin integrimin e vendit. Ndaj dhe LSI hyri në koalicion me PS që vendi mos të penalizohej. Nuk ka asnjë cm përpara drejt BE. Konferenca e parë Ndërqeveritare dështoi, pasi vendi nuk i ka realizuar detyrat. Një nga reformat që opozita mori pjesë, u shkel me të dyja këmbët (Reforma zgjedhore). S’ka se si të hapet konferenca, kur ndryshojnë rregullat e lojës. Edhe Kushtetuta, mënyra se si është trajtuar, ka qenë një tjetër faktor kryesor që vendi nuk ecën përpara. Rama po e sakrifikon integrimin e Shqipërisë, për të mbajtur pushtetin e vet. Në 25 prill Rilindja do të ikë nga pushtetit dhe vendi do t’i çelet perspektiva europiane.
Cilat janë objektivat e LSI në 25 prill në Berat?
S’do flas për objektiv, por për një realitet që e prek në qarkun e Beratit. Ne do të marrin 3 mandate dhe do të jemi forcë qeverisëse kryesore në qark. Do vijmë me 3 mandate pas zgjedhjeve të 25 në qarkun e Beratit. LSI është parti e rinjve, pasi është e para që e përqafoj parimin ‘Një anëtar, një votë’ apo dhe numërimin elektronik. Ajo i dha mundësi anëtarëve të vetë që të votojnë online. Do shohim risi dhe në Konventën e 5 dhjetorit, pasi ky ekip do të marrë në dorë fitoren e LSI.