Arlind Qori reagon për sulmin vdekjeprurës ndaj policisë së Kosovës dhe qendrimin e Ramës
Lideri i “Lëvizja Bashkë, Arlind Qori ka reaguar lidhur me sulmin vdekjeprurës ndaj policisë së Kosovës.
“LËVIZJA BASHKË DËNON SULMIN VDEKJEPRURËS NDAJ POLICISË SË KOSOVËS
Sot në mëngjes një grup njerëzish të armatosur kanë sulmuar dhe vrarë një polic të Republikës së Kosovës në veri të vendit. Konteksti i marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë lë vend të mendojmë se ky akt kriminal është produkt i orvatjeve të njëpasnjëshme të regjimit të Aleksandër Vuçiçit për të destabilizuar Kosovën.
Në raste të panumërta është vënë re se qëllimi i Beogradit zyrtar ka qenë dhe është destabilizimi social si kusht i destabilizimit institucional, dhe anasjelltas, i Republikës së Kosovës.
Lëvizja BASHKË kërkon nga institucionet e Republikës së Shqipërisë ta dënojnë pa rezerva këtë akt kriminal e destabilizues, si dhe të qëndrojnë në krah të institucioneve të Republikës së Kosovës në përpjekjen për të ruajtur sovranitetin dhe integritetin territorial të Kosovës.
Po ashtu u bëjmë thirrje institucioneve ndërkombëtare dhe shteteve të përfshira në normalizimin e raporteve midis Kosovës dhe Serbisë që të shquajnë me objektivitet se cili është burimi i destabilizimit të Kosovës dhe rrezikimit të paqes në Ballkan: mendësia shoviniste e regjimit të Aleksandër Vuçiçit“, thuhet në reagimin e parë.
Ndërkohë Arlind Qori ka kritikuar edhe qendrimin e kryeministrit Edi Rama për situatën në Kosovë:
Qëndrimi i Edi Ramës për situatën në Kosovë është i paprinciptë, sipërfaqësor dhe shterp. Kosovës dhe Serbisë nuk u mungon dialogu, por rezultati i dialogut. Ato janë në dialog prej 12-13 vjetësh. Pavarësisht përfaqësimit në dialog dhe nivelit të ndërmjetësuesve, në thelb nuk ka ndryshuar pothuajse asgjë. Serbia vazhdon ta destabilizojë Kosovën dhe të kërcënojë hera-herës edhe stabilitetin e Ballkanit në tërësi.
Sulmi i sotëm i një grupi të armatosur e me uniforma tregon ose se Vuçiçi kërkon të provokojë luftë, e në këtë rast nuk ka arsye të dialogosh; ose Vuçiçi nuk e kontrollon më Serbinë, e në këtë rast nuk ke me kë të dialogosh. Pa u sqaruar rrethanat e mësipërme çdo dialog do të ishte i kotë.
Afërmendsh në fund marrëdhëniet midis Kosovës dhe Serbisë do të stabilizohen nëpërmjet dialogut, ku palët legjitime bien dakord mbi parimet elementare të së drejtës ndërkombëtare. Se me ç’trajektore e ritëm do të zhvillohet ky dialog, do të përcaktohet nga serioziteti dhe gatishmëria e faktorëve perëndimorë për të ndarë shapin nga sheqeri.