Armand Shkullaku: Protesta e heshtur që mund të dënojë Ramën

Nga Armand Shkullaku –
ë gjithë ata që e kanë ndjekur me kujdes fushatën e Edi Ramës, veçanërisht ditët e fundit, bien dakort se boshti kryesor i saj është goditja dhe denigrimi i opozitës, me theks të veçantë tek dyshja Berisha- Meta si dhe ridikulizimi i aleatëve të PD.

Mungesa e një fabule të re kreative për një njeri të rregjur në fushata elektorale si Edi Rama, shpesh lidhet me mungesën e një bilanci pozitiv të qeverisjes së tij 8 vjeçare, me skandalet e shumta që e kanë goditur rilindjen, që erdhi në pushtet si shpresë për shumicën, apo me premtimet e pambajtura që janë shndërruar në anekdota për projektet madhështore që shihen vetëm në 3D.

Në fakt, megjithëse këto interpretime qëndrojnë, fushata e kryeministrit, e fokusuar vetëm tek kundërshtari politik, nuk është thjeshtë një strategji e ndërtuar nga halli. Ajo duket e orientuar jo për votuesit solidë të socialistëve, por më shumë për të pavendosurit dhe të zhgënjyerit, që në këto zgjedhje përbëjnë një masë që pritet të jetë vendimtare. I edukuar me sondazhe të rregullta, mbi të cilat sheston edhe aksionet e tij politike, tek Rama lexohet qartë shqetësimi për këtë numër të konsiderueshëm votuesish. Ata mund të jenë shumica e heshtur që rrezikojnë ta kalojnë në opozitë rilindjen e tij 8 vjeçare.

Sondazhet e porositura me çmim shumice, në radhë të parë nuk e fshehin dot numrin e lartë të të pavendosurve dhe së dyti, e kanë të pamundur të dedektojnë një protestë të heshtur me votë, të cilës i druhet kryeministri. Sinjalet se pas dy mandateve njerëzit janë lodhur nga politika e fjalëve dhe protagonizmi arrogant i një njeriu të vetëm, aq sa mund ta ndëshkojnë edhe vetëm për këtë fakt, ka shumë gjasa ta kenë orientuar fushatën e Ramës drejt orbitës së opozitës.

Kryeministri, që veç rindërtimit dhe pandemisë nuk ka asgjë tjetër për të treguar, e ka kuptuar se me premtime të reja e ka ta pamundur të rikuperojë besimin e humbur. Për të është shumë vonë edhe të nxjerrë në skenë personalitete të tjera të forta nga partia e tij, një pjesë e të cilëve janë lënduar nga akuzat për korrupsion dhe një pjesë tjetër janë thjesht imitime pa identitet politik të sjelljeve të tij. Çdo tentativë për të shmangur një protestë të heshtur me votë, duke predikuar një politikë të re nga i njëjti njeri që ka dështuar në 8 vjet, do të ishte një mision i pamundur.

Rama nuk mund të flasë më për zbutjen e pabarazisë, ndërkohë që e ka thelluar atë. Ai nuk flet dot për një qeverisje të pastër në mandatin e tretë, kur korrupsioni, gjobat ndaj biznesit, aferat e dyshimta, skandalet me kosto të larta për buxhetin, pastrimi i parave të pista, etj, janë gjetjet kryesore në çdo raport ndërkombëtar. Rama nuk garanton dot një mandat të tretë qetësie dhe progresi për sa kohë liritë dhe hapësirat demokratike në vend janë ngulfatur nga përqëndrimi i të gjitha pushteteve në një dorë të vetme, për sa kohë që konflikti dhe arroganca kanë shoqëruar çdo ndërmarrje të tij, për sa kohë çdo zë kundër është heshtuar dhe propaganda shpon çdo ditë veshët e shqiptarëve. Protestën e heshtur nuk mund ta shmangë duke përmendur në fushatë pikërisht shkaqet që e kanë shkaktuar atë.

Prandaj kryeministri ka zgjedhur të mos flasë për këto tema. Ai shpreson që në 30 ditë të harrohen sa të jetë e mundur bëmat e pushtetit të tij. Dhe, të vetmen armë, për të neutralizuar votën kundër qeverisjes së tij, ai ka fryrjen e rrezikut nga ardhja e opozitës në pushtet. Rama thuajse e pranon nëpër rreshta se s’ka arritur t’u afrohet pritshmërive të shqiptarëve kur e votuan 8 vite më parë, por përpiqet t’i frikësojë ata duke thënë se me ata të tjerët do të jetë edhe më keq. I pashpresë për të ringjallur besimin tek vetja, ai po tenton të mbjellë mosbesimin tek të tjerët. Fushata e Ramës është e dënuar të ndjekë këtë strategji si e vetmja mënyrë për të stepur një protestë të heshtur. Por shpeshherë dëshira e hakmarrjes me votë është më e fortë se frika për atë që vjen më pas. Rama është dëshmitar i 1 milion shuplakave në vitin 2013. Lapsi.al

SHKARKO APP