Armand Shkullaku: Pse bllofet e skandalet nuk i ndahen Edi Ramës
Nga Armand Shkullaku-
I frustuar nga mungesa e rezultateve të dukshme në 8 vjet qeverisje, Edi Rama ka rënë përsëri dje në kurthin e premtimeve të pambajtura. Ai që premtoi 300 mijë vende të reja pune në mandatin e tij të parë, rezulton me një shifër qesharake (të cilën u mundua ta zmadhojë me formalizimin e të punësuarve ekzistues) dhe për më tepër pa asnjë shpresë se mund ta arrijë si premtim edhe sikur të rrijë 8 vjet të tjera në pushtet. Përpjekja sfilitëse për të shitur diçka që nuk e ka, po e shtyn çdo ditë kryeministrin në veprime e qëndrime që ose e nxjerrin bllof ose prodhojnë skandale.
Manipulimi i trashë me vendet e punës, është vetëm një prej tyre. Tre muaj para zgjedhjeve dhe me dy mandate në krye të vendit, drama e Edi Ramës është bilanci i qeverisjes. Asnjë qeveri para tij, nuk ka qenë në këtë gjendje para zgjedhjeve. Vendet e punës, ulja e varfërisë, rritja e rrogave dhe pensioneve, shëndetësia falas, investimet e huaja, ndihma për familjet në nevojë, zbutja e pabarazisë, shtimi i buxhetit për arsimin e sektorë të tjerë, hapja e negociatave që në vitin e parë të qeverisjes, lufta kundër krimit të organizuar e korrupsionit, janë të gjitha premtime të pambajtura. Në kontrast me to, thellimi i varfërisë, kriza e sistemit shëndetësor e arsimor, emigrimi masiv, bllokimi i negociatave, depërtimi i kriminelëve deri në nivelet më të larta të shtetit, korruspioni i shpërfaqur në dhjetra skandale, asnjë investim i huaj i qenësishëm madje dhjetra miliona euro që po u paguhen nga taksat e shqiptarëve investitorëve të huaj, tendera e koncensione nga inceneratorët e deri tek shërbimet në spitale që po përpijnë pjesë të rëndësishme të buxhetit, është tabloja e një qeverisje, për të cilën Edi Rama ka marrë përsipër misionin e pamundur ta shesë duke e ngjyer me bojëra të tjera.
Aq eklatant është dështimi i 8 vjeçarit Rama sa edhe mbështetësit e tij mediatikë më lëkurëpandjeshëm, e kanë të pamundur ta mbrojnë publikisht. Thuajse asnjë prej tyre nuk avokon dot në publik ndonjë të arritur të qeverisë, duke e mbushur këtë boshllëk me sulmin ndaj opozitës, si e vetmja arsye që kryerilindasi të mbetet në pushtet.
Në fakt, në çdo vend normal, kur afron ora e zgjedhjeve bëhet bilanci i qeverisë. Gjykohet menaxhimi katër vjeçar i atij që i janë besuar paratë publike dhe në varësi të rezultateve diskutohet rinovimi apo largimi. I vetëdijshëm se ky gjykim do të ishte i pamëshirshëm me të, kryeministri ka thelluar strategjinë e tij për të zëvendësuar rezultatet konkrete me propagandë dhe spektakël. Duke qenë së një ndërmarrje e tillë është e pamundur, rrugëtimi i çartur i kryeministrit është i destinuar të prodhojë bllofe dhe skandale. Ai është i dënuar të dalë zbuluar sa më shumë rraskapitet të shesë sapunin për djathë.
Edi Rama del nëpër Shqipëri dhe sulmon për shembull rrugët e bëra nga qeveria para tij. Dhe kur do të tregojë ndonjë kilometër që ka bërë në 8 vite, ato ose i shemben ose i përmbyten pa mbaruar ende turi i propagandës. Kryeministri nxjerr ministrat në terren me kaska në kokë për të shpalosur ditën planet 3D të zhvillimit, natën ata u shfaqen qytetarëve në gostitë e kripura të Nusret Beut. Lideri thotë se do i shpëtojë shqiptarët nga Covid sepse falë tij u sigurua vaksina dhe krejt procesi i vihet në dyshim nga një valixhe me 900 copë që s’dihet nga kanë ardhur e si kanë ardhur. Ai bën spektakël në stadium e premton qindra mijëra vaksina, por ndërkohë në 8 ditë arrijnë të vaksinohen vetëm 447 mjekë dhe sasia që premtoi se do t’i vinte në gjysmën e parë të janarit ende nuk ka mbërritur. Flet se do të vinë investime të mëdha të huaja, ndërsa mbërrijnë vetëm faturat e arbitrazhit me miliona që duhet t’u paguajmë ne të huajve. Lë të kuptohet se do pajtojë Greqinë me Turqinë dhe ngel në klasë tri herë rresht me negociatat. U tregon shqiptarëve se falë tij ata po hedhin valle në gojë të ujkut, por e nxjerrin zbuluar reagimet e BE dhe Francës.
Një këshilltar i mirë, jo nga ata që i mbushin mendjen se po shkëlqen me manipulimet e tij, do të duhej t’i sugjeronte kryeministrit se kur nuk ke bërë asgjë, më mirë është të vazhdosh të mos bësh asgjë. Përndryshe, këto tre muaj është e garantuar që do shohim e do dëgjojmë bllofe e skandale të tjera. Lapsi.al