”Arratia” e Llallës dhe azili politik. ”Drejtësia e re” ruan zakonet e vjetra

Nga: Redjon Shtylla

Arratia e ish-kryeprokurorit të Përgjithshëm, Adriatik Llalla nga Shqipëria, ndodhi pak ditë para se dënimi me 2 vite burg të merrte formë të prerë. Edhe pse ishin të vetëdijshëm për shkak të sistemit TIMS se Llalla ishte larguar, për formalitet oficerët trokitën në derën e vilës së tij, por aty doli bashkëshortja e tij duke u treguar gishtin e mesit.

Ky është një alarm që rëndon drejtësinë e re që po çon në burg Llallën. Ish-kryeprokurori është në një proces të gjatë gjyqësor, dhe të ikë nga vendi kaq lehtë, është një turp për organet e drejtësisë, të cilat po tregojnë se nuk ka pasur Reformë të mjaftueshme. Kjo është shenjë që ”Drejtësia e re” ruan zakonet e vjetra.

Adriatik Llalla është shpallur në kërkim kombëtar, dhe të gjitha komisariatet e policisë në vend i’u është përcjellë urdhri i SPAK-ut për arrestimin. Llalla do të shkojë burg, apo do të kërkojë azil politik? Juristi Arbër Hoxha është i mendimit se ish-Prokurori i Përgjithshëm ka pak shanse të marrë azil politik në një vend të BE-së, pasi e konsiderojnë Shqipërinë një vend të sigurt.

Më 3 dhjetor 2012 Llalla u emërua Kryeprokuror i Përgjitshëm, detyrë që e mbajti deri në dhjetor të 2017. Deklaratat e bujshme për arrestime politikanësh në vjeshtë apo dosje hetimore që mund të ndryshojnë fatet e vendit, mbetën veç në fjalime televizive. Adriatik Llalla është kryeprokurori i parë shqiptar që dënohet me burg nga organet e reja të drejtësisë.

Përplasjet mes Llallës dhe ambasadorit amerikan në Tiranë, asokohe Donald Lu, nisën në vitin 2018. Lu është shprehur se Llalla ka punuar kundër Reformës në Drejtësi, drejtësia e cila sot do e çojë në burg.

Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, me kërkesë të SPAK dënoi me 2 vjet burg ish-Prokurorin e Përgjithshëm Adriatik Llalla, konvertuar në 1 vit e 4 muaj burgim për shkak të gjykimit të shkurtuar. Nga të katër akuzat, mbeti vetëm akuza e fshehjes së pasurisë. Jeta e Llallës është më dorën e Europës, nëse një nga vendet e BE-së do ti japë azil politik.

SHKARKO APP