Artan Fuga: Jetojmë në një sistem tiranik! “Venecia” pohoi ato që demaskoi Presidenti
Në një intervistë eskluzive për gazetën ” STANDARD” akademiku Artan Fuga flet përmbi zhvillimet e fundit në vend. Profesori komenton opinionet zyrtare të Komisionit të Venecias mbi çështjen e emërimeve në Gjykatën Kushtetuese si edhe mbi ligjet e qeverisë për median, të cilësuar si paketa “antishpifje”. Akademiku i analizon çështjet nga pikëpamja e studjuesit në fushën e komunikimit politik dhe të filozofisë të qeverisjes. “Çfarë ka thënë Venecia ? Hiç më shumë se çfarë kërkonte dhe demaskonte Presidenti”, pohoi ai.
Po ashtu Fuga flet mbi rezolutën e miratuar nga Parlamenti Evropian ku u zyrtarizuan 15 kushtet ndaj Shqipërisë. “Me ato kushte që na janë vendosur, sikur gjithë shqiptarët të kërkojnë azil politik në Bashkimin europian duhet ta marrin. Mjafton të paraqisin atë dokument të Parlamentit Europian”, pohon, akademiku.
Se fundmi, jane zbardhur zyrtarisht opinionet perfundimtare te Komisionit te Venecias mbi ceshtjen qe krijoi nje perplasje te forte institucionale ne vend, sic ishte ajo per emerimet ne Gjykaten Kushtetuese. Cili eshte vleresimi juaj per kete opinion?
Dëshiroj të përgjigjem si studjues në fushën e komunikimit politik dhe të filozofisë të qeverisjes.
Përgjigjet e Komisionit të Venecias lidhur me konfliktin midis Presidentit të Republikës dhe Kuvendit të Shqipërisë për një varg çështjes të interpretimit të Kushtetutës, të formatimit të Gjykatës të Lartë dhe asaj Kushtetuese, për Ligjin për « shpifjen » që e kam quajtur të shpifur qëkurse ishte ende në diskutim, etj., qartazi i dhanë të drejtë përfundimisht z. Ilir Meta.
Përse them se dëshëroj të përgjigjem filzofikisht?
E para, sepse nga njëra anë kishim Presidentin e Republikës, i cili theksonte me forcë që mënyra sesi paraqiteshin kandidaturat për në Gjykatën Kushtetuese nga ana e KED, ishte antikushtetuese, kundër neneve të Kushtetutës hyrë në fuqi në 2016 për reformën e gjyqësorit, nga ana tjetër kishim një radhë institucionesh që jo vetëm këmbëngulnin në të kundërtën, por kërkonin edhe « kokën » e Presidentit. Ngritën komision hetuesie në Kuvend ku paturpësisht merrnin në pyetje Presidentin e Republikës!
Pra, nga njëra anë Presidenti i Republikës nga ana tjetër « vagonat » e një treni me qymyr :
Kryetari i Kuvendit,
Komisioni i ligjeve,
Komisioni hetimor parlamentar,
Grupi parlamentar socialist,
Një pjesë e madhe e deputetëve gjojaopozitarë në Kuvend,
Specialistë spekullantë gjoja të pavarur të së drejtës,
Fakultete gojëmbyllura të së drejtës,
Konsitucionalistë që Presidenti i dekoron pastaj me dashamirësi, por pa kuptim, apo juristë që vetëdekorohen si të çmendur që janë,
Akademikë konformistë dhe mendjemykur.
Analistë të paguar,
Pas bishtit të kryeministrit, që i shihnin shkeljet e rënda kushtetuese dhe i quanin të rregullta. Si në kohën e monizmit kërkonin të shkarkonin Presidentin e Republikës, me deklarata të paturpshme të disave që hiqen si bërës të « sale boulot », të «prerjes të kokave, a thua që Presidenti sot është me statusin e Myslym Pezës, Haxhi Lleshit, a Omer Nishanit dikur.
Ne jetojmë në një sistem tiranik dhe piramidal sikurse e kam argumentuar gjatë dhe gjerë në botimin tim të fundit: «Origjinat e Pushtetit, Pronës, Pasurisë në Shqipërinë pastotalitare » sapohedhur në treg nga Papirus. Ftoj lexuesit drejt atij botimi, meqënëse përfitoj nga rasti i kësaj interviste.
Trishtim i madh ! Çfarë tregon kjo? Kjo tregon që pas të gjithë këtyre «vagonëve » që vihen rresht në shina ku t’i çojë vagoni i parë, nuk ka ndarje pushtetesh, nuk ka pavarësi institucionale, Kuvendi është thjesht një korr që mban iso, ekspertët dhe gjoja institucionet shkencore nuk janë veçse të politizuara «grusht bashkuar » rreth partisë, jetojmë në një shtet të rrezikshëm ku e zeza bëhet e bardhë dhe e bardha bëhet e zezë.
Çfarë ka thënë Venecia? Hiç më shumë se çfarë kërkonte dhe demaskonte Presidenti. Asgjë më shumë sa kemi thënë ne studjuesit e pavarur që nuk jemi as me Presidentin, as me Kryeministrin, por duam me symbullur t’i shkojmë pas së drejtës, apo ata komentatorë që kishin po të njejtat qendrime si Komisioni i Venecias sot.
Kjo histori dëshmon se Shqipëria institucionalisht është e « çmendur », nuk dallon më dot të drejtën nga e padrejta, logjikiën nga palogjikjua, nuk di më të lexojë, të interpretojë saktë asgjë. Pra, jetojmë në një shtet ku në këtë rast por jo vetëm ka humbur arsyen juridike. Ku po tha njëshi « gomari fluturon », një korr budallenjsh, quajini si të doni, deputetë, ekspertë, antarë komisionesh, profesora, akademikë, konsitucionalistë me ose pa dekorata, bërtasin : « Fluturon gomari ! ». Jeta e të gjithë qytetarëve është në rrezik. Sepse shteti i së drejtës është në radhë të parë shtet i arsyes.
«Gomari fluturon!» si një mantra politike.
«Fluturon gomari!» si kor përgjigjen adeptët, ky kor çjepësh i komedive të lashta!
Pastaj dëshiroj të them që vendi im është turpëruar faqe gjithë botës. Ne dalim si një vend ku nuk ka asnjë instancë që të japi të drejtën juridike, pra as atë «ad hominem», sepse të vërtetën e kulluar juridike jo se jo.
Ajo që nuk kam dashur kurrë të besoj, por që bën « muuuu » gjithandej është se paska vërtet pasur sikurse thanë diplomatë shumë të rëndësishëm të huaj, përpjekje që me puç institucional të kapet drejtësia, të devijohet reforma në drejtësi. Duke manipuluar me procedurat, shumica parlamentare sigurisht ka dashur të kapi Gjykatën Kushtetuese. Përse ndryshe do të bënte gjithë ato manovra të fëlliqura KED po të ishte ndryshe ! Presionet e tipit ballaz dhe të tipit keqaz ndaj Presidentit të Republikës, treguan se emërimet që po bëhen në pallatin e drejtësisë kërkohen të kapen nga shumica partiake në fuqi. Cfarë besimi kërkojnë nga ne si qytetarë dhe intelektualë për drejtësinë, për reformën, për ligjet, për Kuvendin ? Ja përse nuk kanë asnjë legjitimitet të gjitha këto institucione. Populli jeton me frikë nga shteti i vet.
U tregua se aktualisht ligja si verdikt i shkruar nuk ka vlerë nga këta që dëshmojnë se kanë vetëm kulturë orale. Luajnë me fjalën si të duan, interpretojnë Kushtetutën si të duan, e shkruara nuk u sjell asnjë pengesë, nuk u ngjall asnjë respekt. Këta të shkruarën, pra ligjin e quajnë një «letër bakalli».
Presidenti ka fuqi dhe tagër të gjejë mbështetje te Komisioni i Venecias, por Presidenti duhet ta dijë se ne qytetarët nuk kemi ku të kërkojmë ndihmë, as Venecia, as Roma, as Brindisi, as Napoli, as Strasburgu, as Brukseli nuk i dëgjojnë klithmat tona, klithmat e artistëve, shkencëtarëve, pedagogëve, maturantëve, ish pronarëve, pronarëve! Ne ku të shkojmë? Ne kemi frikë! Kemi më shumë frikë se sa ka pasur shqiptari në kohën e Sulltanit, në kohën e Princ Vidit, në kohën e Esad Pashës, në kohën e Haxhi Qamilit! Pse? Sepse një shoqëri që i interpreton ligjet sipas qejfit, që edhe Presidentin e Republikës që ka zgjedhur vetë shumica parlamentare dhe nuk e kemi zgjedhur ne populli e merr nëpër këmbë, atëhere është njësoj si një shoqëri pa ligje! Sikurse shkruante Hobsi në kohën e vet, një shoqëri e tillë është ajo ku njeriu është ujk për njeriun!
Unë jam i bindur se edhe Kodi Penal i amenduar në periudhën e Covidit, edhe Ligji për Akademinë e Shkencave, ai për PPP, për Teatrin, për pushtetin lokal, etj., të shkojnë jo deri në Venecia, por qoftë edhe deri në Bari, apo në Kostur, e të lexohen atje, do të kishin kapur kokën me duar.
Ne jetojmë në një shoqëri ku ligjet nuk kanë vlerë veçse për të dënuar, jo gjithmonë të fajshmit. Prandaj kur më pyesni çfarë mendoj për të gjithë këtë histori, ju përgjigjem : Kam frikë, nuk është shoqëri, është hordhi!
Një tjetër opinion zyrtar i Komisionit të Venecias është edhe ai që kerkoi ndryshim për ligjet e qeverisë për median, të cilesuar si paketa “antishpifje”. Si e gjykoni këtë qëndrim ndërkombëtar i cili flet për tentativë censure ndaj medias?
E njejta analizë. Kthimi i një këshilli etike, i përbërë nga individë të përkohshëm pa asnjë status juridik, në një gjykatë që jep verdikte dhe dënime, është një llahtari. E kuptoni se çfarë po them ? Një këshill etike që kthehet dhe merr kompetenca gjykate !!! Kjo ka ndodhur në shekullin e 15 dhe 16 në disa qytete evropiane kur këshillat fetare dhe këshillat bashkiake u njehsuan. Kjo ndodh në disa vende ku muxhahidinë radikalë konfondojnë normat e tyre etike me ligjet, kur dënohesh me gjyq mbi bazë parimesh etike. Imagjinoni tre gjyhnafqarë të Këshillit të etikës të dënonin median !!! Kur ngatërrohen ndëshkimet pénale me Gjykatën administrative, kur gjykimi supozohet se do të bëhet edhe me dyer të mbylliura. E pastaj kur për të njejtën çështje të interesuarit mund të kapin gjykata të ndryshme, dikush AMA-n, dikush Gjykatën e faktit, etj. Tamam si në Mesjetën e hershme me disa pushtete gjyqësore, ku Kisha kishte gjykatat e veta, byrgerët të tyre, Mbreti të tijat, feudalët të tyre.
E kuptoni sa e frikshme është ? E kuptoni përse shqiptarët marrin sytë këmbët për t’ja mbathur. Poqese ata që largohen si emigrantë nga Shqipëria do të kishin një avokat të mirë për të vërtetuar se ata ikin nga atdheu sepse jetojnë në një shoqëri të frikshme, pa ligje, ku nuk ka ndarje pushtetesh, të gjithë marrin azil politik menjëherë. Mos o Zot, uroj mos u shkojë në mendje !
Fol sa të duash ti, ata nxjerrin ekspertë, specialista, konsitucionalistë të dekoruar ose jo, deputetë, lloj lloj vemjesh mendore që të thonë ashtu mendon ti, por nuk është ashtu ! Gjithçka në Shqipëri aktualisht ka humbur bazën logjike, të arsyeshme, kjo është më e rënda ! Çmenduri kolektive institucionale!
E ndersa Venecia dha dy opinione te forta kritike ndaj Qeverise, Parlamenti Evropian nga ana tjeter zyrtarizoi permes nje rezolute 15 kushtet per nisjen e negociatave me BE. A vereni nje doze te shtuar gjykimi te faktorit nderkombetar mbi ekzekutivin? Nder te tjera, si e shihni perspektiven evropiane te vendit?
Sigurisht. 15 kushtet që vendosi Parlamenti Europian duan të thonë as më shumë dhe as më pak : Ju nuk keni shtet ! Hordhitë nuk pranohen në Bashkimin Europian. Ju nuk njihni ende ligjin, zgjedhjet, gjykatat, ndarjen e pushteteve, pastërtinë antikorruptive, nuk njihni të drejtat politike të qytetarit, vlera qendrore europiane, ju doni të hyni në Bashkimin Evropian?
Si shqiptar, nga ato kushte të shtuara, që nuk realizohen as për një shekull sikurse kemi nisur, unë u turpërova. Ndjenja e frikës sepse jetoj në një shoqëri pa mbrojtje ligjore, m’u shtua ndjenja e turpit sepse Europa më tha: Ti jeton në një shoqëri ku vlerat universale europiane janë shkelur me këmbë. Cfarë kërkon të të them tjetër ! Me ato kushte që na janë vendosur, sikur gjithë shqiptarët të kërkojnë azil politik në Bashkimin europian duhet ta marrin. Mjafton të paraqisin atë dokument të Parlamentit Europian. A e di çfarë domethënë të të thonë se jeton në një vend ku votat vidhen, ku zyrtarët janë të korruptuar, ku nuk ka Gjykatë të Lartë, etj?
Teza e gjuhë-letërsisë për maturën solli një debat të forte mes ekspertëve të fushës, ndërsa maturantët u ngritën në protesta duke nënvizuar se permbajtja e testit nuk ishte në përputhje të plotë me orientimin paraprak. E ndërsa ju gjithashtu jeni shprehur disa herë publikisht mbi diskutimin, a mund të na specifikoni shkurtimisht se cilat ishin mangësite e tij?
Eshtë një tezë fatkeqe ajo e letërsisë dhe gjuhës ! Nuk ka patur debat midis ekspertëve. Të gjithë ekspertët e nivelit të lartë e bënë shuk atë test dhe ja hodhën te muret a kangjellat Ministrisë të Arsimit. Dhe ministria në vend të na mblidhte, na shan, na fyen, na provokon, nxjerr individë « bedela», aspak specialistë nër studio televizioni dhe na pështyn !
Ja gjendja e çmendurisë si shoqëri. Maturanti duhet të përgjigjet në mënyrë të gabuar që të marrë notën 10. Po tha si ai djali i vogël : Iiiiiii, shihni, mbreti është lakuriq, atë maturant që ngre zërin duke thënë: « pyetja është idiote », sikurse edhe alternativa e përgjigjeve, atë e pjekin të gjallë në furrë : Ai kurrë nuk merr të drejtë studimi, nuk pranohet në asnjë universitet, linçohet ! A e kuptoni pra sesi jemi në pikën e hallit të cmendurisë, ku i arsyeshme linçohet!