Artan Hoxha: Republika në fundin e Rilindjes së Dytë

Nga Artan Hoxha –
Viti 2020 u mbyll me dy bilance rezultatesh. Një bilanc i virusit Sars-CoV2 dhe një i Qeverisë së Rilindjes nr. 2. Shifrat e të dytit rreken të pengojnë pamjen reale të të parit, por e vërteta vonon e s’menon.

Mbas një talljeje me këdo që ngrinte alarmin dhe kërkonte maska në shkurt, Kryerilindësi na u shfaq si hallua që tregon përralla të frikshme gjithë marsin e prillin dhe imponoi një mbyllje totale në kufijtë e marrëzisë, mbyllje që me pasojat negative në ekonomi e psikologji sociale, tejkaloi me herë efektet pozitive dhe afatshkurtra në parandalimin e përhapjes së sëmundjes.

Në verë, rihapja ekonomike e shoqërore u shoqërua me rritjen e treguesve të përhapjes së sëmundjes. Në fund të verës, edhe me shifrat e zbukuruara të Rilindjes, Shqipëria hynte nder 4-5 vendet me ritmet më të larta të përhapjes së sëmundjes. Ndërsa shumica e vendeve morën frymë dhe u shëruan gjatë verës, Shqipëria u sëmur. Vetëmburrja e pa fre rilindëse me menaxhimin e shkëlqyer të sëmundjes në rang europian e botëror mori fund bashkë me verën.

Në fund të tremujorit të tretë rezultoi se edhe numri i vdekjeve nga apo me COVID19 paskësh qenë shumë më shume se ç’raportonte qeveria. Vetë Instituti i Statistikave raportoi se në periudhën Korrik-Gusht-Shtator 2020 kishin ndërruar jetë 1288 njerëz më shumë se në të njëjtën periudhe të vitit 2019 (ç’shkak tjetër veç COVID19 mund ta ketë shkaktuar?) ndërsa për të njëjtën periudhë tremujore qeveria kishte raportuar vetëm 322 raste vdekjeje nga COVID19. Shtesa 3-mujore e vdekjeve 2020 ishte rreth 25% më e lartë se 3-mujori veror 2019 dhe 4 herë më e lartë se raportimi rilindës i vdekjeve nga COVID19.

E, ndërsa vdekjet e raportuara nga COVID19 për tremujorin e katërt, tetor-nëntor-dhjetor, nga Rilindja ishin 799 raste, me të njëjtat raporte me gënjeshtrën propagandistike, mund të presim që shtesa e vdekjeve për këtë tremujor të jetë mbi 3200 më shumë se një vit me parë.

Por, rasti skandaloz i bërë me dije nga Lulzim Basha në mesin e nëntorit, se edhe vetëm vdekjet brenda mureve të spitaleve COVID ishin thuajse dyfishi i vdekjeve nga COVID19 në këto spitale e të raportuara në buletinin e përditshëm rilindës e për të njëjtën periudhë, tregon se raporti i gënjeshtrës me të vërtetën ka ardhur në rritje ndaj, me gjasa, në tremujorin e katërt 2020 ka arsye të presim një shifër edhe më të lartë të vdekjeve, ndoshta 5000 më shumë se një vit me parë.

Nga një tjetër këndvështrim, nëse raporti i rritjes me 25% i tremujorit të tretë shtrihet për gjithë vitin 2020, do të rezultonte se shtesa e vdekjeve në vitin 2020 mund të arrije rreth 6000 e ndoshta ky do të jetë viti i parë që vdekjet do të tejkalojnë lindjet.

Sa për Rilindjen, ajo raportoi 1181 vdekje gjithsej nga COVID19, nga marsi deri me 31 dhjetor 2020. Pra do të mund të rezultojë një raport mes të vërtetës dhe gënjeshtrës prej afro 5 herë, nga 4 herë që ishte ky raport në tremujorin e tretë.

Për Rilindjen, e vërteta është ajo që ajo mat e thotë vetë. Kështu, që nga fillimi deri në 31 dhjetor, sipas testeve rilindëse ishin infektuar gjithsej 58316 vetë apo rreth 2% e totalit të popullsisë rezidente apo diçka me pak se 4% e popullsisë rezidente mbi 25 vjeç. Në qytetin e Tiranës ky treguesi i fundit konvertohet në jo me shumë se 8%.

Ndërkaq, në fund te dhjetorit, një ekip i Akademisë së Shkencave, nën drejtimin e profesorëve e mjekeve të mirënjohur Genc Sulçebe & Alban Ylli, kreu fazën e tretë të studimit të seroprevalencës në qytetin e Tiranës, me kampion përfaqësues prej 817 individësh të moshës 25-75 vjeç, studim nga i cili doli se rreth 50% e kampionit rezultonte pozitiv ne antitrupa, pra që e kishte kaluar Covid19 përkundrejt prej me pak se 7% që rezultonte, me të njëjtën metodë, në fund të qershorit 2020. Një rritje prej rreth 7 herë në vetëm 6 muaj dhe rreth 6-7 herë më e lartë nga ç’rezulton nga testet rilindëse në fund të vitit në qytetin e Tiranës.

Rilindja asesi heq dorë nga suksesi.

Me numrin rekord më të vogël të testeve në Europe, as 100 mijë teste për milion banorë, jemi 2 herë më dobët se Maqedonia e Veriut, 3 herë më dobët se Mali i Zi, e në progresion shumëfish më keq se vendet të tjera të Europës, por kemi në invers indeksin e gënjeshtrës me përhapjen e sëmundjes dhe vdekjet prej saj. Përndryshe, pa gënjeshtra pra, si mund të pretendosh se menaxhon me sukses problemin kur nuk kontrollon as 10% të tij?!

I njëjti avaz nisi e do vijojë me vaksinën. Shumë propagande e fare pak punë. Edhe pa qeveri fare të kishim qenë këto kohë, 500 mijë cope vaksina do na i akordonin me se zbën. Kosova, në krizë politike, ka siguruar mbi 1.2 milion e s’ka nevojë për dhuratën e Kryeministrit tonë i cili ka shpenzuar kush e di se sa shumë kredite e kush e di tek kush, sa për të sjelle me urgjencë ca vaksina-karamele, një kuti dorazi për shfaqjen burleske të 11 janarit në stadiumin fluturak.

Sa për na kujtuar se në ç’Republike qesharake jemi katandisur tashmë, në fundin e Rilindjes së Dytë.

SHKARKO APP