Artikulli i BIRN për arrestimin e kryebashkiakut të Bulqizës dhe 10 zyrtarëve të tjerë

Nga Gjergj Erebara, BIRN

Drejtuesit kryesorë të Bashkisë së Bulqizës, përfshirë kryetarin socialist Lefter Alla ranë në pranga mbrëmjen e kaluar pas një hetimi të Prokurorisë së Posaccme Kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit, nën akuzën se kanë falsifikuar dokumentet e një tenderi me vlerë 322 milionë lekë (afro 2.8 milionë euro) që synonte të rinovonte rrjetin e ujësjellësit në lagjen e vjetër të qytetit minerar.

SPAK bëri të ditur se punonjësit e bashkisë patën favorizuar në tender dy kompani, Egland shpk dhe BE-IS shpk, ndërkohë që punimet në terren dyshohet se janë kryer realisht nga një kompani e tretë, OE 2AF Albania shpk, për të cilën prokurorët thonë se ka lidhje me kryetarin e arrestuar të bashkisë.

“Nga hetimi ka rezultuar se për shtetasin nën hetim L. A. me detyrë Kryetar Bashkie me funksionin e tij si i zgjedhur vendor për të administruar konform ligjit Njësinë vendore Bashkinë Bulqizë evidentohet qartësisht sjellja e tij duke dokumentuar disa fakte penale si shkeljet gjatë procedurës së prokurimin publik me proçedurë të hapur në datë 30.04.2021, operatorëve ekonomikë “Egland Sh.p.k” dhe “BE-IS” Sh.p.k, me objekt “Ndërtimi rrjetit furnizimit dhe rrjetit shpërndarës Ujësjellësi dhe ndërtimi i rrjetit të KUZ , Lagja e vjetër, qyteti Bulqizë, Bashkia Bulqizë”, me vlerë të tenderit në shumën 322.439.000 lekë të reja, me afat kohor 10 mujor,” bëhet e ditur nga njoftimi i SPAK.

“Ky shtetas nën hetim në bashkëpunim me nënkryetaren e Bashkisë, dhe punonjësit e tjerë, si specialiste e prokurorimeve, anëtarët e KVO, kanë bërë të mundur që këtë tender ta fitonte me dokumentacion BOE Egland shpk dhe BE-IS shpk, duke krijuar avantazhe për këtë subjekt gjatë procedurës së prokurimit. Në një kohë që nga hetimi ka dyshime të arsyeshme të bazuara, se punimet janë kryer nga OE 2AF Albania shpk, lidhje shoqërore e kryetarit të Bashkisë,” vijon më tej njoftimi.

Të pandehurit kanë marrë masën e sigurisë arrest me burg para arrestimit me përjashtim të dy biznesmenëve që akuzohen për falsifikim dokumentesh, për të cilët masa e sigurisë është arrest shtëpie.

Lefter Alla, i cili drejtonte Partinë Socialiste në Bulqizë, e mori detyrën e kryetarit të bashkisë në zgjedhjet pa opozitën në qershor të 2019-s. Më parë këtë detyrë e mbante daja i Allës, Melaim Damzi, që ishte zgjedhur si kandidat i koalicionit të majtë, por me propozim nga Lëvizja Socialiste për Integrim.

SHKARKO APP