Artisti i Popullit, Osman Mula në protestë: Më arrestoni mua e jo rininë
Në protestën e madhe të qytetarëve para Kryeministrisë kundër rritjes së çmimeve, fjalën e mori edhe artisti i Popullit, Osman Mula. Duke marrë shkas se Policia ka shoqëruar dhe arrestuar të rinj për protestën e djeshme, aktori u drejtua forcave blu duke i thënë që të arrestojë atë dhe jo rininë. Protesta qytetare kanë shpërthyer në mbarë Shqipërinë. Qyetarët kërkojnë nga qeveria që të ulen çmimet sepse të papërballueshme për xhepat e konsumatorëve shqiptarë.
Pjesë nga fjalimi i aktorit të Popullit
Një pjesë e madhe e rinisë ka ikur. Këtë pjesën këtu, policia që dikur thoshte është me ne i merrte dje zvarrë e i dërgonte me furgona. Është krim t’i marrësh njerëzit që japin shpresën e nesërmes. Për ta që kanë shkruar Migjeni diku, e të arrestohen. Kjo është fytyra e një shteti mafioz, makabër, që ka dhunën.
Pse nuk ulesh me fol, pse nuk e bën si të gjithë kryeministrat e Ballkanit. Greku u ul e tha se nëse ne do të rrisim karburantin tejet normës që kemi ne si shtet do të ketë procedim. Këtë po bëjnë të gjitha shtetet. Si thotë ministrja Balluku ikni në këmbë? Njerëzit kanë halle.
Pse nuk ulesh me biseduar, je kryeministër i të gjithëve. Ulu, bëj diktat dhe thuaj se kështu duket. S’e ke bërë asnjëherë. Ne nuk kemi më besim tek ti. Fëmijët tanë lajnë pjatat? Jam artist i popullit e marr 300 mijë pension, nuk më del, t’ju vij turp. Ju marrsha të keqen trima, ky vend ka nevojë për burra. Nëse merrni një të ri, më merrni mua më mirë.
As ua kam frikën hiç, s’ua kam pasur. Do të hy fukara në vorr, por do të hy si burrat. Ju mallkoftë Zoti ju Mallkoftë. Zot i madh, ruaje këtë vend shqiponjash.