Artur Zheji: Pse Marshalli Rama turbullon ujërat dhe ëndërron përçarjen e opozitës?

Nga Artur ZHEJI –

Tanimë sondazhet po bëhen edhe më kokëforta dhe më këmbëngulëse, ato, plus apo minus 5, si i thonë fjalës, e japin humbës sfidantin e mandatit të tretë! Dhe kjo e ka mërzitur Marshallin e Përgjithshëm! Por me thënë të drejtën Ay, me një vullnet të admirueshëm, nuk dorëzohet dhe pas “tërbimit” të parë shpërthyes, po aplikon një skemë të re: “Përçarjen e Opozitës!”

Sepse sondazhet pra, japin një prerje tërthore të realitetit, ku PD plus LSI dhe të tjerët e koalicionit opozitar, bëjnë më shumë numra, gjithmonë sipas këtij trendy të fotografuar këto kohë.

Marshalli, pasi hoqi dorë, ndoshta momentalisht nga fushata shpërthyese dhe negativiste e atypëratyshme, mban në dorë një bisht lepuri, delikate dhe që gudulis zonjat, kur bëjnë makeup dhe një dorezë hekuri me thumba, në dorën tjetër.

Me bishtin e lepurit, por herë herë edhe me një puplore, heq pluhurat e PD-së së sotme dhe bën sikur pastron zbokthin te supet e Lul Bashës (në të vërtetë vetëm zbokth që nuk ka ai).

Me dorën tjetër, mbasi mbath mirë dorezën e hekurit dhe drejton nga jashtë thumbat e mprehura keqas, sulmon LSI, grushton Metën dhe trazon e provokon Berishën, sepse këshilltarët i thonë, që dueli me Berishën e kompaktëson të Majtën që po del nga “rruga e duhur…” (lexo nga rruga e Marshallit…)

Buzëqeshja dhe qetësia e Bashës, po bëhet përditë e më konsensuale nga njera anë dhe po aq më acaruese për Marshallin, që me sa duket po e kupton se Ay, Marshalli pra, nuk ka më se si të ndalojë ecjen e tij përpara në pikë sondazhesh dhe në preference…
Kjo në të vërtetë i krijon një akullnajë në shpirt dhe një stuhi mjergulluese në vështrimin kah e ardhmja, jo më aq rozë, sa i thoshnin…

Atëhere, sipas tij, e vetmja shpresë, në Pashpresësinë që po avitet, në mënyrë acaruese për Marshallin, është “goditja me dorezë hekuri” e LSI-së dhe të tjerëve… Por me sa duket, Ay, ka harruar që populli mban shënim dhe nuk harron dot se, Ay pra, ka 4 vjet që qeveris me dorë të rëndë, pa LSI-në pushtet!

Madje, sikur kjo të mos mjaftonte, Ay, ca nga “birbot” më të shquara të LSI-së, për nga asgjëbërja spektakolare, i thithi plot dashuri në parti e në fushatë të vet…

I shkreti Marshall, dhimsurisht i duhet t’i mbajë dhe ata, në shpinë të vet dhe të zgjedhësve socialistë, këtë barrë të shtuar të Asgjëbërjes perfekte…

Por Marshalli nuk dorëzohet! Ai sulmon trimërisht dhe plot vullnet (gjithmonë të admirueshëm).

Sulmon politikisht Opozitën, edhe në mënyrë të nëndheshme, përmes përçarjes, përmes diversionit dhe përmes ushqimit virtuoz të Paranojës së kundërshtarëve, që, le të themi, le ta themi pra, me plot gojën, Marshalli, (një nxënës i mirë i diversionizmës berishiane), di ta bëjë edhe Ay, mrekullisht!

Por, me sa duket “Dialektika” ka vendosur! Shansi që ju dha bujarisht dhe me të tepërt Marshallit, është tashmë një kandil me vaj në sosje e sipër… dhe mjerisht, Dialektika, as nuk shitet dhe as nuk blihet dot!…

Asaj vetëm duhet ti nënshtrohesh mençurisht, sepse Bota nuk ndalon së rrotulluari më 25 Prill, thjesht ecën para, me ose pa Marshallin, me ose pa, seicilin nga ne…

SHKARKO APP