Artur Zheji: Refugjatët, skenar përbindësh i qeverisë së Ramës

Analisti dhe gazetari Artur Zhej tha se me shumë mundësi pala shqiptare është vetëofruar për të pranuar emigrantët sirianë, një mënyrë kjo e kryeministrit për të zgjidhur problemet me ndërkombëtarët. Ndër të tjera, në një intervistë për gazetën “Shekulli”, Zheji analizon pasojat që i sjellin vendit mbushja me refugjatë sirianë, një bombë demografike e paadministrueshme, në një vend të varfër si Shqipëria që kërkon strehim për vete

Z. Zheji, mendoni se propozimi për kampe refugjatësh në Shqipëri është një kusht nga BE apo qeveria shqiptare?

Çështja e refugjatëve sirianë është më shumë një test dinak, për të kuptuar reagimin e opinionit publik shqiptar. Ka shumë mundësi që pala zyrtare shqiptare të jetë vetëofruar, për të zgjidhur një nyje delikate ndërkombëtare. Gjermania nuk mundet më të mbingarkohet me emigrantë, sepse ka disa milionë. Hungaria e Orbanit, e ka të paradeklaruar në programin e vet elektoral, semaforin e kuq për këto çështje. Italia me qeverinë e saj të re, vetë konsiderohet një viktimë e kahershme e dyndjeve të refugjatëve nga Afrika Veriore dhe ministri i  brendshëm Salvini, është një kampion i deklaruar kundër emigrantëve dhe të huajve në Itali. Në këtë kontekst, kryeministri i një vendi të vogël, ndoshta është tunduar të zgjidhë një problem të madh për ndërkombëtarët, me kosto më të vogël dhe në këmbim të “rifreskimit”, të një mbështetjeje të re të BE-së, në favor të Ramës.

Deputeti gjerman dhe presidenti i KE janë shprehur se Shqipëria është një alternativë e mirë për të pritur refugjatë. Sipas jush, çfarë përfiton Europa apo qeveria shqiptare?

Ashtu si edhe në çështjen e kufirit detar me Greqinë, edhe në këtë rast, transparenca e autoriteteve shqiptare është qëllimisht një rrëmujë deklaratash kontradiktore. Mungesë e plotë serioziteti zyrtar, porse kryeministri e ka përsëritur disa herë se sirianët nuk do të vijnë në Shqipëri. 600 mijë sirianë janë një katastrofë e mirëfilltë, janë një bombë demografike e pamundur për tu administruar. Në Shqipëri sot që flasim, banojnë realisht, jo më shumë se 2,5 milionë shqiptarë. Asnjë vend në botë nuk mund të strehojë në kushte normale, aq refugjatë, sa 25% e numrit të vet të popullsisë autoktone.

A mendoni se ka kapacitete Shqipëria për të pritur 600 mijë refugjatë?

Emergjenca siriane duhet zgjidhur dhe palët që janë gjeopolitikisht të interesuara për këtë zgjidhje, mund të bëjnë trysninë e tyre për këtë, porse të marrësh përsipër një gjë të tillë, është një atentat i mirëfilltë antikombëtar. Aq më tepër në një vend të dëshpëruar nga varfëria dhe pasiguria që kërkon ndërkohë shpëtimin e vet, pikërisht në largimin nga Shqipëria. Vetëm kërkesat për emigrim në USA, janë 500.000 individë, pa llogaritur familjarët.

Mendoni se qeveria shqiptare po merr vendime individuale për ketë çështje? Është ky një kusht për çelje negociatash apo ka përfitime të fshehta?

Zbrazja e Shqipërisë nga hallexhinjtë shqiptarë që gërricin nervat me hallet e tyre dhe hapja e dyerve për një biznes të ri: sistemimi i 600.000 hallexhinjve pa atdhe, një treg i majmë dhe një fuqi punëtorë edhe më e nënshtruar se ajo vendase, Shqiptare. Dhe nga ana tjetër, një retorikë e gatshme humanitare, ca medalje, ca financime ndërkombëtare, që mund të grabiten në terren me lehtësi dhe dhjetëra e mijëra skllevër pa asnjë të drejtë, në llagëmet e punës së zezë dhe e shfrytëzimit njerëzor pa kufi. Një skenar i përbindshëm. Dhe opozita rri e vështron dhe Partia Socialiste, rri kurrizkrrusur dhe aventurat në Shqipëri ndjekin njëra tjetrën, nën arrogantin kryeministër. Ky lloj lajmi dhe kjo bëmë, nuk bën tjetër veçse nxit edhe më shqiptarët për t’u larguar, ndalon rikthimin e tyre dhe krijon një demografi të re. Përfytyroni pas pak vitesh edhe të drejtën për të votuar, që sirianët mund të fitojnë së bashku me nënshtetësinë shqiptare. Ata do te jenë befas, pakica etnike më dërmuese në Shqipëri, me partitë dhe deputetët e tyre. Kështu dhe kam shkruar së fundi, duke mos i shtuar asgjë më tepër analizës sime më të fundit për këtë temë.

Pranimi i refugjateve do të thotë mbështetje e fortë e BE për qeverinë shqiptarë, e cila mund të përkthehet në një mandat tjetër qeverisës. Kjo për opozitën do të jetë një goditje e fortë, si do të veproje apo do të kemi dorëzim pa kushte të opozitës?

Por kemi një deklarim të përsëritur të Ramës, që mohon se sirianët do të vijnë në Shqipëri. Ndoshta sepse është gjendur ndërmjet 2 zjarresh. Reagimin brenda Shqipërisë dhe nevojës dhe ‘urisë’, për një mbështetje ndërkombëtare të një cilësie të re…

SHKARKO APP