Artur Zheji, replikë me Çilin: Pse s’jam dakort që Rama e meriton mandatin e dytë
Nga Artur Zheji/
Lexova me vëmendje polemikën cinike të Çilit, për mandatin e dytë të duhur dhe të “merituar” dhe “reformiste”, të Ramës. Nga këndvështrimi i tij, prej 10 vitesh sipërmarrës i madh, mendoj se ai ka të drejtë. Kryeministri aktual, është padyshim, kryeministri i sipërmarësve. Por mbi të gjitha, i disave prej tyre. Të atyre si Sadri Abazi, që shfaqen tribunave dhe garantojnë shqiptarët se Rama do të jetë edhe për 10 vite të tjera në pushtet, pra, mjerë ai që krruhet me të! Dhe në Dibër, Sadriu dhe sipërmarrës të tjerë, të llojeve nga më të ndryshmet, patën sukses. Por jo vetëm në Dibër. Paralajmërimi i Sadri Abazit dhe të tjerëve, ka zënë vend në media, nënshtrimi i plotë i të cilave, vetëm sa ka filluar, por gjithësesi, ka bërë shumë përpara.
Kryeministri i majtë që shqiptarët kanë sot, e ka pranuar dështimin e menaxhimit shtetëror dhe publik. Dhe ky është padyshim një lexim i mençur i realitetit. Sepse në të vërtetë, shtetërorja, në çdo fushë dhe drejtim është një apo disa hapa pas privates, në Shqipëri por edhe gjetkë. Por Rama, bën një hile të madhe, kur këtë dështim, ja faturon vetëm qeverisë paraardhëse, kur e di fare mirë, se është po aq në ngërç e mos më keq, se rivali i tij.
Pra ose dështon shtetërorja dhe pra Berisha dhe Rama tok, ose duhet të privatizojmë 90% të të gjithë aseteve dhe shërbimeve në Shqipëri, si një terapi shpëtuese nga dështimi i zhurmshëm dhe korruptiv i shtetërores si e tërë.
Kjo është dilemma e vërtetë, ndërsa retorika e Ramës është tjetër, ajo fillon e mbaron me shprehjen demode: “Se fajin e ka Saliu!”. Ky kalim nga analiza e tregut në politikën e debatit të ditës, rrëfen mbi të gjitha, se reformizmi i kryeministrit, është një alibi apo një skemë, për të shpërndarë dhurata të majme klienteliste, në oborrin e pushtetit të tij.
Dhe këtë Çili, e di shumë mirë dhe prandaj kërkon edhe ay, një copë hapësirë, nën “ombrellën e dashamirësisë” së Ramës.
Analiza e kalbëzimit të shtetërores, në të gjitha salcat dhe ngjyrat që të paraqitet, është përgjithësisht e saktë, por nuk është ndonjë diagnozë kushedi se çfarë origjinale, aq më tepër ajo që paraqet Çili.
Çështja me këtë kryeministër, nuk është aspak te diagnoza e sistemit të kalbur, por tek zgjidhja konkrete që jep sot kryeministri.
Nëqoftëse Berisha, në ndihmë të biznesit, vendosi Taksën e Sheshtë 10%, ajo ishte e njejtë për të gjithë sipërmarësit dhe qytetarët. Kurse “reformat” e sotme të Ramës, janë me pasoja selektive.
Sepse, në emër të “reformës në shëndetësi”, janë angazhuar 400 milionë euro për 10 vite, në mënyrë klienteliste. U janë “dhuruar” këto mundësi biznesi disa të zgjedhurve, financues të njohur të PS, që nuk kanë lidhje fare me mjekësinë. E pra, jo për të zgjidhur problemin e check-up apo të hemodializës dhe të tjera, por, në emër të reformizmit liberal, për të bërë ndere, atyre që janë sot dhe do të jenë nesër në fushatë, pas tij. Pas kryeministrit, në luftë për mëndatin e tij të dytë, si sot Henri.
Dhe pastaj nuk evitohen dot tragjeditë që ndodhin në dyert e spitaleve shtetërore, si edhe ndodhi tragjedia më e fundit, ku një nënë dhe një foshnje, vdiqën nën torturë, duke shkuar në tre spitale të ndryshme, në kërkim të jetës së mohuar, nga neglizhenca dhe paaftësia e mjekëve të turnit të natës. Që qëlluan atë natë, duke bërë roje në një spital të mirë privat.
Mbas lëmshit të bërë me konkursin e ri të të drejtave të studimit, gjithë sistemi i arësimit të lartë, ka mbetur i bllokuar dhe univeristetet private, të gjitha pa përjashtim, përfshirë edhe atë të Henrit, kanë mbetur akoma pa rregjistrime, që do të thotë keq financiarisht dhe fare keq, në projektimin e të ardhmes së tyre menaxheriale.
Frika se ky dështim organizativ më i fundit, mund të krijojë një kolaps të ligjit të ri për arësimin e lartë, është shumë e madhe. Sepse revolta studentore dhe e prindërve, pas marrëzisë së keqmenaxhimit të “mesatareve”, është realisht dramatike, dhe rreziku që Rama të mund të rikthehet drejt financimit të fuqizuar të universiteteve shtetërore, është jo i papërfillshëm.
Te çështja e arësimit të lartë, nuk jam aspak kundra, në risitë e pamohueshme të këtij ligji, si një kqyrje realiste e dështimit të hallkave më kryesore të arësimit në Shqipëri. Një dështim ky, i trashëguar dhe aspak një faj i Ramës, as edhe i Çilit, që e mbështet për jetë a vdekje këtë reformë.
Në këtë rast, reforma në arësim, pas disa rezultateve fillestare të mira, që solli mbylljen e disa fabrikave private dhe shtetërore që prodhonin diploma dhe idiotë me diploma, zbatimi i Ligjit në terren ka shumë probleme. Dhe ka edhe një “listë të zezë” të kryeministrit, për pronarët e padëshëruar, të disa universiteteve private.
Lindita Nikolla, si ministre, është vërtet një ministre përgjithësisht e ndjeshme, e përgjegjshme dhe e mirë, si individ, por listën e universiteteve private që fituan të “drejtën”, padrejtësisht në mjaft raste, që ti mbijetojnë reformës, e ka caktuar pak të themi vetë kryeministri. Duke u nisur nga kritere politike dhe klienteliste në maft raste, që Henri i di fort mirë, por nuk ja do puna ti rrëfejë publikisht.
Për të mos rënë në përsëritje, këndvështrimit të Çilit, për “Reformizmit” të Ramës, do ti shtoja edhe disa “reforma” të tjera që ay ka harruar dhe që janë suksese të mirëfillta të këtij kryeministri.
“Liberalizmin e kanabisit”, kryesisht ndaj klientelës së vet gjithashtu.
“Liberializimin dhe reformizmin” e institucioneve publike, që është në të vërtetë, pushtimi politik i tyre, një e nga një dhe kokër për kokër, nga a-ja te zh-ja, duke krijuar paradhomën e një neo-diktature de fakto. Gjykata, arbitrazhe, media e të tjera si këto.
“Liberalizimin e Tregut të Plehrave”, kur industria ricikluese shqiptare, që mbledh dhe përpunon vetëm 17% të plehrave vendase, kur ti vinë Plehrat e importuara, duke ndjekur logjikën e tregut, do ti lerë edhe ato 17 % pa i mbledhur landfilldeve shqiptare. Sepse tregu do tja kërkojë, që plehrat e importit, largqoftë edhe ato toksisket, të jenë shumë më të leverdisshme, sipas logjikës së kapitalit dhe se çfarë ndodh me Shqipërinë, punë e madhe!
Sepse Parisi dhe Vjena dhe Londra aty janë, pas dere, për mundësitë e kapitalit dhe pjellës së tyre fatlume.
Nëse kanë lindur në botë prej mijëra vitesh, doktrinat popullore, që mbiquhen me përçmim populiste, në mbrojtje nga mbipushtetet e të fortëve të Politikës apo të të fortëve të Kapitalit, kjo e ka një arësye dhe e ka një Përse.
Kjo “Përse”, lidhet me Nevojën Historike, për të mbajtur me sa mund në baraspeshë, makutërinë njerëzore dhe etjen për shfrytëzim, shpërdorim dhe përfitim, që nuk njeh kufinj.
Historia dhe letërsia dhe filozofia, ato që do të jetojnë edhe pas nesh, “shpikën” nocionin parizian “Barrikadë”, ku vriteshin Gavroshët.
Dhe barrikada, është një term modern dhe tanimë antik njëkohësisht. Një parapritë për çmendurinë e Individit, që kur është mbret, kryeministër apo super i pasur, vetë pandehet me të drejta gjysëm hyjnore dhe mbi njerëzore, ndaj të varfërve dhe të dobtëve, që janë shumica, këtu te ne dhe në botën përqark.
Dhe nëse më thua se Gavroshët nuk vriten më, gabon ose gënjen.
Një Gavrosh i palindur dhe e jëma që la pas dy jetimë, u vranë në Maternitetin “Nëna Geraldinë”, sepse në Shqipëri, nuk ka barrikada ndaj superpushtetit dhe shpërdorimit të superpushtetit. Dhe janë plot raste të tilla, të dukshme dhe të padukshme. Në të gjitha fushat, ku arbitrariteti kryeministror, nuk ka lidhje fare me Reformizmin.
Prandaj dhe jam “kundër” mandatit të dytë të një qeverie Rama, që do të ishte në të vërtetë, licensa për të tepruar edhe më, zullumet që ka derdhur me të tepërt, në kaq pak vite pushteti. 360gradë.al
Lexoni dhe replikën e Henri Çilit me Andi Bushatin:
Henri Çili “masakroi” sot Andi Bushatin për një status në Facebook