Arvizu: Reforma në gjyqësor, mbetet përparësia më e lartë
Këtë deklaratë, ambasadori i SHBA-ve në Shqipëri, Aleksandër Arvizu, e bëri gjatë tryezës së organizuar sot për reformën në drejtësi, duke shtuar ndër të tjera se reforma është një çështje më e thellë dhe jo një parakusht.
Sipas tij, me anë të kësaj reforme, është koha të ndërtojmë atë besim gjithëpërfshirës dhe jopolitik. “Është e rëndësishme që mazhoranca të vendose tonin e duhur për gjthëpërfshirje, duke iu qasur opozitës, me propozime të sinqerta”, theksoi përfaqësuesi i SHBA-ve në vendin tonë.
Gjithashtu, ai përmendi dhe gjashtë pika të rëndësishme, të cilat i quajti ‘recetat’ mbi të cilat duhet të mbështetet reforma në sistemin e gjyqësorit. “Hapi i parë është: Merrni hapa të matur pasi reforma gjyqësore është maratonë dhe jo një vrapim shpejtësie. Hapi i dytë: Procesi të jetë tërësor dhe gjithëpërfshirës. Hapi i tretë: Udhërrëfyesi i BE duhet të shërbeje si parim kyç. Hapi i katërt: Reforma duhet të përfitojë prej konsultimeve dhe aktorëve përkatës. Hapi i pestë: Duhet të kurohet imputo, pjesëmarrje nga komisioni i Venecias. Hapi i gjashtë: Procesi nuk duhet të politizohet, por të jetë konseguent për qytetarët shqiptarë, i cili do të jetë rezultati më i miri për ta”, përfundoi Arvizu.