Arvizu: Shqipërisë i duhet një auditues i ndershëm

Arvizu e nisi fjalën e tij në këtë konferencë me një histori amerikane: “Kush e njeh historinë amerikane, kujton që në vitin 1948, z.Thomas E. Dewey, ish-Guvernator i Nju Jorkut, ishte personi që kandidoi kundër Harry S.Truman, në njërën prej garave me rezultat më të ngushtë në histori, ndoshta e dyta pas rezultatit që pati gara presidenciale mes Gor dhe Bush në vitin 2000. Gara ishte aq e ngushtë sa të nesërmen e zgjedhjeve, një prej kryetitujve të gazetave ishte: “Dewey fiton”, por në fakt ai e humbi atë garë.

Thomas E. Dewey u bë më pas partner me një firmë ligjore të vjetër dhe të respektuar të Nju Jorkut, e cila mbajti emrin e tij Dewey & LeBoeuf. Përgjatë viteve, kjo firmë mbeti një firmë e mirënjohur për përfaqësimin e klientëve që ishin koorporata të mëdha dhe në vitin 2012 ajo deklaroi rreth 1 miliardë dollarë të ardhura.

Në realitet, firma po humbiste para shpejt dhe do të falimentonte shumë shpejt. Në fund të vitit 2012, CPO, zyrtari kryesor financiar, i dërgon një email, Drejtorit Financiar të firmës dhe e pyet: A mund të gjeni një AUDIT tjetër të paaftë për vitin që vjen? Dhe Drejtori Financiar iu përgjigj: Ky është plani dhe funksionoi në mënyrë të përsosur gjatë këtij viti.

Kujtoni, që kjo ishte një firmë ligjore e fuqishme, shumë e respektuar,e cila mbante emrin e personit që gati u bë President i SHBA-ve, por në 2013-ën falimentoi. Më herët, këtë vit, drejtuesit e saj u paditën në një gjykatë amerikane.

Pra, kur fola për këtë shkëmbim mes dy mesazheve elektronikë të 2012-ës, mes CPO-së dhe zotërisë tjetër, ata të dy ishin në dijeni të një audituesi të mirë, por ata nuk donin një auditues të mirë; përkundrazi, ata donin një të paaftë. Po Pse? Sepse një auditues i mirë heton praktikat dhe llogaritë e biznesit për t’u siguruar që ato janë me të vërtetë të ndershme.”

Në vazhdim, ambasadori theksoi se “një auditues i paaftë nuk e bën këtë. Në një qeveri, një auditues i mirë është i pavarur dhe i kujdesshëm; një shoqëri demokratike duhet të veprojë me auditues të mirë, ata janë rojtarët që hedhin dritë mbi prokurimet, punësimet dhe shpenzimet e qeverisë. Në luftën kundër korrupsionit është vendimtare të pasurit e një zëri të ndershëm, të saktë, të kujdesshëm dhe më e rëndësishmja, të pavarur, për të ruajtur pasuritë e popullit.”

SHKARKO APP