As qëndrimi gjerman nuk e bind, Rama mosbesues për përshpejtimin e Integrimit
Procesi i integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian mund të përshpejtohet, tha sot kancelari gjerman, Olaf Scholz, duke thënë se duhet të hiqet unanimiteti në marrjen e vendimeve, për të shmangur pengesat nga një shtet i vetëm, siç ndodhi me rastin e Maqedonisë së Veriut nga Bullgaria.
Por kryeministri Edi Rama u shpreh mosbuesues. “Sinqerisht nuk jam i sigurt që do të ketë një përshpejtim, në përgjithësi për shkak të arsyeve gjeopolitike, por dua të shpresoj që për shkak të arsyeve gjeopolitike, komuniteti i ri europian politik i propozuar nga Macron dhe i shtjelluar nga Charles Michel, për të cilin po punojmë së bashku me qeverinë holandeze dhe unë me kryeministrin Rutte do të përshpejtojë. Është një ide shumë e rëndësishme dhe me shumë potencial”, tha Rama nga Sllovenia, ku po merr pjesë në Forumin Strategjik të Bledit.
Ndër të tjera, kancelari gjerman nënvizoi se qendra e BE-së po zhvendoset drejt lindjes. Përballë luftës së Rusisë në Ukrainë, Scholz nxiti 27 vendet anëtare të zgjidhin konfliktet e vjetra dhe të gjejnë zgjidhje të reja, ndërsa u zotua se Gjermania do mbajë mbështetjen e saj për Kievin për aq kohë sa do të jetë e nevojshme.