As votat e Bashës nuk mjaftojnë, PS-ja shtyn rritjen e pagave të gjyqtarëve të Kushtetueses
As këtë të enjte, në seancën plenare në Kuvend, nuk do të votohen ndryshimet ligjore që rrisin pagat e gjyqtarëve të Kushtetueses. Nën drejtimin e Bledi Çuçit, grupi parlamentar i PS-së vendosi të mos përfshijë në axhendën e seancës plenare as ligjin për lojërat e fatit, me argumentin se do duhet të rishikohet edhe njëherë.
Paçka votave të Lulzim Bashës dhe grupit të tij për të bashkëpunuar me socialistët, sërish këta të fundit nuk arrijnë dot të sigurojnë shumicën e cilësuar të votave. Për këto dy ligje do duhet të shtrijnë dorën sërish drejt mbështetësve të Sali Berishës apo deputetëve të tjerë opozitarë, të cilët deri më tani i kanë kundërshtuar.
Sa i përket rritjes së pagave për gjyqtarët e Kushtetueses sipas deputetëve demokratë, një vendim i tillë krijon disbalancë me gjyqtarët e këtij institucioni dhe gjyqtarëve të Gjykatës Kundër Krimit të Organizuar.
Ky projektligj u kontestua nga deputeti Fatmir Xhafa. Në mbledhjen e Komisionit për Çështjet Ligjore, të martën më 12 shtator, Xhafaj e kontestoi projektligjin përmes një serie pyetjesh drejtuar përfaqësuesve të ministrisë së Drejtësisë, ndërsa theksoi se me këto ndryshime, anëtarët e Gjykatës Kushtetuese do të merrnin dyfishin e pagës së anëtarëve të Gjykatës së Lartë.