Asambleja e PS/Paralajmërimi i ministrit Xhafaj: Gjatë 100 ditëve do të…
Në fjalën e tij gjatë mbledhjes së Asamblesë Kombëtare të Partisë Socialiste, ministri i Brendshëm Fatmir Xhafaj, ka numruar prioritetet e 100 ditëve të para të këtij mandati qeverisës, duke u ndalur fort te Vetingu dhe Drejtësia. Ai u shpreh se lufta kundër krimit të organizuar do të mbeten sfida kyçe.
”Nisja e Vetingut në polici do të jetë pika kyçe, për të pasur një polici me standarde europiane dhe të përkushtuar ndaj shërbimit qytetar. Kërkojmë një qeveri të lidhur me qytetarët. Do të krijojmë një marrëdhënie më të mirë mes qytetarëve dhe policisë. Do të jemi të fokusuar tek parandalimi i dhunës në familje. Lufta kundër krimi të organizuara do të mbeten sfida kyçe. Kryeministri që në Gusht e ka përcaktuar si një prioritet të punës së qeverisë”-tha Xhafaj.
Më tej ai theksoi se shumë shpejt një raport zyrtar i monitorimit ndërkombëtar për luftën kundër kanabisit do të jetë publik. Sipas ministrit, në këtë proces prej dy muajsh janë përfshirë partnerët si: SHBA, BE dhe vendet pjesë e BE-së.
”Kemi dy muaj që po punojmë, me partnerët SHBA, BE dhe disa nga vendet anëtarë të BE të përfshira në këtë proces. Do të punojmë për ngritjen e strukturave për goditjen e paligjshmërisë, bllokimin dhe sekuestrimin e aseteve kriminale. Kemi punë për të bërë për menaxhimin e kufirit që mbetet prioriteti ynë, për azilkërkimin dhe trafikun e qenieve njerëzore. Do të përmirësojmë masat e regjimit të kontrollit në kufi, në pikat e kalimit kufitar portual dhe në aeroportin e Rinasit, do të bëjnë lehtësime për shërbimet ndaj qytetarëve dhe si nevojë për prezantimin më të mirë të vendit për vizitorët dhe turistët e huaj”-tha Xhafaj.