Astrit Patozi: Kartat e djegura që s’na përfaqësojnë

Nga Astrit Patozi:

Kryeministri Rama përmendet 14 herë në akuzën e një zyrtari të lartë të FBI, i cili ka dalë këto ditë para drejtësisë për vepra penale në dëm të vendit të vet.

Dyshimet e arsyeshme janë që ai e ka përdorur miqësinë apo marrëdhënien financiare me zbuluesin amerikan që të kurdisë një hetim në SHBA për financimin e lobimit të PD, 5 vite të shkuara.

Kjo është një linjë logjike që mbështetet, jo vetëm nga denduria e takimeve dhe ngjarjet që kane pasuar ato, por edhe nga një lloj tradite e luftës politike në Shqipëri, ku është tentuar gjithmonë të goditet kundërshtari përmes lidhjeve të njëanshme me partnerët ndërkombëtarë. Fakti që Edi Rama nuk u paraqit sot në parlament për të dhënë shpjegime, ia vështirëson edhe me shumë pozitën, por në të njëjtën kohë i bën edhe më të besueshme dyshimet

Por kujdes. Nëse e marrim të mirëqenë dhe sigurt implikimin e kryeministrit, kjo nuk e shfajëson aspak Lulzim Bashën dhe as i jep të drejtë Sali Berishës.

Sot që po flasim, që të tre këta udhëheqës gjenden të përlyer njëkohësisht, madje edhe në skenarin më kompromentues për kryeministrin.

Sepse nuk është provuar ende, as nga hetimi dhe, as nga i dyshuari që financimi i lobimit për llogari të PD ka qenë i ligjshëm dhe jo me para ruse. E vetmja mënyrë që Lulzim Basha të dale i larë nga ajo histori është që të provojë se e gjitha ka qenë e sajuar, njësoj si “babalja”, për të cilën drejtësia shqiptare, me të gjitha defektet e veta, është shprehur.

Uroj shumë që drejtësia amerikane të shprehet shpejt, jo vetëm per dëmin e supozuar të ish-zyrtarit ndaj Shteteve te Bashkuara, por edhe për implikimin e tij të mundshëm në një triller për llogari të luftës së brendshme për pushtet në Shqipëri. Kjo do ta rëndonte edhe më shumë pozitën e Edi Ramës, për të mos thënë që do t’ia pamundësonte atij qëndrimin qoftë edhe për një ditë të vetme më tej në postin e lartë, që mban prej 10 vjetësh.

Por me sa duket zoti Basha nuk e ka këtë mundësi, ndaj edhe e ka te vështire të gëzohet më shumë se ç’duhet nga gropa, ku gjendet sot Edi Rama.

Nga ana tjetër, Sali Berisha duhet të zgjedhë se kë do të vrasë me këtë aferë amerikane spiunazhi, Edi Ramën apo Lulzim Bashën. Se të dy njëherësh e ka të pamundur, pavarësisht dëshirës së nxehtë. Sepse ai do edhe që Edi Rama të ketë dhënelë para për të sulmuar Lulzim Bashën në Amerikë, por edhe që ky i fundit të jetë besëprerë dhe i financuar nga para ruse, duke turpëruar Partinë Demokratike.

Si te gjitha skandalet në këtë vend, të cilat bien ne duar manipulatorësh dhe keqpërdoren mizorisht për të humbur vlerën e tyre reale. Ndërkohelë që efektet më të mëdha mund të krijoheshin duke u bazuar në mënyrë strikte tek faktet dhe provat e qarta. Pa pasur nevojelë për të shtuar dhe sajuar asgjë tjetër, që do ta relativizonte të vërtetën.

E kuptoj pasionin e fortë për të shpikur dhe zbukuruar skena çantash me dollarë dhe për të gjurmuar jetën e personazheve të ditës, por kjo histori shkon përtej dosjes së ish-zyrtarit të FBI.

Sepse ajo shumica po bëjnë sikur nuk e vënë re është fakti se të gjithë drejtuesit më të lartë politikë të Republikës sonë i kanë kartat e djegura në Shtetet e Bashkuara.
Edi Rama, si personazh joepisodik i dramës së spiunit të kapur me presh në dore, Lulzim Basha me dosjen e pasqaruar të lobimit në Amerikë, Sali Berisha, prej kohësh non grata, dhe Ilir Meta nën hetim për një çështje të ngjashme me Lulzim Bashën.

Kjo është në fakt pasqyra e katandisjes politike dhe gjendja e dëshpëruar e demokracisë në Shqipëri, që duhet ta bëjë të reflektojë fort shoqërinë tonë të marrë peng prej shume vitesh nga kryetarokracia dhe nje grusht autokratësh, të cilët e kanë mbushur kupën prej kohësh, por që nuk pranojnë kurrësesi të largohen.

SHKARKO APP