Atmosferë diktatoriale dhe një proces farsë, kreu i degës “zbulon” skenarin për Kavajën

Flet për “Koha Jonë”, kreu i degës së PD-së në Kavajë, Isa Sakja

Intervistoi: Redjon Shtylla

Më 7 Maj në Kavajë do të mbahen zgjedhjet e pjesshme lokale, të dytat në historinë pluraliste të Shqipërisë me vetëm një kandidat në garë. Me kandidatin zyrtar të PS-së, që është nënkryetari aktual dhe kandidati i pavarur, dikur anëtar në PS, ish-financier në bashkinë e këtij qyteti. Por çfarë do të ndodh në ditën e zgjedhjeve, çfarë skenari ka Partia Demokratike? Në një intervistë për “Koha Jonë”, kreu i degës së PD-së në Kavajë, Isa Sakja, tregon se PD-ja ju ka bërë thirrje shqiptarëve, që me precenzën e tyre, të mos lejojnë zgjedhjet në Kavajë,”të dëshmojmë prezencën tonë ndaj një procesi farsë”, thekson Sakja. Pse nuk duhet të votojnë kavajësit? Nuk duhet thekson Sakja, dhe qytetarët duhet ti thojnë “jo zgjedhjeve që luhen në një skenë krimi me prapaskenë dhe dekor hashashi dhe kokaine”. E për skenarin që përfshihet dhunën, kreu i PD-së në Kavajë, e mohon një gjë të tillë, duke shtuar se: “Asnjë provokim nga forcat përballë nesh nuk do të na nxisin të shkojmë drejt dhunës”.

Kavaja kërkon kryetar të ri. Si e keni parë atmosferën e ditëve të fundit në qytet?

Beteja këmbëngulëse e Partisë Demokratike për të larguar nga funksionet publike të gjithë personat me rekorde kriminale, e finalizuar me ligjin e dekriminalizimit solli ndërprerjen e mandatit të ish-kryetarit të bashkisë. Qyteti nuk është përfshirë në një atmosferë zgjedhore, kjo pasi socialistët ishin në hall derisa arritën të gjenin një pseudokandidat nga rradhët e PS për t’ia vënë përballë kandidatit të PS. Është tipike atmosferë zgjedhore diktatoriale; Kandidon partia mëmë, partia që është në pushtet me vetveten. Ditën e zgjedhjeve, do t’i zgjojnë me këngë e valle herët në mëngjes që ta mbyllin votimin me sukses e të raportojnë rezultatet e larta.

Lideri i opozitës ka thënë se zgjedhjet nuk do lejohen nga opozita e bashkuar. E përkthyer në realitetin shqiptar do të thotë përplasje e dhunshme. Është qëllimi i PD-së të pengojë zgjedhjet në Kavajë përmes dhunës?

Partia Demokratike ka lindur si forcë demokratike e nxitur nga lëvizjet studentore të dhjetorit ’90. Ajo është shtëpia e lirisë dhe e demokracisë së shqiptarëve. Me dhunën atë nuk e lidh asgjë,  as nga për nga filozofia që e udhëheq, as për nga vesimet që beson, as për nga aksioni politik, përveçse insinuatave dashakeqe të kundërshtarëve politikë, apo propagandistëve të tyre.

Çfarë u vendos në mbledhjen e fundit me z.Basha? Si do të veprojë opozita ditën e zgjedhjeve në Kavajë?

Mbledhjet në këtë situatë kanë karakter organizativ. Nuk merren vendime. Diskutohet dhe jepen orientimet për një ndërgjegjësim të strukturave mbi situatën absurde ku ndodhemi.

Ka plan që protestuesit të mblidhen në Kavajë të shtunën për të mos lejuar shpërndarjen e materialeve zgjedhore për procesin e votimit?

Partia Demokratike e Shqipërisë ka njoftuar takimin në Kavajë, të të gjithë demokratëve shqiptarë, që me datë 7 maj të dëshmojmë prezencën tonë ndaj një procesi farsë.

Cilat ishin këshillat për mbarvajtjen e protestës në Kavajë, nga eksperti amerikan krah Bashës, gjatë mbledhjes që patët së bashkue me krerët e degëve me z.Basha?

Nuk ishte një trajnim mbledhja.

Do ketë pengesë të zgjedhjeve vetëm më 7 Maj apo do jetë një protestë që do vijojë edhe në ditët në vijim?

Nuk ka ende një qëndrim për këtë.

Si do të jetë mbështetja e degëve të PD në rrethe? Çfarë do të ofrojnë ato në protestën e 7 majit?

Kurajo, mbështetje ndaj qytetarëve të Kavajës, që do të refuzojnë të shkojnë në votime monopartiake. Në Kavajë ka lindur demokracia, nuk duhet të vdesë këtu.

A jeni përgatitur për përplasje fizike me militantët e PS-së, që ndryshe nga ju mendojnë që zgjedhjet duhen bërë? Nëse ndodh, si do ju përgjigjeni?

Ne bëjmë thirrje për një qëndresë paqësore. Jemi një forcë demokratike me maturinë e duhur politike. Asnjë provokim nga forcat përballë nesh nuk do të na nxisin të shkojmë drejt dhunës. Përgjigja jonë do të jetë: politika nuk na shfytyron dot qytetarinë dhe modelin e demokracisë.

Çfarë përgjegjësie do të mbajë PD-ja nëse konflikti çon në viktima?

Dhuna nuk ka lidhje me Partinë Demokratike. Ne jemi të organizuar që të shmangim çfarëdolloj provokimi që do të çonte drejt dhunës. As në imagjinatën më të frikshme nuk shoh dhunë. Shoh  dhe fushatoj pranë qytetarëve të Kavajës për të abstenuar në këto zgjedhje që janë parablerë me paratë e krimit.

Me protestën e 7 Majit, duke mos lejuar zgjedhjet e cila është në shkelje të kushtetutës që garanton të drejtën e votës. Si mund të pengojë PD të zgjedhjet të mos mbahen kur në kushtetutë është e drejta e votës?

PD do të shfrytëzojë të gjithë instrumentat demokratikë të rezistencës ndaj zgjedhjeve pa asnjë kusht të garancisë së votës së lirë të qytetarëve. Abstenimi nuk është shkelje e të drejtës së votës së askujt. Është instrument demokratik për t’i thënë jo zgjedhjeve që luhen në një skenë krimi me prapaskenë dhe dekor hashashi dhe kokaine.

Çfarë qëllimi kanë takimet e 10 deputetëve të PD-së me qytetarët? Si e vlerësoni deri më tani punën në terren? Çfarë bisedoni me kavajësit?

Grupi i deputetëve të nderuar të Partisë Demokratike është përfshirë në të gjithë bashkinë në një konsultim të gjerë publik me qytetarët e Kavajës duke i shpjeguar atyre derë më derë arsyet pse duhet të abstenojnë në këto zgjedhje. Deputetët dhe anëtarët e kryesisë së Partisë Demokratike të Kavajës theksojnë në agjendën e tyre të ngjeshur politike pikërisht çështjet e pasigurisë në vend, të mbretërimit të krimit dhe kultivimit të hashashit. Në kushtet e kësaj pasigurie totale, çfarë sigurie do të kishin ata për zgjedhje të ndershme e të lira, sikundër në çdo sistem demokratik duhet të karakterizohen zgjedhjet.

Edhe pse PD-ja nuk shkon në zgjedhje pa qeveri teknike, përgatitjet për zgjedhjet nuk kanë munguar. A ka gati PD-ja e Kavajës kandidatin për deputet?

Kavaja është një qytet me burime njerëzore cilësorë dhe intelektuale të pashtershme. Unë besoj se PD do t’i propozojë qytetarëve të Kavajës një ndër asetet e këtij qyteti, përfaqësues të vlerës intelektuale, qytetare, morale, trekëndësh që në realitetin e zhvillimeve aktuale  merr një kuptim tjetër,  jo thjesht atë të ofrimit të vlerës më të mirë ndër ofertat elektorale të partive të ndryshme në garë, por të një përballjeje cilësore që të bëjë diferencën.

SHKARKO APP