Avokati i Dashamir Tahirit – Ligji i dekriminalizimit mund të përfundojë në Gjykatën Kushtetuese
Ligji i dekriminalizimit mund të përfundojë në Gjykatën Kushtetuese.
Kështu ka paralajmëruar avokati i ish-deputetit Dashamir Tahiri, Fatmir Braka, ndërsa ankimoi në Gjykatën Administrative vendimin e KQZ-së për heqjen e mandatit të klientit të tij.
Braka: Patjetër e shikojmë si mundësi sepse ligji për mendimin tim personal pavarësisht se u votua dhe me nxitimin e tij, ka absurditete që nuk qëndrojnë. Sidomos për rehabilitimin e personit, efektet e veprimit të ligjit në kohë. Unë plotësoj formularin në një kohë të caktuar, jo pastaj ligji jep efekte prapavepruese. Janë momente që gjykohen në Gjykatë Kushtetuese, nuk është momenti tani të ezaurojmë problemet që mund të ketë për Gjykatë Kushtetuese.
Avokati i deputetit Tahiri akuzoi KQZ se ka botuar një vendim të paarsyetuar në Fletoren Zyrtare dhe për më tepër nuk ka përcaktuar Gjykatën se ku duhet kryer ky ankimim.
Braka: Si Komision bëri më të keqen e mundur, për arsye jo vetëm të vendimarrjes së saj që hodhi poshtë kërkesën tonë, por dhe për arsyen se vendimi i botuar në Fletoren Zyrtare është i paarsyetuar.Ne sot bëjmë një kërkesë-padi ndaj dispozitivit të një vendimi të KQZ, jo të një vendimi të arsyetuar. Megjithatë kjo është e keqja e tyre, mbase është dhe në favorin tonë, duke bërë një gjë të tillë.
Ndërkohë KQZ ka thirrur ditën e premte një mbledhje për të zëvendësuar dy ish-deputetët Dashamir Tahiri dhe Shkëlqim Selami.
KOHA JONË SONDAZH

