Balla: Garë e paepur për të nxirë Shqipërinë me përroin psikik të Berishës

Gjatë fjalës në Kuvend, ministri i Shtetit Taulant Balla kujtoi “përroin psikik” të Sali Berishës në PE për të nxirë dhe hedhur baltë ndaj Shqipërisë, me qëllim që të dëmtojë procesin e integrimit të vendit në BE. Duke e cilësuar të turpshëm veprimin e opozitës dhe apeluar për bashkëpunim, pasi “Shqipëria ishte edhe e tyre”, ai apeloi që opozita të reflektonte dhe ndihmonte, pasi kishte rolin e saj dhe të braktiste diskursin e kreut të saj. Për të me moshën që ka nuk mban as përgjegjësi për ato që thotë e bën.
Pjesë nga fjala
Garë e paepur e opozitës për ta nxirë Shqipërinë sa më shumë. Kulmi i kësaj ishte një përrua psikik që u dëgjua në një nga sallat e Parlamentit Europian dhe t’ju them të drejtën, nuk turpëron më atë person, se personi tashmë nuk mban më përgjegjësi për gjithçka bën dhe thotë. U tha këtu nga parafolësja pse nuk bëjmë ne debat për zgjedhjet, po debati për zgjedhjet në momentin në fjalë po e bëjnë institucionet që duhet të diskutojnë zgjedhjet, aty ku ju keni shfrytëzuar edhe të drejtën që kemi dakordësuar së bashku që në 13 vite më parë, për të kërkuar edhe rinumërim. Sepse e dini fare mirë, se nga ky rinumërim nuk del asgjë përsa i përket rezultatit të përgjithshëm.
Por ju mund t’i bëni një shërbim vendit, meqë flasim për eficencë energjie, të bëjmë edhe një eficencë, sepse e keni futur në rinumërim vetëm për të shtyrë kohën. Se e theksoi edhe njëri këtu, ne nuk ua kërkojmë dorëheqjen e Saliut, ne jo njëherë! Ata që ua kërkojnë zgjidheni hallin brenda jush. Ne s’kemi e s’bëhemi pjesë në asnjë diskutim të brendshëm të partisë tuaj. Por vini këtu e kërkoni debat për zgjedhjet, për çfarë? U bënë më 11 maj, rezultati më i qartë se asnjëherë tjetër. Ditë e zezë të më përkthesh ti mua Joridën, por jemi këtu për performancën e energjisë në ndërtesa. Nëse keni çështje për këtë, bujrum, por përsa i përket imazhit të Shqipërisë, çështjes së integrimit, thirrja ime është hiqni dorë nga ai turp i madh, se do vazhdoni të zhyteni edhe më shumë.
Se ju ende s’keni kuptuar një gjë shumë të rëndësishme, vota e shqiptarëve dhe mbi të gjitha vota e diasporës në zgjedhjet e 11 majit, ishin vlerësim për punën e Edi Ramës dhe qeverisë socialistë dhe një ndëshkim për ju, për sjelljen tuaj ndaj Shqipërisë gjithë këto vite. Se ai, del një (Berisha) që paguhet me taksat e shqiptarëve dhe del atje “narkoshteti, narkoshteti…”, lërini mo këto se latë nam, lërini se latë nam, realisht latë nam! E duhet t’ju vij turp se vendi është i përbashkët, edhe i yni edhe i juaji.