Balla: Iku koha kur certifikatat bliheshin! Mziu: E-Albania nuk punon në Shqipëri, jo më jashtë

Ministri dhe drejtuesi politik i PS për diasporën, Taulant Balla ka hedhur poshtë pretendimet e PD-së për votën e emigrantëve. Sa i përket mos regjistrimit të atyre që nuk kanë një pasaportë shqiptare, Balla tha gjatë seancës plenare se kjo është një praktikë që ndiqet kudo. Më pas bëri dhe ironi me deputetin e PD-së Xhelal Mziu, pasi sipas Ballës certifikatat nuk blihen më si në kohën e Mziut, por merren në e-Albania.
”Xhelal ka mbaru koha kur ishe ti ku certifikata blihej me lekë. Për ju nuk punon asnjë gjë. Ne e-Albania certifikata familjare merret në çdo moment. Ju jeni kundër votës së diasporës. Doni të bllokoni dy elementë kryesorë. Nuk ka asnjë alibi që ju rezultatin e 11 majit do e keni humbjen më të thellë që as ajo e 1997 nuk do ju duket aq e thellë. Frika ju ka karakterizuar kaq vite. Keni frikë që Celibashi do ju vjedhi, bujrum ti numërojnë çdo përfaqësues partiakë”,-tha Balla.
Kurse si përgjigje, Mziu i tha se e-Albania nuk punon në Shqipëri, e jo më jashtë vendit. ”Ka mijëra që nuk kanë një dokument. Edhe kur kanë një dokument shqiptar nuk regjistrohen dot. E-Albania nuk funksionon në Shqipëri jo më jashtë Shqipërisë”.