Balla nderohet nga Komuna e Deçanit, angazhim në ndërtimin e raporteve vëllazërore në mes të faktorit shqiptar
Titulli i Mirënjohjes është dhënë nga Komuna e Deçanit në Kosovë për Ministrin e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Taulant Balla. Ky nderim iu dorëzua ministrit nga kryetari i komunës së Deçanit, Bashkim Ramosaj, me motivacionin “Për angazhimin personal në ndërtimin e raporteve vëllazërore në mes të faktorit shqiptar”.
Dhënia e këtij titulli bazohet gjithashtu në kontributin e tëdhënë nga Balla gjatë vitit 2024 si Ministër i Brendshëm në zbatimin e marrëveshjeve të lehtësimit të lëvizjes së qytetarëve mes Kosovës dhe Shqipërisë dhe në hapjen e vendkalimeve të reja kufitare. Kryetari i Komunës së Deçanit, Bashkim Ramosaj, tha se Balla ka luajtur gjithmonë një rol të rëndësishëm në ndërtimin e raporteve bashkëpunuese mes përfaqësuesve politikë shqiptarë në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni e Veriut, Mali i Zi, Preshevë dhe Diasporë.
“Nder i veçantë për mua titulli i Mirënjohjes nga ky qytet me motivacionin: Për angazhimin personal në ndërtimin e raporteve vëllazërore në mes të faktorit shqiptar”,-u shpreh ministri Balla, i cili vlerësoi dëshmorët që dhanë jetën për lirinë e Kosovës dhe ish-komandantët e UÇK-së në Hagë. Në këtë ceremoni tradicionale në një kullë të Rrafshit të Dukagjinit u nderuan gjithashtu Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti, Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, dhe personalitete shqiptare në diasporë.